Raporti i ‘Global Economic Prospects’: Ekonomia globale, rritje e ulët dhe borxh i lartë

Raporti evidenton rritjen e ngadaltë të ekonomisë botërore, rimëkëmbjen e pabarabartë pas pandemisë, si dhe tensionet gjeopolitike si barriera për zhvillimin ekonomik.

Raporti i përvitshëm i Global Economic Prospects (GEP) ka dalë në përfundimin se rritja ekonomike e globit është ngadalësuar.

Gjendja e ekonomisë globale

Sipas raportit, në vitin 2025 ekonomia e botës u rrit me 2.7% dhe në vitin 2026 pritet një rritje prej 2.6%. Ky ritëm rritjeje është më i ulëti që nga viti 1980. 

Raporti evidenton se rritja ekonomike varet nga disa faktorë, duke përfshirë tarifat tregtare midis vendeve, pasigurinë politike dhe rënien e stokut të kompanive tregtare. 

Masat proteksioniste dhe pasiguria politike parandalojnë biznesin nga investimet kapitale, të cilat krijojnë vende pune e rrjedhimisht rritje ekonomike.

Rritja ekonomike globale. Të dhënat e perpunuara nga Media Amfora

Pabarazi mes vendeve

Në raport evidentohet se vendet e përparuara e kanë kaluar ekonomikisht pandeminë, ndërkaq që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vendet në zhvillim apo të varfra. 

Sipas raportit, 90% e ekonomive të avancuara kanë tejkaluar të ardhurat për frymë të periudhës para pandemisë, ndërkohë që më shumë se 25% e vendeve në zhvillim dhe më shumë se 33% e vendeve të pazhvilluara kanë të ardhura për frymë më të ulëta sesa para pandemisë.

 

Rekuperimi ekonomik pas pandemisë. Të dhënat e perpunuara nga Media Amfora

Ndërkaq, ekonomitë e vendeve të varfra prodhojnë të ardhura për frymë sa 1% e të ardhurave të vendeve të pasura. Diferenca zbret, por mbetet sërish e lartë tek vendet në zhvillim, të ardhurat për frymë të së cilave janë 12% e vendeve të pasura.

Hendeku i të ardhurave ne botë. Të dhënat e përpunuara nga Media Amfora

Pasiguria gjeopolitike

Që nga viti 2022, arkitektura e rendit aktual botëror është goditur, me impakt edhe në ekonominë globale. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sjellë probleme në zinxhirin e ofertës, si dhe ka destabilizuar tregjet e naftës dhe gazit natyror. 

Ndërkohë, proteksionizmi ekonomik, në formën e tarifave tregtare, është gjithnjë e më në modë, duke shtrenjtuar çmimet e artikujve të konsumit dhe duke sjellë rritje më të ulët ekonomike.

Kriza e punësimit

Sipas raportit, brenda vitit 2035, rreth 1.2 miliardë të rinj në vendet në zhvillim do të hyjnë në tregun e punës, në një kohë kur rritja ekonomike e atyre vendeve nuk gjeneron dot mjaftueshëm vende pune për të punësuar këta të rinj. 

Kjo shpjegohet edhe me papunësinë e lartë në këto vende, duke përfshirë edhe Shqipërinë, si dhe shpjegohet me emigrimin e fuqisë punëtore drejt vendeve të pasura, të cilat hasin problemin e kundërt: shumë vende pune, por një fuqi punëtore gjithnjë e më shumë në rënie, e cila kompensohet me flukse migratore drejt këtyre vendeve.

Tregu i punes ne botë. Të dhënat e përpunuara nga Media Amfora

Borxhi i lartë mbetet sfidë

Raporti vë re se borxhi i lartë është barrierë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Sipas raportit, borxhi i vendeve në zhvillim është më i larti në 55 vite. Ndërkaq, borxhi global qëndron aktualisht në mbi 300 trilionë dollarë, dhjetëra fish më i lartë se Prodhimi i Brendshëm Bruto i SHBA. 

Borxhi i lartë përkthehet në taksa më të larta për qytetarët e vendeve, të cilat shkojnë për të financuar interesin e këtij borxhi. Këto taksa më të larta gërryejnë fuqinë blerëse të konsumatorit, si dhe godasin aftësinë e sipërmarrjes për të investuar kapital që krijon mirëqenie dhe vende pune. 

Raporti rekomandon përpilimin dhe implementimin e rregullave fiskale që ulin borxhin publik, nxisin përgjegjësinë fiskale dhe ngjallin besueshmëri tek institucionet.