Mbi 950 milionë lekë për mbetjet në Durrës, protestë në Spitallë për grumbullimin pranë banesave
Bashkia Durrës ka në buxhet mbi 950 milionë lekë për menaxhimin e mbetjeve, ndërsa parashikon edhe ndërtimin e një stacioni transferimi. Në terren, banorët e Spitallës protestuan të enjten, duke denoncuar se prej vitesh jetojnë me erën e rëndë dhe mbetjet e grumbulluara pranë banesave.
Protesta e banorëve në Spitallë, Durrës. Foto: Bashkëpunëtor i Medias Amfora
Banorët e zonës pranë ish-parkut të autobusëve në Durrës protestuan të enjten kundër grumbullimit të mbetjeve pranë banesave të tyre, duke kërkuar largimin e tyre nga zona.
“Ka mbi tre vjet që nuk hapen dritaret dhe ballkonet në këtë zonë”, u shpreh një prej banorëve gjatë protestës, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre nuk lidhej me arsye politike.
Në këtë zonë funksionon një pikë ku shkarkohen mbetjet e mbledhura nga zona të ndryshme të qytetit, përpara transportimit të tyre. Në këtë pjesë të lagjes nr. 15 jetojnë rreth 300 familje. Banorët thanë se problematika vazhdon prej vitesh dhe se ankesat e tyre nuk kanë sjellë zgjidhje.
Një tjetër banore tregoi se era e mbetjeve është kthyer në problem të vazhdueshëm për familjet që jetojnë pranë pikës së grumbullimit.
“Ne jemi banorë të kësaj zone, por nuk hapim dot dritaret sepse është një erë që nuk durohet. Ne këtu po rrisim fëmijët tanë, këtë shtëpi e kemi blerë me djersë, nuk na e ka falur askush, kështu që bashkia të marrë masa të largohen sa më parë plehrat nga këtu”, tha ajo.
Banorët thanë se u janë drejtuar më herët institucioneve. Sipas dëshmisë së një prej tyre, përgjigjja që kanë marrë ka qenë se bëhet fjalë për mbetje ditore, të cilat transportohen vazhdimisht.
“Kemi vite që kemi bërë ankesa dhe nuk janë marrë masat”, tha një prej banoreve.
Problematika ngrihet ndërkohë që menaxhimi i mbetjeve zë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të Bashkisë Durrës. Në dokumentin përfundimtar të Programit Buxhetor Afatmesëm 2026-2028, për programin “Menaxhimi i mbetjeve” shkruhet se janë planifikuar 950.9 milionë lekë për vitin 2026.
Nga kjo shumë, 425.8 milionë lekë janë parashikuar për shpenzimet e personelit, 506.9 milionë lekë për shpenzime të tjera korrente dhe 18.09 milionë lekë për shpenzime kapitale.
Më 21 prill 2026, Bashkia Durrës prezantoi edhe draft-Planin Vendor të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2026-2031, të hartuar në bashkëpunim me Institutin e Kërkimeve Urbane dhe me mbështetjen financiare të programit Italo-Shqiptar të Konvertimit të Borxhit, IADSA II.
Sipas Bashkisë, dokumenti përmban masa për përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbetjeve dhe një analizë të situatës aktuale, ndërsa mes objektivave strategjike për të ardhmen është përfshirë edhe ndërtimi i një stacioni transferimi.
Draft-plani mbështetet, sipas institucionit, në reduktimin e mbetjeve, rikuperimin e burimeve, mbrojtjen e mjedisit dhe përfshirjen e komunitetit.
Nga informacionet publike të deritanishme nuk rezulton se pika ku grumbullohen aktualisht mbetjet në Spitallë është stacioni i transferimit i parashikuar në draft-plan.
Ndërsa Bashkia planifikon ndryshimin e sistemit për vitet 2026-2031, banorët kërkojnë zgjidhje për situatën aktuale.
“Nuk po durojmë dot më, nuk jetojmë dot më kështu. Nuk na kanë dhënë asnjë lloj përgjigjeje, nuk kanë marrë asnjë lloj mase”, u shpreh një prej banoreve gjatë protestës.
Mbetjet urbane të Durrësit transportohen për depozitim në landfillin e Sharrës, në Tiranë, që prej vitit 2021. Menaxhimi i mbetjeve në Durrës është bërë edhe objekt auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili konstatoi se në vitin 2022 kostot e këtij shërbimi përbënin 29.3% të buxhetit total të Bashkisë, ndërsa për një ton mbetje të menaxhuar shpenzoheshin 15,300 lekë, afërsisht tri herë më shumë se në bashkitë e tjera të audituara. KLSH rekomandoi analizimin e kostove të larta dhe shqyrtimin e alternativave të depozitimit në distanca më të afërta.
Ndërkohë, çështja që lidhet me kontratën koncesionare për “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese, Tiranë” ka qenë objekt i hetimeve të SPAK. Më 2 korrik 2026, Prokuroria e Posaçme njoftoi dërgimin për gjykim të një pjese të dosjes që lidhet me këtë kontratë.
Gjatë protestës, banorët tentuan të bllokonin edhe hyrjen e mjeteve që transportojnë mbetjet, ndërsa Bashkia Durrës nuk kishte reaguar publikisht lidhur me protestën deri në publikimin e këtij shkrimi.