Lev Vigotsky: Çdo fëmijë është një gjeni
Jeni habitur ndonjëherë nga një i rritur që sillet si fëmijë apo nga ndonjë fëmijë që sillet si i rritur? Një psikolog rus me emrin Lev Vigotsky i dedikoi jetën kësaj habie dhe arriti në përfundimin se njeriu ka dy mosha, atë biologjike dhe mendore. Secili fëmijë është potencialisht një gjeni, por i tillë bëhet vetëm ai që ka rreth e qark një ambient që ia nxjerr jashtë gjenialitetin e tij, si dhe ai që grumbullon gjatë rritjes përvojat më të mira.
Fëmijë duke mësuar. Burimi: Pexels
Në një Rusi të trazuar nga ndryshime të mëdha politike, ideologjike dhe shoqërore, lindi një djalë i cili, edhe pse nuk përmendet shumë nga tekstet e shkollave, do të revolucionarizonte mënyrën e të menduarit në shkencat humane.
Ai quhej Lev Vigotsky dhe nuk ishte thjesht një psikolog, por një njeri që kuptoi (ndoshta i pari) se mendja njerëzore nuk zhvillohej në boshllëk – ajo rritej në mes të njerëzve, në mes të diskutimeve, kulturës, pra në mes të shoqërisë. Vigotsky e pa zhvillimin njerëzor si një proces të thellë shkëmbimi.
Ndryshe nga shumë teoricienë të kohës së tij, ai nuk besonte se fëmija rritej vetëm duke mësuar nga përvoja personale apo duke ndjekur një cikël biologjik të paracaktuar.
Ai besonte se fëmija e krijon personalitetin e tij përmes kontaktit me tjetrin. Kjo ide e thjeshtë, por tronditëse për kohën, do ta bënte atë një nga figurat më me ndikim në psikologjinë e shekullit XX.
Shoqëria si laboratori i mendjes
Në thelb të filozofisë së Vigotskyt qëndron koncepti që zhvillimi njohës është një proces shoqëror. Ai thoshte se çdo funksion psikologjik – kujtesa, të menduarit, vëmendja – lind fillimisht si një proces social dhe vetëm më vonë bëhet individual.
Nëse një fëmijë mëson të zgjidhë një problem matematikor, fillimisht ai e bën këtë me ndihmën e një të rrituri: mësuesit, prindit apo një shoku më të aftë. Me kohë, mënyra e të menduarit të tjetrit bëhet pjesë e mënyrës së tij të të menduarit.
Pra, njohuria nuk është një pasuri (apo pasurim) privat, por një trashëgimi e përbashkët kulturore që çdo brez e përvetëson përmes ndërveprimit.
Kjo qasje ishte revolucionare sepse sfidonte teoritë dominante të kohës, si ajo e Jean Piaget-it, i cili e shihte zhvillimin mendor si një proces biologjik të brendshëm të individit.
Vigotsky, përkundrazi, e shihte mendjen si një produkt kulturor, një strukturë që merr formë në marrëdhënie me botën shoqërore që ka përballë dhe me të cilën është në kontakt.
“Zona e Zhvillimit të Afërt”
Një nga idetë më të njohura të Vigotskyt është Zona e Zhvillimit të Afërt (ang. “Zone of Proximal Development” apo ZPD). Ai e përshkruante këtë si distancën mes asaj që fëmija mund të bëjë vetëm dhe asaj që mund të bëjë me ndihmën e dikujt tjetër.
Në këtë hapësirë të ndërmjetme ndodh zhvillimi i vërtetë. Nuk është mësimi i tepërt që ndihmon, as ai shumë i pakët, por pikërisht marrëdhënia me mësuesin, prindërit dhe shokët. Në këtë sens, Vigotsky i dha mësuesit një rol thelbësor: jo si transmetues informacioni, por si udhëheqës i procesit të mendimit, si një “partner në eksplorim”.
Kur një mësues i shpjegon një koncept nxënësit, ata të dy janë në “zonën e zhvillimit të afërt”: njëri mëson, tjetri ndihmon; por edhe ndihmësi mëson diçka për mënyrën se si të tjerët mësojnë. Kështu, mësimi bëhet një proces i dyfishtë i rritjes intelektuale.
Gjuha si ura midis mendjes dhe botës
Për Vigotskyn, gjuha ishte instrumenti më i fuqishëm i mendjes. Ai besonte se përmes fjalëve ne nuk shprehim vetëm mendime – ne i krijojmë ato.
Në fillim, fëmija përdor gjuhën për të komunikuar me të tjerët (p.sh. “mami, dua ujë!”), por me kohë ai mëson ta përdorë atë për të komunikuar me veten dhe më vonë kjo transformohet në mendim të brendshëm.
Ky proces është si ndërtimi i një ure që e lidh botën e jashtme me atë të brendshme. Gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi; është mjeti për të ndërtuar vetëdijen, vetveten. Pa gjuhë, nuk do të mund të organizonim mendimet tona, të planifikonim apo të reflektonim.
