Vetëm fasada mbeti: Muzeu Hebraik në Vlorë rrafshoi brendësinë e monumentit
Banesa monument kulture ku po ndërtohet Muzeu Hebraik Shqiptar në Vlorë u premtua se do të ruhej, por punimet kanë lënë në këmbë kryesisht fasadën dhe kanë rrafshuar pothuajse gjysmën e saj. Ndërhyrja përfshin edhe kate të reja dhe gërmime nëntokësore, ndërsa kalimi i godinës nga Monument Kulture i Kategorisë së Parë në të Dytën i hapi rrugë ndërhyrjeve të thella.
Gërmimet dhe strukturat e reja prej betoni e metali brenda banesës monument kulture në Vlorë. Foto: Raporti javor për punimet, DRTK Vlorë.
“Muret origjinale të ndërtesës, struktura mbajtëse dhe elementet tipike arkitektonike të qytetit historik ruhen me përpikëri”, shkroi më 9 shtator 2025 Blendi Gonxhja, atëherë ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe sot ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, për punimet në Muzeun Hebraik Shqiptar në Vlorë.
Postimi, i shoqëruar me pamje nga kantieri, i referohej një banese qytetare në Qendrën Historike të Vlorës. Në listën publike të monumenteve ajo figuron në kategorinë e parë, sipas një vendimi të vitit 2006, ndërsa Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë (DRTK Vlorë) e paraqet në kategorinë e dytë sipas një vendimi të vitit 2022.
Ndryshimi i kategorisë i parapriu miratimit të projektit për ndërtimin e një muzeu kushtuar hebrenjve në këtë ndërtesë ikonike. Në vitin 2021, kryebashkiaku i atëhershëm i Vlorës, Dritan Leli, njoftoi se ndërtesa ishte zgjedhur për Muzeun Hebraik. DRTK Vlorë tha se ajo u shpall monument i kategorisë së dytë në dhjetor 2022 – paralelisht me prezantimin e projektit arkitekturor të muzeut nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) – ndërsa projekti më pas u miratua dhe e trajtoi si monument të kësaj kategorie në prill të vitit 2023.
Por punimet në ndërtesën që gjendet pranë Sheshit të Flamurit janë kujdesur vetëm për ruajtjen e fasadës, ndërsa stuktura e brendshme është rrafshuar totalisht, në shkelje flagrante të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë.
Shkalla e ndërhyrjes ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si po trajtohet banesa-monument, ndërsa arkitekti Elis Baba e ka cilësuar ndërhyrjen si invazive dhe vlerësoi se ajo po tjetërson identitetin e ndërtesës dhe të kësaj lagjeje të Vlorës.
“Pikë së pari, nuk duhej ndërhyrë në mënyrë invazive, duke e tjetërsuar komplet identitetin e ndërtesës…sepse në mënyrë të drejtpërdrejtë dëmtohet dhe shpërfytyrohet identiteti i të gjithë bllokut historik”, shpjegoi ai për Amfora.al.
Për Nikolla Veshon, inxhinier strukturist dhe doktor i arkitekturës në fushën e restaurimit, pas ndërhyrjes për ndërtimin e muzeut hebraik konstatohen ndryshime të rëndësishme në sistemin mbajtës, ndërsa shpjegoi se strukturat e reja ngjasojnë me ato që përdoren për përforcimin sizmik të ndërtesave ekzistuese.
“Vërehen ndërhyrje të rëndësishme në sistemin strukturor të objektit, përfshirë realizimin e një strukture të re mbajtëse me praninë e elementeve prej betoni të armuar”, tha Vesho për Amfora.al.
Më 23 mars 2025, gjatë një prezantimi mbi punimet midis ministrit Gonxhja dhe kryeministrit Edi Rama, u tha se projekti përfshinte “mbrojtjen e objektit ekzistues, i cili është objekti i mbrojtur” – por në terren projekti është rrafshuar në pjesën e tij më të madhe, pasi janë shembur katet ndarëse dhe po ashtu të gjitha dhomat.
DRTK-ja tha se fasada do t’i nënshtrohej vetëm pastrimit, ndërsa konfirmoi katin nëntokësor, shtesat që e çojnë godinën në katër kate, pavijonin prej guri dhe urën prej xhami – të cilat megjithëse janë pajisur me lejet përkatëse nga autoritetet e kulturës, shkelin përcaktimet ligjore për Monumentet e Kulturës të Kategorisë së Dytë, që parimisht mbrohen nga shteti.
Investitori i projektit sipas tabelës së punimeve, që kap vlerën 3.2 milionë dollarë amerikanë, është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) – që në faqen e internetit e deklaron vlerën 6.5 milionë dollarë amerikanë – ndërsa punimet që nisën më 25 shkurt 2025 dhe kanë një afat që përfundon më 25 tetor 2026, duket se janë ende larg përfundimit të tyre.
Sipas AADF projekti po zhvillohet duke marrë në konsideratë kushtet dhe nevojat specifike të kantierit, i cili ndodhet në një zonë publike dhe historike.
“Punimet po vijojnë me ritëm të mirë, me synim përfundimin e tyre brenda afatit të përcaktuar”, shkroi AADF në përgjigjen për komente pyetur nga Amfora.al.
AADF-ja përmes një projekti të mëparshëm restauroi fasadën e ndërtesës me projektin e vitit 2017 dhe tashmë përmes një tjetër projekti po rrafshon pothuajse gjysmën e saj. Paligjshmëria e punimeve të saj në raport me ruajtjen e zbulimeve arkeologjikë dhe të elementeve arktiektonike në atë kohë, alarmoi Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, që hoqi dorë nga marrja në dorëzim e punimeve të AADF-së për disa prej banesave që kishin statusin Monument Kulture brenda zonës historike.
Dokumentet e projektit të Muzeut Hebraik të bëra publike nga AADF-ja dhe pamjet nga kantieri tregojnë se fasada e banesës parashikohet të ruhet, ndërsa struktura dhe volumi pas saj po rikonfigurohen thellësisht, duke rrafshuar një nga banesat simbol të lagjjes ku ndodhet. Së fundmi ndërhyrja ka nxitur edhe reagimin e banorëve, të cilët kanë nisur një peticion për mbrojtjen e Qendrës Historike të Vlorës.
Fasada si kamuflazh e rrafshimit të trashëgimisë kulturore
Muzeu Hebraik Shqiptar u zgjodh të ndërtohej në Vlorë, si një qytet simbol i bashkëjetesës midis këtij komunitetit dhe shqiptarëve fill pas Luftës së Dytë Botërore, deri në rënien e komunizmit në Shqipëri. Ndërtesa e përzgjedhur është ngjitur me Muzeun Etnografik, ku njëkohësisht u themelua edhe ish-Klubi “Labëria” dhe megjithëse janë të ndara, duket se volumet e ndërtimit do të pengojnë një pjesë të mirë të pamjes së Muzeut Etnografik.
Pamjet nga kantieri tregojnë se brendësia e banesës është rrafshuar dhe se në këmbë kanë mbetur vetëm muret e fasadës. Pasi e rrafshoi së brendëshmi – projekti parashikon që këto mure të ruhen dhe të mbrohen, ndërsa pas tyre po ngrihet një strukturë e re prej betoni dhe metali, që përveçse po transformon identitetin e banesës shkel edhe statustin e saj të mbrojtjes ligjore.
“Absolutisht aty nuk duhej ngritur asgjë mbi lartësinë e çatisë ekzistuese të banesës ngjitur me ish-Klubin “Labëria”, shpjegoi në mënyrë kategorike arkitekti Elis Baba.

Sipas AADF-së, projekti i Muzeut Hebraik Shqiptar synon të krijojë në Vlorë një muze bashkëkohor kushtuar historisë së hebrenjve në Shqipëri dhe marrëdhënies së tyre me shqiptarët, me fokus të veçantë te solidariteti, humanizmi dhe mbrojtja e hebrenjve gjatë periudhave të persekutimit.
Sipas AADF-së, muzeu konceptohet jo vetëm si hapësirë ekspozimi, por edhe si një qendër bashkëkohore kulturore dhe edukative, e lidhur me historinë dhe komunitetin lokal, e që synon të kontribuojë në rijetësimin e Qendrës Historike të Vlorës. Por nuk shpjegohet ruajtja e identitetit historik për sa kohë që renderat e projektit paraqesin volume ndërtimi tërësisht të reja që mbivendosen me ndërtesën me status Monument Kulture.
Pikërisht këto volume të reja ndërtimi prej betoni, hekuri dhe xhami, kundërshtohen për pavijonin që do të ngrihet në shesh dhe ura prej xhami. Për arkitektin Elis Baba ato edhe ndërpresin pamjen e ndërtesave historike dhe e vendosin Muzeun Etnografik pas ndërtesës prej xhami.
“Patjetër që në shesh nuk duhej bërë asnjë ndërtim i ri”, theksoi ai kategorikisht.
Nga ana tjetër, eksperti Nikolla Vesho, shpjegoi se përdorimi i betonit të armuar mund të argumentohet me nevojën për konsolidim dhe përforcim sizmik. Megjithatë, sipas tij vetëm ruajtja e fasadës nuk mjafton për të ruajtur autenticitetin e ndërtesës.
“Për të përcaktuar karakterin dhe shkallën reale të kësaj ndërhyrjeje, duhet parë se sa nga struktura origjinale është ruajtur dhe sa prej saj është zëvendësuar apo integruar me strukturën e re”, tha Vesho.
Vetë AADF deklaroi se punimet po kryen sipas projektit të miratuar nga institucionet kompetente.
“Punimet po kryhen në përputhje me projektin e miratuar nga institucionet kompetente të trashëgimisë kulturore dhe të planifikimit, KKTKM dhe KKTU”, shkroi AADF.
Ndryshimi i statusit të monumentit i hapi rrugën rrafshimit
Banesa ku po ndërtohet Muzeu Hebraik, e identifikuar me numrin e skedës 162, fillimisht ishte pjesë e projektit “TID Vlora – Rivitalizimi i Qendrës Historike të Vlorës”, të nisur në vitin 2017 nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe Bashkinë e Vlorës.
Sipas AADF-së, faza e parë, e financuar nga fondacioni përfundoi në vitin 2019, ndërsa faza e dytë, e mbështetur nga Bashkia e Vlorës dhe qeveria shqiptare, përfundoi në vitin 2023. Raporti arkitektonik i Muzeut Hebraik Shqiptar tregon se gjatë ndërhyrjes së parë të AADF-së ishin restauruar të paktën fasada dhe çatia e banesës.
Pas projektit TID godina u përzgjodh për një funksion të ri dhe në shkurt të vitit 2021, kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, njoftoi se ajo do të kthehej në Muzeun Hebraik.
“Ajo që ne kemi zgjedhur të gjithë së bashku, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Amerikan, ka qenë pikërisht kjo godinë, të cilën duam ta shndërrojmë në Muzeun Kombëtar Hebraik”, tha Leli.

E gjithë kjo erdhi pasi vetë bordi i AADF-së një vit më parë e kishte miratuar projektin. Në vitin 2021, kur edhe u njoftua përzgjedhja e godinës për muze, dokumentet publike e paraqisnin atë si monument të kategorisë së parë.
Vetë AADF pranon se në vitin 2018 iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e projektit për ndërtimin e Muzeut Hebraik Shqiptar në Vlorë.
“Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë Vlorë, ajo ka mbështetur fazën kërkimore, fazën e projektimit dhe aktualisht po financon fazën e ndërtimit të muzeut”, shkroi AADF.
Në listën publike të monumenteve të kulturës për qarkun e Vlorës, “Banesa pranë Klubit ‘Labëria’” figuron ende me këtë status sipas vendimit numër 654, të 9 nëntorit 2006. Megjithatë, DRTK Vlorë i tha Amforës se ndërtesa ka statusin e Monumentit të Kategorisë së Dytë.
“Objekti ‘Godina pranë Klubit Labëria’ […] ka statusin ‘Monument Kulture i Kategorisë së II-të’, shpallur me Vendim nr. 537 […] datë 12.12.2022”, shkruhet në përgjigjen e institucionit, i cili referoi faqen e IKTK-së.
Por vendimi numër 537 mungon në faqen e IKTK-së, ku renditja kalon nga vendimi numër 536, tek vendimi numër 538, duke mos arritur kështu që të verifikohet përmes burimeve të hapura vendimi për kalimin e godinës nga kategoria e parë në të dytën.
Megjithatë ky kalim e uli shkallën e mbrojtjes së saj pasi sipas Ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, një Monument i Kategorisë së Parë ruhet në tërësinë e përbërësve arkitektonikë dhe teknikë dhe nuk mund t’i ndryshohen vëllimet, pamjet e jashtme e të brendshme apo zgjidhja planimetrike dhe funksionale.
Ndërsa për Monumentet e Kategorisë së Dytë, ligji kërkon ruajtjen e vëllimeve dhe të përbërjes arkitektonike të pamjeve të jashtme. Nga ana tjetër, dokumentet e përshkruajnë ndërhyrjen mbi gjurmën e banesës, si “rikonstruksion + shtesa”.
“Për një Monument Kulture të Kategorisë II lejohen në parim, ndërhyrje më të gjera krahasuar me një Monument të Kategorisë I, ku kërkesat për ruajtjen dhe konservimin e elementeve autentike janë veçanërisht të larta dhe strikte”, analizoi Nikolla Vesho, inxhinier strukturist dhe doktor i arkitekturës në fushën e restaurimit.
“Në një objekt të Kategorisë II mund të kryhen ndërhyrje, veçanërisht kur ato konsiderohen të nevojshme për konsolidimin, stabilizimin dhe riaftësimin e tij. Megjithatë, edhe në këto raste, ndërhyrja duhet të jetë e argumentuar teknikisht dhe të ruajë sa më shumë të jetë e mundur karakteristikat autentike dhe vlerat e monumentit”, shpjegoi ai më tej.
Në terren, punimet kanë sjellë shtimin e një kati nëntokësor, të një kati mbi ndërtesën ekzistuese, si edhe të një ndërtese të re prej xhami aty pranë. Për këto ndërhyrje, gërmimet kanë shkuar disa metra nëntokë, ndërsa bazamenti është shtruar me beton dhe është përforcuar me pilota që shkojnë në dhjetëra metra thellësi.

“Godina ekzistuese do të plotësohet me një gjysëm kati dhe një kat mbi të, duke arritur kështu në lartësine prej 4 katesh. Volumi i shtuar do të jetë prej xhami struktural duke krijuar kështu jo vetëm një transparencë nga interieri në eksterier por gjithashtu dhe duke identfikuar volumin e shtuar nga ai ekzistues”, shpjegoi zyrtarisht DRTK Vlorë.
“Objektit prej 4 katesh në të cilën do të shtrihet linja e muzeut do t’i bashkëngjitet dhe një volum prej guri i cili do të funksionin e pavilionit. Këto dy volume do të lidhen sëbashku me anën e një ure prej xhami por dhe nga kati nëntokë i cili do të shtrihet në njollën e të dy objekteve”, vijoi përgjigja.
Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), është autoriteti përgjegjës që ka miratuar projektin e “restaurimit”, por në vendimet zyrtare që Amfora lexoi, miratohet projekti dhe kërkohet mbikëqyrja e tyre, por pa përcaktuar se ky projekt ka 2 faza: Ndërhyrja në strukturën e ndërtesës monument, që presupozohej të ishte restaurim sipas ligjit dhe së dyti punimet nëntokësore, që kërkojnë monitorim arkeologjik të dedikuar.
“Shtimi i kateve dhe i volumetrimeve të reja, përfshirë volumin prej xhami dhe urën lidhëse, unë e konsiderojë një krim, absulutishtë që nuk duhet të ishte lejuar”, ngulmoi arkitekti Elis Baba, duke shpejguar më tej se strukturat prej xhami “kamuflojnë” katet, por nuk i zhbëjnë volumet e tyre.
Ndërtesa monument gjendet në veri-perëndim të kompleksit të rrugës “Justin Godard”, pranë kufirit të Zonës Arkeologjike A, që ka kufizime të larta për punimet nëntokësore dhe aktualisht është brenda Zonës Arkeologjike B, që po ashtu kërkon vlerësimin paraprak të nëntokës dhe monitorimin më pas të punimeve.
Amfora identifikoi në vendimin e vitit 2010 për zonifikimin arkeologjik, se në sheshin përpara banesës, disa metra pranë saj është identifikuar potenciali i lartë arkeologjik, përmes zbulimit të rrënojave të një “Kishe Paleokristiane të shekullit VI Pas Krishtit”.
Megjithatë, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale e miratoi projektin me vendimin nr. 189, datë 18 prill 2023, me aplikues studion e arkitekturës “Atelier 4” dhe me zhvillues Ministrinë e Kulturës. Ndërkohë, projekti financohet dhe zbatohet në kuadër të angazhimit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), ndërsa Ministria e Kulturës dhe Bashkia Vlorë figurojnë si përfituese të tij.
Përpara vijimit me intensitet të punimeve në verën këtij viti, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), përmes vendimit numër 202, datë 16 qershor 2026, miratoi “rishikimin pjesor të projektit”. Aty thuhet se ndryshimet lidhen me projektin e mëparshëm të miratuar dhe me “shtyrjen e afatit të punimeve”.
“Në raport me projektin fillestar është ndryshuar tipologjia e themelin të katit nëntokë në pjesën e brendshme të godinës”, shpjegoi Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë. KKTKM i hapi rrugën përmes vendimit të dytë jo vetëm transformimit të strukturës së ndërtesës monument kulture, por edhe të ndërhyrjeve në shtresat arkeologjike nëntokësore, pa shënuar detyrimin për monitorimin e punimeve përmes arkeologëve privatë të licensuar në arkeologji.
“Aktualisht subjekti zbatues ‘R & T’ Sh.P.K., ka vijuar punën për betonimin e traut lidhës perimetral të pilotave, vendosjen e tubave të pajantimit Ø400×10 mm dhe ka vijuar gërmimin deri në kuotën -6.00 m, deri në tabanin e themelit të tipit pllakë b/a C25/30 50 cm”, shpjegonte një raport i DRTK-së së Vlorës drejtuar ministrisë.
Ndërsa sipas AADF, në përputhje me legjislacionin në fuqi, punimet e ndërtimit mbikëqyren për aspektet që lidhen me trashëgiminë kulturore nga DRTK Vlorë.
“Që në fazën e projektimit dhe gjatë zbatimit të punimeve, kompanitë projektuese dhe ndërtuese të angazhuara nga AADF-ja disponojnë dokumentacionin dhe licencat e kërkuara nga legjislacioni për elementet e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike, si dhe kanë në ekipet e tyre specialistët përkatës”, shtoi AADF.
Ndonëse deklaron se ndan ndjeshmërinë në lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe mbetet e përkushtuar ndaj misionit për mbrojtjen dhe promovimin e saj, AADF nuk ndërmoi hapa për verifikim në lidhje me problematikat e ngritura.
Kështu, projekti rrafshoi portën hyrëse, murin perimetral dhe vetë strukturën e brendshme të banesës monument kulture, duke arritur deri në gërmimin në 6 metra thellësi në perimetrin e saj.
“Nga pikëpamja konstruktive, dokumentimi i terrenit tregon një ndërhyrje me rikonfigurim të konsiderueshëm të sistemit mbajtës, ku krahas elementeve ekzistuese historike evidentohen elemente të reja strukturore, kryesisht prej betoni të armuar”, analizoi Vesho, duke theksuar se duhet një raport i thelluar për të vlerësuar se sa është ruajtur autenticiteti i ndërtesës.
Ndërsa në sheshin përpara saj, ende i panjohur nga ana arkeologjike dhe me një potencial të lartë, punimet po ashtu shkuan në thellësi, duke krijuar themelin për ngritjen e ndërtesës lidhëse prej xhami.
“Projekti i ri nuk shton vetëm një kat mbi lartësinë e objektit të banesës, por shton në total diku tek 3-4 po të marrim zonën në brendësi që është në kufi midis Muzeut Etnografik dhe pjesës më të lartë të banesës. Pra aty kemi një shtrim volumetrie gjigande”, shpjegoi arkitekti Baba.
Banesa pranë ish-Klubit “Labëria”, kategorizohet si një banesë qytetare e shekullit XIX dhe në kartelën e monumentit lidhet me emrin e pronarit, “Shyqëri Korabi”.
Objekti kishte një sistem tradicional konstruktiv, me mure mbajtëse prej guri, ndërsa muret e brendshme ndarëse ishin realizuar me qerpiç.
Çatia ishte me konstruksion druri dhe e mbuluar me tjegulla vendi. Pikërisht përdorimi i qerpiçit, drurit dhe teknikave tradicionale të ndërtimit e bënte strukturën e brendshme veçanërisht të ndjeshme dhe kërkonte ndërhyrje restauruese të kujdesshme.

AADF ishte ndër aktorët e parë që ndërhyri në shkallë të gjerë në Qendrën Historike të Vlorës përmes projektit “TID Vlora”, me një financim prej rreth 5.5 milionë dollarësh. Punimet, të përfunduara në vitin 2019, përfshinë ndërhyrje në Ansamblin e Rrugës “Justin Godard”, Kullën e Sahatit, Muzeun Historik, Rrugën Hebraike, Muzeun Etnografik dhe zona të tjera të qendrës historike. Projekti synonte rijetësimin urban dhe turistik të zonës, por ndërhyrjet u zhvilluan në një territor me potencial të lartë arkeologjik, ku punimet nxorën në sipërfaqe struktura, fragmente muresh dhe materiale arkeologjike.
Sipas dokumentimit të mëparshëm të Amforës, gjatë projektit të AADF-së që nisi në vitin 2017 dhe ndërhyrjeve në rrjetin e kanalizimeve, u zbuluan trakte muresh dhe fragmente qeramike, kryesisht të periudhës osmane, ndërsa në disa raste punimet rezultuan se nuk kishin respektuar projektet e miratuara.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, refuzoi në atë kohë marrjen në dorëzim të punimeve të AADF-së për disa banesa me status monument kulture, duke evidentuar mungesë dokumentacioni, mosrespektim të projektit dhe punime të pakryera. Teksa ndërhyrja për Muzeun Hebraik Shqiptar ka shfaqur kontestime edhe projekti i parë i rivitalizimit të qendrës historike u shoqërua me problematika në zbatim dhe në respektimin e kërkesave të institucioneve të trashëgimisë.
Ndërhyrja ka nxitur edhe reagimin e një grupi banorësh, të cilët kanë nisur një peticion për mbrojtjen e Qendrës Historike të Vlorës. Në tekstin e tij, ata kundërshtojnë ndërtimet e reja në shesh, me argumentin se do t’i lënë në hije dy godinat historike ekzistuese.
“Trajtimi i kësaj zone duhet të ishte një projekt i vetëm, integrues dhe restaurues për të gjithë bllokun historik”, thuhet në peticion.

Ndërsa vetë AADF tha se “respekton të drejtën e qytetarëve për të shprehur opinionet dhe shqetësimet e tyre”, duke iu përgjigjur kështu kërkesës së Amforës.
Aq i lartë ishte reagimi sa në fillim u shoqërua me keqinformim, ku kjo ndërtesë në të cilën po ndërtohet Muzeu Hebraik Shqiptar, pranë Muzeut Etnografik të Vlorës, u paraqit në rrjete sociale dhe media si godina historike e Klubit Patriotik “Labëria”. Teksa dokumentet e projektit dhe aktet e Këshillit Bashkiak të Vlorës tregojnë se bëhet fjalë për dy objekte të veçanta.