Pirro i Elis dhe skepticizmi si çlirim

Përmes parimit të pezullimit të gjykimit (epoché), Pirro refuzon çdo pretendim për të vërtetë të sigurt dhe e orienton filozofinë drejt një etike të qetësisë shpirtërore (ataraksisë), ku liria fitohet duke hequr dorë nga dogma dhe nevoja për përgjigje përfundimtare.

Pirro i Elis lindi rreth vitit 360 p.e.s. në qytetin Elis, në Peloponez, një qendër relativisht periferike në krahasim me Athinën, por me traditë kulturore të qëndrueshme. 

Burimet për jetën e tij janë të pakta dhe fragmentare, gjë që është në përputhje me karakterin e filozofisë që ai mishëron.

Sipas dëshmive të ruajtura në traditën doksografike dhe të përmbledhura në burimet enciklopedike moderne, Pirro fillimisht u formua si piktor, përpara se t’i kushtohej filozofisë.

Ky fakt, edhe pse shpesh i anashkaluar, është domethënës: ai sugjeron një marrëdhënie jo dogmatike me formën dhe përfaqësimin, që më vonë do të gjejë shprehje në qëndrimin e tij skeptik ndaj realitetit.

Ngjarja më e rëndësishme në jetën e Pirro ishte pjesëmarrja e tij në fushatën ushtarake të Aleksandrit të Madh drejt lindjes, ku ai shoqëroi Anaksarkun, një filozof i lidhur me traditën e filozofit Demokrit.

Gjatë kësaj ekspedite, Pirro thuhet se u përball me forma të ndryshme mendimi, përfshirë praktika filozofike dhe fetare indiane dhe persiane.

Edhe pse këto ndikime nuk mund të dokumentohen në mënyrë të sigurt, burimet bien dakord se përvoja e udhëtimit luajti një rol kyç në formimin e qëndrimit të tij radikal ndaj dijes dhe gjykimit.

Pas kthimit në Elis, Pirro jetoi një jetë jashtëzakonisht të thjeshtë, pa themeluar një shkollë formale dhe pa lënë pas shkrime. Ai u bë figurë e njohur për sjelljen e tij indiferente ndaj rrezikut kombëtar, shqetësimeve shoqërore dhe gjykimeve morale të kohës. 

Sipas traditës, qytetarët e Elis e nderuan atë me poste publike, megjithëse ai vetë mbeti larg çdo ambicieje politike. Pirro vdiq rreth vitit 270 p.e.s., duke lënë pas jo një doktrinë të shkruar, por një model jetese që do të bëhej themeli i skepticizmit antik.

Filozofia e Pirro përfaqëson një ndërprerje radikale me ambicien tradicionale të filozofisë greke për të arritur njohuri të sigurt mbi realitetin.

Ndryshe nga Platoni dhe Aristoteli, të cilët kërkonin themele ontologjike dhe epistemologjike të qëndrueshme, Pirro vë në dyshim vetë mundësinë e një themelimi të tillë.

Sipas dëshmive të ruajtura, thelbi i qëndrimit të tij është se gjërat janë, nga natyra e tyre, të papërcaktuara, të paqëndrueshme dhe të paarritshme nga gjykimi i sigurt njerëzor. Çdo pohim mbi atë se si janë gjërat në vetvete është i barabartë, në vlerë epistemike, me mohimin e tyre.

Nga kjo premisë rrjedh parimi qendror i skepticizmit: pezullimi i gjykimit (nw greq. “epoché”). Pirro nuk pretendon se asgjë nuk ekziston, as se njohuria është e pamundur në mënyrë absolute. Ai refuzon të pohojë çfarëdo gjëje në mënyrë dogmatike. Çdo gjykim mbi realitetin has kundërgjykimin e tij me të njëjtën forcë.

Përballë kësaj barazpeshe argumentesh, qëndrimi racional nuk është zgjedhja e njërës anë, por pezullimi i plotë i gjykimit. Ky pezullim nuk është një akt teorik i ftohtë, por ka një qëllim etik të qartë.

Sipas traditës pirroniane, nga epoché rrjedh ajo që grekët e quanin ataraksia, një gjendje qetësie shpirtërore dhe mungese shqetësimi. Njeriu vuan jo për shkak të gjërave vetë, por për shkak të gjykimeve që bën mbi to.

Duke hequr dorë nga pretendimi për të ditur se çfarë janë gjërat në të vërtetë, njeriu çlirohet nga ankthi që lind nga gabimi, zhgënjimi dhe konflikti dogmatik.

Në këtë pikë, filozofia e Pirro dallon qartë nga ajo e Epikurit dhe e stoikëve, edhe pse ndan me to synimin e qetësisë shpirtërore. Epikuri e kërkon ataraksinë përmes njohjes së natyrës dhe kufizimit racional të dëshirave.

Stoicizmi, i themeluar pak më vonë nga Zeno i Citiumit, e kërkon atë përmes jetesës në përputhje me arsyen dhe virtytin. Pirro, përkundrazi, refuzon çdo pretendim për njohje të natyrës ose të rendit racional të botës.

Qetësia arrihet jo duke e kuptuar botën, por duke hequr dorë nga nevoja për ta kuptuar atë.

Megjithatë, skepticizmi nuk është nihilizëm praktik. Pirro nuk mohon jetën e përditshme, perceptimin apo veprimin. Ai pranon se njeriu jeton sipas zakonit, ndjesive dhe ligjeve, por pa u angazhuar teorikisht me to.

Jeta vazhdon edhe pa leksione metafizike. Kjo ndarje midis jetës praktike dhe pretendimeve teorike është një nga aspektet më radikale të mendimit të tij.

Në kontrast me këtë qëndrim, stoicizmi i hershëm, i themeluar nga Zeno i Citiumit dhe i zhvilluar nga pasardhës si Kleantes dhe Krisipus, kërkon të vendosë themele të forta ontologjike dhe etike. Stoicizmi pohon se realiteti është i rregulluar nga logosi dhe se njeriu, si qenie racionale, mund dhe duhet ta njohë këtë rend.

Pikërisht ky pretendim për njohje të rendit të botës është ajo që skepticizmi e refuzon në mënyrë sistematike nga Pirro. Ai nuk debaton drejtpërdrejt me stoikët, por pozicioni i tij përbën një sfidë themelore ndaj çdo shkolle që pretendon të ketë gjetur kriterin e së vërtetës.

Filozofia e Pirro është, në thelb, antikonformiste. Ajo nuk ndërton apo ruan sistem, nuk propozon parime të para dhe nuk ofron doktrina pozitive. Fuqia e saj qëndron pikërisht në këtë refuzim.

Në një botë greke të karakterizuar nga pasiguri politike, rënie të institucioneve tradicionale dhe konkurrencë shkollash filozofike, skepticizmi shfaqet si një përgjigje radikale ndaj mbingarkesës dogmatike.

Në përfundim, Pirro i Elisit nuk është themelues i një sistemi filozofik në kuptimin klasik, por një qëndrim filozofik.

Ai zhvendos fokusin e filozofisë nga kërkimi i së vërtetës objektive drejt menaxhimit të jetës subjektive. Duke refuzuar pretendimin për njohuri të sigurt, ai propozon një formë lirie negative: lirinë nga detyrimi për të pasur përgjigje.

Pikërisht kjo e bën Pirron një nga figurat më radikale dhe më destabilizuese në historinë e mendimit filozofik perëndimor.