Banorët i kërkojnë Këshillit Bashkiak të Durrësit të anulojë projektin për qendrën historike

Banorët e prekur nga projekti TID në Durrës, në protestën e radhës i kërkuan Këshillit Bashkiak të ngrejë zërin për të ndaluar dhe riparë projektin, duke theksuar se janë shkelur procedurat ligjore dhe mungon transparenca në vendimmarrje.

Tubimi u zhvillua të martën përpara godinës së bashkisë në qytetin bregdetar, pak para nisjes së mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku përfaqësues të banorëve kërkuan pezullimin e projektit dhe rishikimin e procedurave që sipas tyre janë ndjekur në mungesë të konsultimeve publike.

“Ne kërkojmë që Këshilli Bashkiak të ngrejë zërin dhe të ndalojë këtë projekt që po shkel të drejtat e qytetarëve, në lagjen më të rëndësishme të qytetit, aty ku synohet të na merren pronat”, u shpreh një prej banoreve në protestën e organizuar paraditen e së martës.

Sipas banorëve, projekti është miratuar pa transparencë, pa komision shpronësimi dhe pa asnjë dëgjesë me ta.

“Këshilli Bashkiak, që është parlamenti i qytetit, duhet të kërkojë që të kthehet mbrapsht ky projekt që synon të na grabisë pronat dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë”, u shprehën banorët.

Ata thanë se nuk janë kundër zhvillimit të qytetit, por se kërkojnë që çdo projekt të zbatohet me transparencë dhe pjesëmarrje të komunitetit. Banorët theksuan se vendimet për projektin TID janë marrë pa konsultime publike dhe pa përfshirjen e Këshillit Bashkiak, i cili sipas tyre duhet të kishte pasur rol vendimmarrës në proces.

Përfaqësues të banorëve shtuan se mungesa e komisionit të shpronësimit dhe mosrespektimi i procedurave ligjore e bën të pavlefshëm miratimin e projektit, duke kërkuar që ai të kthehet për rishqyrtim.

“Kërkojmë që procesi të ndalet derisa të dëgjohen banorët dhe të ketë transparencë për çdo hap që prek pronën e qytetarëve”, u shprehën ata.

Me thirrjet me megafon “Turp, turp!”, banorët pritën hyrjen në ambientet e bashkisë të këshilltarëve të Këshillit Bashkiak, duke i kërkuar atyre që të mos lejojnë vijimin e projektit. Ata e konsiderojnë projektin selektiv dhe të padrejtë, pasi përzgjedhja e objekteve që preken sipas tyre është bërë pa asnjë transparencë dhe me mungesë kriteresh të qarta.

“Në të njëjtën rrugë, disa shtëpi preken e disa të tjera jo. Kjo tregon se nuk ka standarde, por vendime të bëra sipas interesave”, tha një tjetër banore gjatë protestës.

Sipas tyre mënyra se si është ndërtuar projekti TID për Durrësin tregon një mungesë të plotë përfshirjeje të qytetarëve, ndërsa Këshilli Bashkiak si institucioni përfaqësues i qytetit, duhet të kërkojë pezullimin dhe rishikimin e planit.

Gjatë protestës së banorëve kundër projektit TID. Foto:Media Amfora

Projekti “TID Durrës” synon rijetësimin e qendrës historike të qytetit përmes ndërhyrjeve urbane dhe restaurimit të hapësirave publike përreth zonës arkeologjike. Por, sipas banorëve, ky plan po zbatohet pa transparencë dhe në kurriz të komunitetit, duke rrezikuar banesa me vlera historike dhe sociale në zemër të Durrësit.

Projekti “TID Durrës” është një nismë e përbashkët e Bashkisë Durrës, Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sportit (MKTS) dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), që synon transformimin e qendrës historike të qytetit përmes ndërhyrjeve urbane dhe restaurimit të hapësirave publike.

Në përfundim të protestës, një përfaqësi e banorëve mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku kërkoi pezullimin e projektit dhe rishikimin e procedurave ligjore. Ata nuk morën një përgjigje konkrete, ndërsa përfaqësuesit e bashkisë mbetën në qëndrimin që projekti është konsultuar më herët, duke theksuar se dëgjesat publike janë zhvilluar gjatë viteve 2021 – 2022, ndonëse banorët shprehen se ndryshimet thelbësore janë bërë në mars të vitit 2024, vetëm një muaj para miratimit në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT).