Investitorët strategjikë, si mjet i dezinformimit ekonomik

Praktika ekonomike e investitorëve strategjikë iu shitet shqiptarëve si motor zhvillimi. Në realitet, ajo ka shërbyer si mekanizëm për transferimin e pasurisë publike drejt interesave private, pa prodhuar mirëqenie për familjet shqiptare dhe pa ndikuar në rritjen e ekonomisë produktive.

Fenomeni i investitorëve strategjikë, i trumpetuar nga qeveria si zgjidhje për problemet ekonomike të shqiptarëve, është prezent në çdo vend ish-komunist, por në mënyrë të veçantë në Shqipëri.

Mirazhi ekonomik

Para pak kohësh, Kryeministri Rama prezantoi të ashtuquajturën “Paketa e Maleve“. Ky program parashikon faljen e tokës publike për 1 euro tek biznesmenë që qeveria i quan investitorë strategjikë, për të ndërtuar vila e bujtina në sektorin e turizmit dhe agroturizmit.

Sigurisht që ky program vjen në kuadër të 34 viteve tranzicion politik dhe ekonomik, ku privatizimi u transformua nga motori i nevojshëm i ekonomisë së drobitur shqiptare pas komunizmit, në modelin e mbrapshtë ekonomik, sipas të cilit edhe funksione bazë të shtetit, si policimi, shërbimi shëndetësor, shërbimi arsimor, mbledhja e taksave, ndërtimi i rrugëve, jepen me qira koncesionare tek agjentë privatë.

Edi Rama ia ka shitur publikut shqiptar privatizimin e publikes si përparim dhe zhvillim ekonomik. Këtu qëndron dezinformimi, duke ditur që familjet shqiptare përfitojnë pak, thuajse aspak, ekonomikisht nga këto projekte.

Shteti dhe privati

Arsyeja që komunizmi nuk funksionon është centralizimi i prodhimit: asnjë shtet nuk mund të bëjë dot atë që disa kompani e bëjnë në konkurrencë me njëra-tjetrën në një treg të hapur. Kur shtetit i lëmë në dorë prodhimin e bukës, nuk ka më bukë. Ndërkohë, privati ka aftësinë ta prodhojë artikullin e konsumit në masë, me cilësi të lartë e kosto të ulët.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për shërbime bazë të shtetit, si arsimi fillor, shëndetësia bazë, rendi publik, mbledhja e taksave etj. Regjimi neoliberal është i bindjes se shteti duhet të funksionojë si kompani private dhe se buxheti i shtetit duhet menaxhuar si ai i një familjeje.

Problemet me këtë logjikë janë dy. Së pari, shteti nuk ekziston për të dalë me fitim, por për të zbatuar ligjin dhe siguruar mirëqenien e qytetarëve të vet. Së dyti, shteti, nëpërmjet Bankës Qendrore, ka aftësinë të krijojë paranë nga ajri, nëpërmjet procesit të printimit të parasë. Kjo e lejon shtetin të shpenzojë më shumë pa menduar për balancat fiskale.

Neoliberalët mendojnë se duke privatizuar, shteti ul barrën e shpenzimeve, duke ulur deficitin në buxhetin e shtetit. Neoliberalët gjithashtu janë të bindjes që duke ua dhënë pronën shtetërore privatëve për bujtina, shtetit do t’i hiqet barra për të menaxhuar një pronë me të cilën nuk di ç’të bëjë, ndërkohë që ekonomia do të përfitojë nga vendet e punës dhe taksat e paguara. Kuptohet, kësaj logjike i mungon nuanca dhe përputhja me realitetin shqiptar.

Realiteti pas investimeve strategjike

Format e kalimit të pronës publike tek privati janë tre: privatizimet, partneritetet publike-private (PPP) dhe investimet strategjike. Edhe pse nuk ka asgjë të gabuar teorikisht me këto tre praktika, në rast se zbatohet ligji dhe kriteret e përcaktuara në ligj, realiteti shqiptar tregon një tjetër histori.

