Shqipëria në Bordin e Paqes: Të thënat dhe të pathënat

Shqipëria bëhet pjesë e Bordit të Paqes, duke marrë një rol të ri në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë dhe paqes. Ndërkohë, retorika e Kryeministrit për këtë rol të ri, lë për të dëshiruar.

Është e rrallë, thuajse e pandodhur, për një udhëheqës të një vendi të korruptuar e jo demokratik që të kritikojë një kandidat për President në vendin që udhëheq planetin demokratik, SHBA-në.

Sidoqoftë, kjo ndodhi në vitin 14 prill të vitit 2016, kur në një intervistë për median prestigjioze amerikane CNN (Cable News Network), Kryeministri Rama e deklaroi atëherë kandidatin për president Donald Trump si një “rrezik për Amerikën dhe botën demokratike”.

Retorika si anëtare e Bordit të Paqes

Retorika e Ramës pas ftesës në D.C., në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, është kontradiktore me retorikën e tij në vitin 2016.

Në takimin e djeshëm në D.C., Edi Rama falënderoi Presidentin Trump për zgjidhjen e konfliktit në Gaza, si dhe kërkoi ndihmën e tij në nxjerrjen e heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga paraburgimi në Gjykatën e Hagës.

Është me rëndësi politike për Shqipërinë që Rama t’i thurë lavde Trumpit dhe një mendje e ftohtë politike bie dakord me këtë veprim të Ramës, por vlen gjithashtu të thuhet se Rama nuk duhet t’i kishte nxjerrë asnjëherë nga goja deklaratat e tij kundër Trump në kohën kur Trump kandidonte.

Politikanët e vendeve aleate të SHBA janë gjithnjë të kujdesshëm kur mbështesin ose jo kandidatë për president në SHBA. Vijimësia e shtetndërtimit dhe ngritjes së institucioneve demokratike të Shqipërisë ka qenë gjithmonë e varur nga aftësia e udhëheqjes shqiptare për të pasur marrëdhënie të mira me administrata demokrate e republikane ne SHBA.

Kur Shqipëria apo ndonjë vend tjetër aleat i SHBA pozicionohet në mënyrë të hapur pro një kandidati përpara një tjetri, frakturon marrëdhëniet SHBA–Shqipëri në rast se kandidati kundërshtar zgjidhet President i SHBA.

Krahasimi me Kosovën

Gjatë takimit të mbajtur ditën e djeshme, Presidenti Trump e përmendi emrin e Edi Ramës për fare pak sekonda, ndërkohë që lavdëroi punën e presidentes Osmani të Republikës së Kosovës, e cila si duket ka krijuar një marrëdhënie të mirë me presidentin Trump në emër të Kosovës, duke shmangur recetat bombastike mbi përmirësimin e nivelit të demokracisë amerikane nga vende jodemokratike.

Presidenti Trump sqaroi se ka zgjidhur konfliktin Kosovë–Serbi, si dhe ftoi Presidenten Osmani ta kontaktojë atë sa herë ka ndonjë problem.

Kujtojmë se Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet vende të Ballkanit Perëndimor që kanë pranuar ftesën, duke iu bashkuar në Ballkan Sllovenisë, Kroacisë, Rumanisë e Bullgarisë, që gjithashtu janë ftuar për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes. Serbia ndërkohë nuk është ftuar për t’u bërë pjesë e organizatës.

Ftesat në Ballkan për Bordin e Paqes. Burimi: KosData

Roli i Shqipërisë në organizatë

Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në Bordin e Paqes. 1 miliard dollarë të taksave të qytetarëve shqiptarë do të derdhen në arkat e kësaj organizate, si kusht për pjesëmarrjen e Shqipërisë në të. Shqipëria do të jetë gjithashtu një nga vendet pjesëmarrëse në “Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese”, një forcë ushtarake paqeruajtëse e mandatuar me ruajtjen e paqes në Rripin e Gazës.

Sipas planit, Gaza do të përfitojë një paketë ndihme 7 miliardë dollarë nga Kazakistani, Azerbajxhani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Maroku, Bahreini, Katari, Arabia Saudite, Uzbekistani dhe Kuvajti.

Paketa e ndihmës, e kombinuar me Forcën Stabilizuese, do të përgatisë terrenin për një polici e qeverisje palestineze mbi territorin e Gazës.

Politika e brendshme në Shqipëri

Edi Rama nuk po e anëtarëson Shqipërinë në Bordin e Paqes për interesa të Shqipërisë, por për interesat e tij vetjake. Ai sot është në momentin më të vështirë të tij politik në 13 vite qeverisje, me SPAK që kërkon pezullimin e krahut të tij të djathtë, Belinda Ballukut, e që me gjasa mund të kërkojë dhe pezullimin e vetë kryeministrit me akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Ndërkohë, për më shumë se 1 vit ka pak, thuajse aspak, marrëdhënie midis kryeministrit dhe zyrtarëve të SHBA, gjë që tregon se aleati ynë i madh strategjik ndjek me shqetësim korrupsionin galopant dhe mbrojtjen politike të tij, mbrojtje që po kulminon me ndryshimet e pritura në Kodin Penal, për të ndaluar pezullimin e zyrtarëve të lartë nga Prokuroria e Posaçme.

Aferat e Unazës së Tiranës, aksit Thumanë–Kashar e Qukës–Qafë Plloç, tunelit të Llogarasë, si dhe dosja e AKSHI-t, kanë goditur legjitimitetin e mazhorancës qeverisëse në sytë e institucioneve ndërkombëtare si “Transparency International”, e cila e rendit Shqipërinë 11 vende më poshtë në indeksin e perceptimit të korrupsionit krahasuar me vitin e kaluar.

Perceptimi i korrupsionit në Ballkan sipas Transparency International. Burimi: KosData

Shqetësimet për korrupsionin qeveritar dhe presionin politik ndaj drejtësisë u risollën në vëmendje edhe nga Eurodeputeti David McAllister, i cili përmendi raportin e Transparency International, ndërkohë që ditën e sotme ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, i bëri thirrje politikës shqiptare të ndalë sulmet ndaj SPAK-ut dhe drejtësisë.

Tabloja e përgjithshme

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes është me rëndësi historike e strategjike për Shqipërinë. Sidoqoftë, ky anëtarësim nuk është sukses i politikës së jashtme shqiptare, por produkt i nevojës që aleati ynë i madh strategjik SHBA ka për t’i mbajtur aleatët afër, duke përfshirë edhe Shqipërinë.Bordi i Paqes nuk mund të jetë mburojë për politikanë të korruptuar.