Plotini dhe lindja e neoplatonizmit
Plotini përfaqëson një nga figurat më të rëndësishme të filozofisë së antikitetit të vonë dhe themeluesin e asaj që njihet si neoplatonizëm. Jeta e tij, megjithëse e mbështjellë me pak të dhëna biografike, reflekton një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj filozofisë si mënyrë jetese dhe si rrugë shpirtërore.
Foto e Plotinus. Burimi: Pexels
I lindur në Egjipt rreth fillimit të shekullit të tretë, Plotini u formua intelektualisht në Aleksandri, një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të botës antike.
Aty ai studioi për vite me radhë filozofi nën drejtimin e filozofit Ammonius Sakkasit, një mësues enigmatik, me ndikim të jashtëzakonshëm edhe në formimin e Origjenit, një nga etërit më të rëndësishëm të krishterimit.
Ndryshe nga shumë filozofë të kohës së tij, Plotini nuk u interesua për famë publike apo për ndërtimin e një shkolle formale. Kur u vendos në Romë, ai u bë mësues i një rrethi të kufizuar nxënësish, të cilët e ndoqën jo vetëm për mprehtësinë e tij intelektuale, por edhe për autoritetin moral dhe mënyrën asketike të jetesës.
Filozofia, për Plotinin, nuk ishte thjesht një disiplinë teorike, por një ushtrim i vazhdueshëm i shpirtit për t’u çliruar nga shpërqendrimet e botës së ndjeshme.
Shkrimet e tij u mblodhën pas vdekjes nga nxënësi Porfir dhe u organizuan në gjashtë grupe nga nëntë traktate, të njohura si Eneadat.
Këto tekste nuk janë një sistem i ndërtuar me qëllim enciklopedik, por reflektime të thella mbi natyrën e realitetit, shpirtit dhe njohjes. Megjithatë, nga kjo shumësi tekstesh del një sistem metafizik i jashtëzakonshëm për nga koherenca dhe thellësia.
Në thelb të këtij sistemi qëndron një realitet i konceptuar në rrathë koncentrik ku në qëndër të tij qëndron ideja e njëshi(greqisht “to hen”), parimi absolut i gjithçkaje. Njëshi nuk është një qenie midis të tjerave, as një Zot antropomorf. Ai është përtej qenies dhe përtej mendimit.
Çdo përpjekje për ta përshkruar pozitivisht e kufizon, prandaj Plotini përdor një gjuhë negative për ta menduar: Njëshi nuk ka formë, nuk ka cilësi, nuk ka ndarje. Ai është unitet i pastër dhe plotësi absolute.
Nga njëshi rrjedh realiteti nëpërmjet një procesi që Plotini e përshkruan si “emanacion”. Ky nuk është një akt vullnetar krijimi, por një rrjedhje e domosdoshme e plotësisë drejt niveleve më pak të përsosura.
Njëshi mbetet i pandryshuar, ndërsa prej tij buron niveli i dytë i realitetit: Nous, ose intelekti hyjnor. Sipas sistemit neoplatonian pra Nous është “emanacion” (pra rrezatim) i njëshit. Ajo është sfera e ideve të përjetshme.
Përfaqëson botën inteligjente, ku mendimi dhe qenia përkojnë. Ndryshe nga njëshi, Nous përmban brenda vetes shumësi, por kjo shumësi – pra këto ndarje – është e rregulluar dhe harmonike.
Çdo ide ekziston në lidhje të brendshme me të tjerat, duke formuar një tërësi të vetëdijshme qeniesh. Nous mendon vetveten dhe në këtë akt vetë-reflektiv vendoset struktura themelore të realitetit.
Nga Nous rrjedh shpirti, i cili ka një rol ndërmjetës midis botës së Nous dhe botës së ndjeshme. Shpirti është parimi i jetës, lëvizjes dhe rendit në univers. Ai shikon drejt intelektit për orientim, por vepron në botën materiale duke i dhënë asaj formë dhe organizim. Për Plotinin, bota materiale nuk është produkt i një gabimi apo i një force të ligë, por shprehje e fundit e rendit metafizik.
Materia, si niveli më i ulët i qenies, është aty ku forma është më e zbehtë. Kjo e çon Plotinin në një konceptim specifik të së keqes. E keqja nuk është një substancë dhe as një parim i pavarur.