Marrim rastin e Bankers Petroleum, e vënë nën sekuestro së fundmi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për shkak të një gjobe prej 120 milionë eurosh të papaguar, si pasojë e mosdeklarimit të akcizës së naftës. Kjo nuk është hera e parë që Bankers vihet nën lupën e hetuesisë publike, duke ditur që në tetor 2025, Prokuroria e Fierit e akuzoi se kishte paguar zero taksa, pavarësisht se kishte shitur 5 miliardë euro naftë gjatë aktivitetit të saj në Shqipëri.

Mjafton të kujtohet që Bankers u prezantua në vitin 2004 nga Qeveria Nano, si nxjerrësja e re e naftës shqiptare. Të mirat e këtij aktiviteti, Shqipëria nuk i ka parë, duke ditur që mbetet një prej vendeve më të varfra të Ballkanit dhe Europës, me rritjen në nivelin ekonomik që nuk ka ardhur nga nxjerrja e naftës.

Ndërkaq, nëse shteti shqiptar do të bashkëmenaxhonte naftën e shqiptarëve dhe do të ishte strikt në grumbullimin e taksave nga nafta, nxjerrja e pasurisë do të përkthehej në rrugë, shkolla e spitale më të mira për shqiptarët.

Dëmi ekonomik i kompanisë Bankers Petroleum ndaj shtetit shqiptar. Llogaritjet të kryera nga Media Amfora

Një situatë e ngjashme shihet me përdorimin e minierave nga kompanitë e huaja, kryesisht turke. Kompanisë “Tete Albania“ i janë dhënë me koncesion disa miniera, duke përfshirë edhe Spaçin, ku minatorët së fundmi protestuan për kushtet e këqija të punës dhe mungesën e pagesave, në një kohë kur funksionarët e huaj turq, e jo vetëm, paguhen shumë më tepër pa kontribuar në procesin nxjerrës.

Si në çdo regjim korporatiko-oligarkiko-neoliberal, kur minatorët ngrihen për kushte më të mira pune, arrestohen e shoqërohen nga policia në shërbim të kapitalit të madh. Ky model qeverisjeje nuk ka lidhje me demokracitë perëndimore të tregut, por me modelin Jeltsin, i emërtuar pas Boris Jeltsin, presidenti i parë i Rusisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Përpos vjedhjeve dhe abuzimeve me Kodin e Punës, privatizimet e pas viteve ’90 në Shqipëri u shoqëruan me një prej masakrave më të mëdha ekonomike: shkatërrimin e mbi 500 uzinave dhe fabrikave në emër të privatizimeve, si dhe me ligjin 7501, që pronën e zaptuar nga komunistët për 45 vite ia dha privatëve të lidhur me pushtetin pas rënies së sistemit, duke zhytur “pronarët“ e rinj në konflikt me pronarët e vërtetë të parakomunizmit. Qartësisht, privatizimet nuk kanë funksionuar në Shqipëri.

Partneritetet Publike Private (PPP)

Privatizimet nuk janë e vetmja formë e faljes së pronës e pasurisë publike. Të ashtuquajturat “Partneritetet Publike Private“ (PPP) janë trumpetuar si mënyra e financimit të projekteve të cilat shteti i vogël e i varfër shqiptar nuk i bën dot.

Sa herë që inaugurohen rrugë të ndërtuara dhe të vjedhura me PPP, tamtamet qeveritare tregojnë mitingjet inauguruese të mbushura plot, duke dhënë idenë e përfitimit të gjithanshëm qytetar nga ndërtimi i rrugës. Shembujt ndërkohë na tregojnë se rrugët më shumë vidhen sesa ndërtohen.

Rasti i fundit i tenderit të Tunelit të Llogarasë, një rrugë prej 5.9 km, por me një kosto të frikshme prej afro 180 milionë eurosh, të tregon abuzimet ekonomike me PPP-të.

S’do mend që asnjë rrugë me një distancë aq të vogël nuk të kushtojë aq shumë, edhe sikur të mos jesh ekonomist apo ekspert infrastrukture. Mjafton të shohësh kostot e rrugëve në Kosovë, ku sipas të dhënave 42 km rrugë ndërtohen edhe me 7.9 milionë euro, për të kuptuar që në Shqipëri vidhet me tenderat e PPP-ve.

