Raporti i KLSH-së evidentoi problematika me fondet publike dhe investimet e Ministrisë së Kulturës
Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi problematika në politikat, financimet dhe investimet në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, gjatë auditimit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Gjetjet prekën nga Strategjia e Kulturës dhe financimi i projekteve artistike, te Bonusi i Rijetëzimit dhe ndërhyrjet në disa objekte të trashëgimisë kulturore.
Hyrja e godinës së Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Foto: Media Amfora
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) kreu nga 14 tetori 2025 deri më 2 shkurt 2026 auditimin financiar dhe të përputhshmërisë në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, institucion që aktualisht funksionon si Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Auditimi përfshiu periudhën nga 1 janari 2022 deri më 17 shtator 2025, ndërsa raporti përfundimtar u publikua në prill 2026.
Një prej problematikave të evidentuara lidhej me Strategjinë Kombëtare për Kulturën dhe mënyrën e monitorimit të zbatimit të saj.
“Objektivat e strategjisë për artin dhe kulturën nuk janë zbatuar në mënyrë efektive dhe nuk është ngritur një mekanizëm për monitorimin e saj”, konstatoi KLSH.
Auditimi evidentoi mangësi edhe në procedurat e vlerësimit dhe financimit të projekteve në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. KLSH konstatoi se veprimtaria e strukturave të vlerësimit nuk dokumentohej dhe argumentohej në mënyrë të plotë, ndërsa mungonte gjurma e auditimit për diskutimet, vlerësimet dhe pikëzimin e projekteve.
“Financimi i projekteve është realizuar në përqindje të ndryshme (deri në 100% të vlerës), pa u mbështetur në kritere të formalizuara dhe pa evidencë të gjurmueshme të arsyetimit të vendimmarrjes”, thuhet në raport.
Gjetjet e auditimit shtriheshin nga politikat dhe financimi i kulturës te investimet në objekte konkrete. Raporti trajtoi Strategjinë e Kulturës, fondet për artin dhe kulturën dhe Bonusin e Rijetëzimit, si dhe investimet apo ndërhyrjet në Mozaikun e Tiranës, Urën e Matit, Galerinë Kombëtare/Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura, sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve dhe Qendrën e re multifunksionale për edukimin artistik të fëmijëve.

Në këto çështje, KLSH evidentoi problematika që lidhen me planifikimin dhe zbatimin e investimeve, procedurat e prokurimit dhe konkurrimit, zbatimin e kontratave, administrimin e fondeve publike dhe respektimin e kërkesave ligjore e rregullatore.
Në përfundim të fazës së auditimit në terren, grupi i KLSH-së la 14 aktkonstatime dhe një aktverifikim. Në raportin përfundimtar, grupi i auditimit konstatoi 26 masa organizative, gjashtë masa dëm ekonomik dhe tre masa për eliminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe për menaxhimin me ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet të fondeve publike. Këto masa i referohen auditimit të ministrisë në tërësi dhe jo vetëm sektorit të kulturës.
Auditimi financiar dhe i përputhshmërisë kishte për objekt edhe vlerësimin e respektimit të ligjeve, rregulloreve dhe kushteve kontraktuale, përdorimin e burimeve publike, funksionimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe raportimin financiar të institucionit.
Për raportin reagoi në rrjetet sociale edhe kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, e cila akuzoi ministrin Blendi Gonxhja dhe ministrinë për “mungesë vizioni, mungesë planifikimi dhe mungesë rregullash” në administrimin e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Sipas deputetes, mangësitë e evidentuara në strategjinë, monitorimin dhe administrimin e fondeve krijojnë terren për “vendimmarrje pa standarde, financime pa transparencë dhe administrim të dobët të pasurisë kulturore”.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit nuk kishte reaguar publikisht ndaj deklaratës së Zhupës për raportin e KLSH-së.