SPAK dërgon për gjykim kryebashkiakun e Kolonjës për tenderin e rrugës Korçë-Ersekë

Një hetim katërvjeçar i SPAK çoi në ngritjen e akuzave ndaj kryetarit të Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, dhe zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për shkelje në procedura prokurimi publik. Sipas hetimeve, një nga tenderat e hetuar për rrugën Korçë-Ersekë i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 590 milionë lekësh.

Foto e Rrugës Korçë–Ersekë. Foto: Media Amfora

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dërgoi për gjykim kryetarin e Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, dhe 11 persona të tjerë, mes tyre ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, për shkelje në procedura prokurimi publik që lidhen me tenderin e rrugës Korçë-Ersekë dhe procedura të tjera të zhvilluara nga Bashkia Kolonjë dhe ARRSH.

“Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga ekspertimi teknik vlerësues dhe kontabël, ka rezultuar se fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë procedurë prokurimi është fryrë në vlerën 590,213,874 lekë, që përbën edhe dëm ekonomik të shkaktuar shtetit”, thuhet në njoftimin e SPAK shpërndarë për mediat të premten.

Sipas SPAK, Erion Isai akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryera në bashkëpunim. Për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” janë marrë të pandehur edhe ish-zëvendëskryetarja e Bashkisë Kolonjë, Eljona Mydini, ish-drejtori i ARRSH-së, Ergys Verdho, si dhe disa ish-zyrtarë të këtij institucioni. Ndërkohë, punonjës të Bashkisë Kolonjë akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe shkelje të barazisë në tendera publikë, ndërsa administratorja e kompanisë “A&E Engineering”, Entela Çano, është marrë e pandehur për falsifikim dokumentesh.

Sipas SPAK, pjesa më e rëndësishme e çështjes lidhet me procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2, me një fond limit prej afro 2.9 miliardë lekësh. Hetimet janë përqendruar te mënyra e hartimit të projektit, përllogaritja e kostove dhe procedurat e ndjekura nga institucionet përgjegjëse për zhvillimin e tenderit.

“Në lidhje me projektin e paraqitur si nismë e Bashkisë Kolonjë, nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar në të cilat paraqitet e kundërta”, njoftoi SPAK.

Sipas prokurorisë, nga veprimet hetimore ka rezultuar se dokumentacioni i paraqitur për projektin nuk pasqyronte gjendjen reale, ndërsa dy punonjës të Bashkisë Kolonjë dhe administratorja e kompanisë “A&E Engineering” dyshohet se kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit. Hetimi pretendon se mbi këtë dokumentacion janë mbështetur më pas procedura të rëndësishme të tenderit.

Në kërkesën për gjykim, SPAK akuzon gjithashtu zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar se nuk kanë ndjekur procedurat ligjore për përcaktimin e fondit limit. Sipas hetimit, preventivi që shërbeu për llogaritjen e kostove është përgatitur mbi të dhëna të paraqitura nga administratorja e kompanisë “A&E Engineering”, subjekt që më vonë fitoi kontratën për mbikëqyrjen e punimeve në të njëjtin objekt.

Hetimi përfshin gjithashtu procedurën e prokurimit për supervizimin e punimeve në rrugën Korçë-Ersekë. Sipas SPAK, anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me ligjin duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për kompaninë “A&E Engineering”.

Një tjetër episod i përfshirë në dosje lidhet me procedurën për mbikëqyrjen e punimeve në ujësjellësin e Ersekës dhe disa fshatrave përreth. Prokuroria pretendon se fondi limit, specifikimet teknike dhe dokumentet standarde të tenderit janë hartuar në mënyrë të tillë që të favorizonin të njëjtin operator ekonomik. Sipas hetimit, ofertat e përdorura për studimin e tregut kanë qenë fiktive, ndërsa kriteret e tenderit janë përcaktuar sipas kërkesave të subjektit fitues.

Procedimi penal është regjistruar në vitin 2020 dhe hetimet kanë zgjatur rreth katër vjet. Pas përfundimit të hetimeve SPAK ka kërkuar që çështja të kalojë për shqyrtim në Gjykatën e Posaçme, e cila do të vendosë mbi akuzat e ngritura ndaj të pandehurve.