Kosto e rrugës në Shqipëri vs Kosovë. Te dhënat e përpunuara nga Media Amfora

Për të mos folur pastaj për akset Qukës–Qafë Plloçë, Thumanë–Kashar, ku dëmi ekonomik ndaj taksapaguesit shqiptar, i shkaktuar nga karteli oligarki–shtet i kapur, është mbi 1 miliard euro.

Abuzimet me PPP-të e të korruptuarve nuk bëhen vetëm me rrugët, por edhe me projektet në bujqësi e mjedis. Abuzimi 33 milionë euro me fondet e IPARD bëri që Bashkimi Evropian të ndalonte dërgesën e fondeve për fermerët shqiptarë, fonde që po vidheshin nga sipërmarrje pranë qeverisë.

Ndërkohë, skandali më i madh është ai i inceneratorit të Tiranës, për të cilin SPAK ka marrë disa funksionarë të pandehur, por për të cilin Bashkia e Tiranës paguan 90.000 euro/dita për incenerimin e plehrave, në një kohë kur inceneratori nuk ekziston.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit konkludoi se në 9-mujorin e parë të vitit 2022, 1.1 miliardë euro u shpërdoruan me tendera dhe PPP, që me matematikë të thjeshtë përkthehen në rreth 36 miliardë euro që i mungojnë shtetit shqiptar nga abuzimet në 34 vite privatizime masive.

Dëmi ekonomik i disa kontratave koncensionare. Llogaritjet të kryera nga Media Amfora

Imoraliteti i “Paketës së Maleve“

Iniciativa e Paketës së Maleve e fal tokën publike për 1 euro, një shifër qesharakisht e ulët në raport me vlerën e çfarëdolloj prone shtetërore, e cila sigurisht kushton më shumë se 1 euro. Kjo tokë falet për ndërtimin e bujtinave dhe strukturave agroturistike, të cilat sipas programit përjashtohen nga 4 tipe taksash: taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e pasurive të paluajtshme, tatimi mbi vlerën e shtuar dhe tatimi mbi të ardhurat.

Mënyra si investimi privat në tokë publike kthehet në të mirë publike dhe e qarkullon paranë në ekonomi është nëpërmjet taksave të cilat vilen nga shteti dhe që investohen në rrugë, shkolla e spitale. Kjo nuk do të ndodhë me Paketën e Maleve. Përpos faktit që një tjetër burim i të ardhurave i shtetit do të duhej të ishte shitja ose dhënia me qira e pronës, kjo nuk ekziston në këtë rast, duke ditur që tokat po falen me 1 euro.

Ndërkohë, përvoja me ndarjen e të mirave publike në Shqipëri na tregon se klientelizmi dhe nepotizmi janë gjithmonë komponentë përbërës të iniciativave të tilla. Aktualisht Paketa e Maleve ka rreth 5 mijë aplikime, nga ku priten të zgjidhen rreth 500 projekte. Si në rastin e skandalit të tenderit të “5D“, ku prokuroria zbuloi se biznese të lidhura me funksionarë të Bashkisë Tiranë gjeneronin fatura fiktive punimesh në shumën e 89 milionë eurove, që në fakt thjesht tërhiqeshin “cash“ nga biznesmenë të lidhur me Bashkinë, skema të ngjashme mund të përdoren edhe në investimet tek “Paketa e Maleve“.

Modelet e privatizimit Shqipëri. Grafiku i përgatitur nga Media Amfora

Dezinformimi ekonomik

Dezinformimi ekonomik vjen në forma të ndryshme dhe në këtë rast qëndron tek mashtrimi i qëllimshëm i publikut shqiptar se ekonomia e tyre do të rritet për shkak të investitorëve strategjikë, në një kohë kur kjo propagandë është jashtë realitetit të familjeve shqiptare. Ekonominë e rrit industria, bujqësia dhe ekonomia produktive, jo PPP-të dhe falja e tokës publike.