Ajo është mungesë e së mirës, dobësim i rendit dhe i formës. Sa më larg njëshit, aq më e madhe është kjo mungesë. Në këtë mënyrë, Plotini shmang çdo dualizëm radikal dhe mbron idenë e një universi në thelb të mirë.
Filozofia e Plotinit ka edhe një dimension të thellë etik dhe shpirtëror. Qëllimi i jetës njerëzore është kthimi i shpirtit drejt burimit të tij. Shpirti njerëzor, edhe kur është i zhytur në botën materiale, ruan një lidhje të brendshme me Nousin.
Filozofia ka për detyrë ta zgjojë këtë lidhje përmes pastrimit moral, disiplinës dhe kontemplimit.
Në thelb të pastrimit moral qëndron thjeshtësia. “Aphele ta pantha”(“Zhvishuni nga çdo gjë”), thërret Plotini tek Eneadat. Nesë qëllimi i jetës është bashkimi me njëshin, dhe ai është qënie e kulluar dhe e thellësisht e thjeshtë, ashtu duhet të jemi edhe ne.
Ngjitja shpirtërore nuk realizohet përmes riteve të jashtme, por përmes një transformimi të brendshëm. Plotini përshkruan përvojën e bashkimit me njëshin si një gjendje që tejkalon mendimin diskursiv.
Në këtë përvojë, dallimi midis subjektit dhe objektit zhduket. Është kulmi i jetës filozofike, ku mendimi dhe qenia përputhen në unitet të plotë.
Në këtë mënyrë, neoplatonizmi i Plotinit nuk është vetëm një teori metafizike, por një vizion gjithëpërfshirës i jetës. Ai bashkon ontologjinë, etikën dhe mistikën në një sistem të vetëm, ku filozofia bëhet rrugë drejt njohjes së vetvetes dhe të realitetit absolut.
Neoplatonizmi dhe krishtërimi
Marrëdhënia midis neoplatonizmit dhe krishterimit është një nga temat më të rëndësishme të historisë së mendimit perëndimor. Edhe pse Plotini nuk ishte i krishterë dhe nuk shkroi drejtpërdrejt për doktrinën e krishterë, idetë e tij u bënë një burim i rëndësishëm konceptual për teologët e krishterë të antikitetit të vonë.
Ngjashmëria kryesore qëndron në idenë e një realiteti absolut dhe transhendent. Njëshi i Plotinit dhe Zoti i krishterimit ndajnë karakterin e tejkalimit të botës së krijuar. Po ashtu, koncepti neoplatonik i së keqes si mungesë e së mirës u përvetësua gjerësisht në teologjinë e krishterë, veçanërisht nga Agustini, sepse lejonte ruajtjen e mirësisë absolute të Zotit.
Megjithatë, dallimet janë thelbësore. Neoplatonizmi nuk pranon krijimin nga asgjëja; realiteti rrjedh në mënyrë të përjetshme nga parimi i parë. Krishterimi, përkundrazi, thekson një akt krijimi të lirë dhe historik. Po ashtu, për Plotinin, shpëtimi është rezultat i përpjekjes filozofike dhe kontemplative, ndërsa krishtërimi thekson hirin hyjnor dhe marrëdhënien personale me Zotin.
Një tjetër dallim i rëndësishëm është karakteri personal i Zotit të krishterimit, në kontrast me njëshin jopersonal të neoplatonizmit. Kjo bën që, edhe pse krishtërimi përdori terminologji neoplatonike, ai të mos reduktohej kurrë në një sistem filozofik të pastër.
Megjithatë, dialogu midis dy traditave ishte jashtëzakonisht pjellor dhe ndikoi thellë në formimin e teologjisë dhe filozofisë mesjetare.
Neoplatonizmi dhe gnosticizmi
Ndryshe nga marrëdhënia me krishterimin, raporti i neoplatonizmit me gnosticizmin është kryesisht polemik. Gnosticizmi karakterizohet nga një dualizëm i fortë midis botës shpirtërore dhe asaj materiale, ku kjo e fundit shpesh shihet si e ligë.
Plotini e kundërshtoi këtë vizion. Për të, universi nuk mund të jetë i ligë, sepse buron nga një parim absolutisht i mirë. Materia nuk është e keqe në vetvete, por niveli më i ulët i pjesëmarrjes në të mirën. Të shohësh botën si burg të shpirtit është, sipas tij, një keqkuptim filozofik.
Gnosticizmi thekson shpëtimin përmes njohurive të fshehta dhe elitare. Plotini e refuzon këtë ide, duke argumentuar se rruga filozofike është e hapur për çdo qenie racionale. Nuk ka nevojë për zbulesa sekrete, sepse struktura e realitetit është e kuptueshme përmes arsyes.
Megjithëse ekzistojnë ngjashmëri sipërfaqësore, si theksi mbi njohjen dhe kthimin shpirtëror, dallimet janë thelbësore. Neoplatonizmi mbron unitetin dhe racionalitetin e universit, ndërsa gnosticizmi shpesh përfundon në një ndarje radikale të realitetit.
Në përfundim, polemika e Plotinit kundër gnosticizmit synon të mbrojë idenë se realiteti, në të gjitha nivelet e tij, ka rend dhe kuptim, dhe se filozofia është një rrugë e hapur drejt së vërtetës, jo një privilegj i fshehtë.
Neoplatonizmi dhe ndikimi mbi mendimin islam
Neoplatonizmi, si traditë filozofike, nuk u kufizua vetëm brenda kornizave të mendimit greko-romak, por ndikoi edhe mendimin islam të mesjetës. Në veçanti, puna e Plotinit dhe e nxënësve të tij, e transmetuar përmes përkthimeve arabe të teksteve filozofike, u bë themel për filozofinë islame, duke ndihmuar në krijimin e një kornize spekulative për të menduar realitetin, hyjnores dhe njohjen.
Një nga elementët kryesorë që u pranua nga filozofët myslimanë ishte koncepti i emanacionit. Ndryshe nga një krijim i drejtpërdrejtë dhe historik, ideja neoplatonike se gjithçka rrjedh nga një parim i lartë dhe absolut përmes niveleve të ndërmjetme, u shndërrua në një mjet teorik për të menduar marrëdhënien midis Zotit dhe botës.
Filozofë si Al-Farabi dhe Avicena (Ibn Sina) e përvetësuan këtë koncept, duke e përshtatur në një kontekst teologjik islam, ku njëshi i Plotinit korrespondonte me Allahun, ndërsa Nousi dhe shpirti shërbenin për të shpjeguar mënyrën se si dijet dhe rendi universalist ndikojnë në botën materiale.
Një tjetër ndikim i rëndësishëm është hierarkia e qenies. Në neoplatonizëm, universi strukturohet nga njëshi drejt botës materiale përmes shkallëve të ndërmjetme.
Ky model u integrua në filozofinë islame për të konceptuar engjëjt, shpirtin dhe mënyrën se si Zoti ndërvepron me krijesën. Kjo i mundësoi mendimit islam të përshkruante një rend të qëndrueshëm dhe hierarkik, duke harmonizuar metafizikën me etiken dhe teologjinë.
Kontemplimi dhe njohja shpirtërore, që janë qendrore në neoplatonizëm, gjithashtu gjetën pasqyrim në mistikën islame, veçanërisht në sufizëm. Ideja e “ngjitjes” së shpirtit drejt njëshit përmes përqendrimit, vetëdisiplinës dhe vetëpërmbajtjes u përkthye në praktika të ngjashme sufiste, ku bashkimi me të hyjin shihet si kulmi i përvojës shpirtërore.
Kjo tregoi se konceptet neoplatonike mund të mbijetonin dhe të transformoheshin brenda një tradite tjetër fetare, duke ruajtur thelbin filozofik, por duke u përshtatur me sensin teologjik dhe praktik.
Në përfundim, ndikimi i neoplatonizmit mbi mendimin islam tregon aftësinë e filozofisë antike për të kaluar kufijtë kulturorë dhe fetarë.
Konceptet e unitetit, emanacionit dhe hierarkisë së qenies, të kombinuara me vizionin për njohjen shpirtërore, i dhanë filozofëve myslimanë mjete për të konceptuar botën, shpirtin dhe marrëdhënien midis krijuesit dhe krijesës në një mënyrë koherente, harmonike dhe shpirtërisht të pasur.
Neoplatonizmi, kështu, u bë një urë intelektuale që lidhte traditën greke me botën islame, duke ushqyer filozofinë, mistikën dhe teologjinë brenda një tradite të re.