Arsenali pranë varrezave masive në Zubin-Potok, hetohet lidhja e armëve me krimet e luftës
Arsenali i sekuestruar në Zubin-Potok përfshin dhjetëra armë, mijëra fishekë dhe mjete shpërthyese, të gjetura pranë zonave ku janë zbuluar tri varreza të dyshuara masive. Armët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve për të përcaktuar origjinën, përdorimin dhe lidhjen e mundshme me krimet e luftës që po hetohen.
Arsenali i armëve i sekuestruar në Zubin-Potok. Foto: Telegrafi
Policia e Kosovës sekuestroi 4,831 fishekë, dhjetëra armë, mjete shpërthyese dhe pajisje ushtarake gjatë operacioneve të zhvilluara në zonën e Zubin-Potokut. Arsenali u gjet në 12 lokacione pranë zonave ku janë zbuluar tri varreza të dyshuara masive.
Detajet u bënë publike të enjten, gjatë një konference për shtyp në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, e transmetuar drejtpërdrejt nga disa media në Kosovë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se operacionet për zbulimin e armëve ilegale u zhvilluan nga 6 deri më 17 gusht, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës.
Armatimi u gjet në 12 lokacione të ndryshme dhe, sipas autoriteteve, do t’i nënshtrohet analizave të detajuara për të përcaktuar origjinën, përdorimin dhe lidhjet e mundshme me rastet nën hetim.
Mes materialeve të konfiskuara ishin mitralozë, armë AK-47, armë të tjera të gjata, pushkë gjuetie, pistoleta, granata, mjete shpërthyese dhe detonatorë. Policia ekspozoi gjithashtu uniforma ushtarake e policore, radiolidhje, dylbi, pjesë armësh dhe dokumentacion.
Rëndësia e gjetjes lidhet me hetimet që po zhvillohen në të njëjtën zonë. Gërmimet nisën më 28 korrik, pas një hetimi dyvjeçar për dyshime për krime lufte. Në tri lokacione janë evidentuar mbetje kockore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 personave, ndërsa identifikimi i plotë pritet të bëhet pas ekzaminimeve mjeko-ligjore.
Institucionet e Kosovës dyshojnë se mbetjet mund t’u përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur më 19 prill 1999, të njohur si “Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”. Identiteti i mbetjeve nuk është konfirmuar ende.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se ekziston edhe dyshimi që një pjesë e armëve të gjetura mund të jetë përdorur në këtë rast.
“Këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive, te rasti i grupit të intelektualëve, por këto mbeten që të verifikohen”, tha Hoxha gjatë konferencës.
Armët, municionet, uniformat dhe materialet e tjera të sekuestruara u vendosën në ambientet e Qendrës së Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, ku policia i paraqiti gjatë konferencës për shtyp.
Pasojat e luftës vijojnë të mbeten të hapura në Kosovë, veçanërisht për familjet që kërkojnë të afërmit e tyre. Sipas listës së publikuar në korrik nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, 1,578 persona rezultojnë ende të zhdukur me dhunë. Për periudhën nga 1 janari 1998 deri më 20 qershor 1999, Instituti ka dokumentuar 12,230 viktima të luftës. Lista është e para e hartuar në nivel institucional dhe vijon të përditësohet me dokumente dhe dëshmi të reja.