Rasti i Vërnikut: Gjurmët e bullgarëve të Devollit

Vërniku, i banuar historikisht nga pakica bullgare, ka përjetuar shpopullim masiv, humbje të shërbimeve bazë dhe rrezik zhdukjeje të identitetit kulturor e gjuhësor pas viteve ’90. Vërniku mbetet një dëshmi e gjallë e bashkëjetesës shqiptaro-bullgare dhe nevojës urgjente për ruajtjen e trashëgimisë së pakicave.

Vërniku ndodhet 187 km nga Tirana, 33 km nga Korça, 7 km nga Bilishti dhe vetëm 3 km nga vija kufitare shqiptaro-greke. Historikisht, fshati është banuar nga pakica bullgare.

Para vitit 1990, Vërniku kishte rreth 500 banorë, por ndryshimet politike dhe ekonomike bënë që shumica e banorëve të largohen për në Bilisht, Korçë, Tiranë, por edhe në Greqi, Itali, Bullgari, vendet e tjera të BE-së, SHBA-së dhe Kanada.

Përgjatë tranzicionit politik, Vërniku humbi gradualisht funksionet bazë të jetës komunitare: Shkollat dhe shërbime shëndetësore u mbyllën, ndërsa infrastruktura mbeti e pazhvilluar. Gjithashtu, banorët e mbetur përballen me mungesën e ujit dhe investime të reja publike, duke e bërë jetesën gjithnjë e më të vështirë.

Megjithatë, rëndësia e Vërnikut nuk lidhet vetëm me demografinë, por edhe me rolin historik të pakicës bullgare në fshat. Rëndësia historike lidhet me praninë e banorëve që u vendosën në rajon rreth shekujve VII–IX.

Pozicioni gjeografik, afërsia me qëndrat mesjetare në Ballkan si Selaniku, Prilepi, Devolli, Kosturi, Prespa, Pogradeci dhe Ohri, rruga Egnatia, karakteri rural dhe roli i kryepeshkopatës bullgare të Ohrit ndihmuan ruajtjen e identitetit kulturor dhe gjuhësor të komunitetit, duke e mbrojtur nga asimilimi.

Në fillim të shekullit të XIX, kisha e Shën Gjergjit u ndërtua. Kisha e Shën Gjergjit pësoi disa restaurime të ndryshme gjatë historisë, siç ishte ai e vitit 1903 pas djegjes së fshatit gjatë revolucionit të Ilindenit. Sot kisha ndodhet në një gjendje kritike dhe kërkon restaurimin e saj nga institucionet kulturore. Gjithashtu, në këtë fshat, festa të ndryshme shqiptare dhe bullgare si “Shën Petka” por edhe dasmat, mblidhnin të gjithë banorët e fshatit bashkë.

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, banorët e Vërnikut kërkuan hapjen e shkollave dhe institucioneve në gjuhën bullgare. Arkivat ruajnë letra të shumta, përfshirë një letër të vitit 1939 drejtuar mbretëreshës së Bullgarisë, Xhovana, që tregon dëshirën për përdorimin e gjuhës bullgare në institucionet politike, shkollore dhe fetare.

Më vonë, gjatë periudhës komuniste, banorët u deklaruan si pakicë maqedonase, por megjithatë ruajtën brez pas brezi kulturën, besimin në kishën ortodokse bullgare si dhe gjuhën e tyre, duke përdorur alfabetin bullgar, si dhe alfabetin shqip.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, popullsia e Vërnikut ra nga 360 banorë në vitin 1993 në 30 banorë në vitin 2025. Me këtë degradim, edhe dialekti bullgar i Vërnikut rrezikon zhdukjen, së bashku me identitetin unik të fshatit.

Investimi i fundit nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë ishte projekti i shtrimit dhe ndërtimit të rrugës kryesore Bilisht-Vërnik në vitin 2019. Deri në 2026, asnjë projekt tjetër nuk është planifikuar nga qeveritë shqiptare dhe bullgare.

Sot, Vërniku mbetet një dëshmi e gjallë e një historie që rrezikon të humbasë, duke treguar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore të pakicave. Historia e këtij fshati tregon se gjuha, besimi, identiteti dhe kultura mund të mbijetojnë edhe përkundër emigrimit masiv dhe presionit politik, duke e bërë Vërnikun një simbol të gjallë të lidhjes së shqiptarëve dhe bullgarëve në Ballkan.