Kjo ide ka ndikime të mëdha në edukim: mësuesit që e kuptojnë këtë përdorin dialogun si mjet për të nxitur të menduarit. Diskutimi, pyetjet, bisedat – këto nuk janë thjesht aktivitete klasike, por mekanizma zhvillimi mendor. Dija nuk jepet, ajo ndodhet tashmë brenda secilit në pritje për të dalë jashtë tij.
Instrumentet psikologjike dhe kultura
Një tjetër ide thelbësore e Vigotskyt është ajo e instrumenteve psikologjike – mjete mendore që njerëzit krijojnë për të kontrolluar dhe përmirësuar proceset e tyre njohëse. Gjuha është më e rëndësishmja, por ka edhe të tjera: shkrimi, numrat, simbolika, arti, ritet fetare, madje edhe mjetet teknologjike.
Përmes këtyre instrumenteve, njeriu nuk lidhet më drejtpërdrejt me realitetin si kafshët, por përmes një rrjeti simbolesh kulturore dhe teknologjike. Pra, çdo akt mendimi është në një farë mënyre i ndërmjetësuar nga kultura dhe teknologjia.
Në këtë kuptim, Vigotsky ishte një mendimtar thellësisht humanist: ai pa te njeriu të vetmen qenie që mund të kishte pavarësi nga natyra, madje ta fabrikonte atë.
Mosha biologjike dhe ajo mendore
Lev Vigotsky e kuptoi herët se zhvillimi mendor nuk është vetëm një proces biologjik që ndodh vetvetiu, si për shembull rritja e flokëve apo e kockave. Trupi rritet me kohën, por mendja rritet vetëm përmes kontaktit me tjetrin dhe mbi të gjitha përvojës.
Ai bëri dallimin e qartë midis moshës biologjike, që përcaktohet nga proceset natyrore të trupit, dhe moshës mendore, që përcaktohet nga mënyra se si njeriu mëson, përjeton dhe kupton botën përreth.
Në mendimin e tij, përvoja është ajo që aktivizon potencialet e mendjes. Dy fëmijë mund të kenë të njëjtën moshë biologjike, por të kenë zhvillim mendor krejt të ndryshëm në varësi të përvojave që kanë pasur.
Njëri mund të ketë jetuar në një mjedis të pasur me biseda, lojëra, libra dhe njerëz që e nxisin të mendojë; tjetri mund të ketë përjetuar mungesë stimulimi, frikë apo izolim. Për Vigotskyn, këto ndryshime përvojash formësojnë vetë strukturën e mendjes.
Ai nuk e shihte përvojën thjesht si diçka që shton njohuri, por si një fuqi që ndryshon mënyrën e të menduarit dhe të relacionuarit. Përvoja shoqërore, sidomos ndërveprimi me njerëz më të aftë, është themeli mbi të cilin ndërtohet zhvillimi mendor.
Pikërisht për këtë arsye ai thoshte se mësimi paraprin zhvillimin – përvoja e re krijon mundësi të reja mendimi, të cilat më pas stabilizohen në struktura të qëndrueshme njohëse. Në thelb, Vigotsky na mëson se mosha mendore nuk matet me vite, por me përjetime.
Një njeri që jeton shumë, por pa reflektim e ndërveprim, mund të mbetet fëmijë në mendje; ndërsa një fëmijë që është ekspozuar ndaj përvojave të pasura, dialogut dhe sfidave, mund të tregojë një pjekuri që i tejkalon vitet. Kështu, përvoja për Vigotskyn është jo vetëm mësuese, por forca që formëson vetë mendjen njerëzore.
Një jetë e shkurtër, një ndikim i gjatë
Vigotsky jetoi vetëm 37 vjet. Ai vdiq në vitin 1934 nga tuberkulozi, por në atë kohë kishte shkruar më shumë se shumë njerëz që jetuan trefish më gjatë. Idetë e tij u censuruan për një kohë të gjatë në Bashkimin Sovjetik, sepse mendimi i tij nuk përputhej plotësisht me doktrinën marksiste zyrtare të kohës.
Ai ishte një armik në Rusi sepse nuk iu nënshtrua kurrë neo-inkuizicionit bolshevik. Vetëm dekada më vonë, në vitet ’60, psikologët perëndimorë zbuluan thesarin që Vigotsky kishte lënë pas.
Sot, idetë e tij janë themel i shumë praktikave moderne të edukimit dhe psikologjisë. Mësimdhënia bashkëpunuese, tutorimi, mësimi përmes dialogut – të gjitha mbështeten në parimet e tij.
Ai i mësoi botës se truri nuk rritet në izolim, por në marrëdhënie me të tjerët; se çdo fëmijë është një mundësi dhe një gjeni, nëse i jepet udhëheqja e duhur.