Vrasja e Charlie Kirk është kambanë alarmi për rrezikun që vjen nga e majta ekstreme

Teksa ende FBI-ja nuk e ka gjetur atentatorin dhe nuk ka një version zyrtar për ngjarjen, në sytë e opinionit publik është e qartë që aktivisti konservator Charlie Kirk u vra për shkak të bindjeve, aktivizmit dhe influencës që kishte tek studentët e universiteteve në të gjithë SHBA-të.

Foto nga ulja e flamurit amerikan në gjysmë-shtizë. Foto: Shtëpia e Bardhë, “Facebook”

Kur lexova dje lajmin e fundit të dalë në prestigjiozen “The Guardian”, se Charlie Kirk ishte qëlluar, u ndala pak. Mendoja se ndoshta kishte marrë një plumb qorr dhe se ndoshta do të bëhej mirë. Më pas të gjitha mediat filluan ta raportonin dhe videoja e shqyerjes së qafës së Charlie-t nga plumbi që i mori jetën, u bë virale. Kur e pashë videon i thashë vetes, “Është e vështirë por Zot shpëtoje”. Fillova të lutesha. Mbas rreth 30 minutash, CBS e konfirmoi Kirk të vdekur.

Si shqiptar që kam studiuar e jetuar në SHBA, por edhe si njohës i betejave kulturore atje, e kam njohur Charlie Kirk dhe aktivizmin e tij. Gjithmonë më jepte kureshtje lehtësia dhe mendjehapësia me të cilën ai debatonte me studentë të ndryshëm në kampuset e kolegjeve, ambiente të cilat gjithnjë e më shumë kontrollohen nga vetëm një anë e spektrit politik, e majta ekstreme. Këtë e di mjaft mirë vetë jo vetëm për shkak të debateve të pafundme që kam zhvilluar me studentë e profesorë në alma mater-in tim, ku përpiqesha t’u mbushja mendjen se marksizmi nuk bën për SHBA-të dhe se ka vetëm dy gjini, por edhe për faktin se kur tentova të hap një degë të organizatës së Charlie Kirk, Turning Point USA, në shkollën time, ajo nuk më lejoi, me argumentin se studentët e së majtës do ofendoheshin nga aktivizmi i tij. Në fakt nuk e di se ku qëndron ofeza tek mbrojtja e lirisë së shprehjes, lirisë së besimit, familjes bërthamore dhe tregjeve të lira, por di të them se ekosistemi politik në kampuset e kolegjeve amerikane është i dominuar nga marksistë, socialistë, woke-istë, postmodernistë dhe të tjerë, një ekosistem që Charlie Kirk dhe organizata e tij e sfidoi haptazi. Po aashtu mbaj mend një takim me studentët e “Turning Point”, që aktivistja Candace Owens mbajti në një universitet në zonën time, një takim ku shkova dhe ku u shokova nga protestat e studentëve majtistë, të cilët drejtonin gishtat e mesit ndaj familjarëve, studentëve dhe të moshuarve që kishin ardhur për ngjarjen, duke i quajtur nazistë e fashistë. Një lloj racizmi politik që ka qenë pjesë e së majtës ekstreme gjatë gjithë historisë dhe që fatkeqësisht manifestohet edhe sot nga marksistët “woke”.

Është e qartë në sytë e mi si dita për diell se kjo vrasje ka prapavijë politike e ideologjike. Charlie ishte kërcënuar disa herë me vdekje për bindjet e tij, siç janë kërcënuar edhe figura të tjera të botës konservatore, si Tucker Carlson, Ben Shapiro, Matt Walsh, Michael Knowles, Candace Owens, kështu që nuk ka asnjë arsye për të besuar që ekzekutimi terrorist i Charlie Kirk është diçka tjetër përveçse një akt i dhunës politike. Kjo dhunë politike sigurisht nuk vjen nga krahu politik i Charlie-t, por nga krahu i kundërt i tij, i cili për vite ka kërkuar shkarkimin nga puna të njerëzve që nuk bien dakord me ideologjinë “Black Lives Matter”, heqjen nga mediat sociale të njerëzve që kundërshtojnë modus operandi-n e ideologjisë transgjinore dhe moslejimin e lektorëve konservatorë në universitete. E majta, për hir të së vërtetës, ka operuar gjithnjë në këtë lloj forme; mjafton të shohësh atentatin ndaj Drejtor Luigjit tek streha vorfnore italiane në filmin “Lulëkuqe mbi Mure”, për të kuptuar se e majta funksionon me dhunë kur e humbet debatin publik. Jo më kot, në korrik të vitit 2024, një atentator u përpoq të vriste Presidentin Trump, i cili për një fije floku doli i gjallë nga mitingu në Butler të Pensilvanisë. Atentatori ishte thellësisht i indoktrinuar me ideologjinë e së majtës ekstreme dhe e shihte Trump-in si armik të asaj ideologjie. Pak javë më parë, një atentator që identifikohej si transgjinor vrau fëmijë në një shkollë katolike në Minneapolis, teksa ata po luteshin. Ky i sëmurë mendor deklaronte se urrente Krishtërimin, një fe që sipas tij nuk e lejonte ta shprehte të ashtuquajturin “identitet gjinor” të tijin ashtu siç duhet.

Veprimtaria e grupeve të së majtës ekstreme është në fakt voluminoze dhe e mirëfinancuar në SHBA, Evropë, por edhe në Shqipëri. Këto grupe shpeshherë përfaqësohen nga individë të shoqërisë civile të cilët në dukje promovojnë shoqëritë e hapura, empatinë, drejtësinë sociale e korrektësinë politike, por që kanë në fakt armata me agjitatorë e aktivistë të dhunshëm, të cilët janë gati të përdorin dhunën për të avancuar agjenda marksiste apo neomarksiste. Grupi ekstremist Antifa, të ashtuquajturit “anti-fashistë”, i cili e ka fillesën në SHBA, por që ka edhe degë në vendet e Evropës, është akuzuar disa herë në SHBA për përdorimin e dhunës sistematike dhe doksimin e kundërshtarëve politikë të ideologjisë majtiste. Një grup i ngjashëm mund të konsiderohen edhe “Brigadat e Kuqe” në Itali, të cilët në vitet ‘60 kryen një sërë aktesh terroriste në emër të drapërit e çekanit. Kuptohet që draperistët dhe çekanistët e ditëve të sotme nuk janë komunistë të proletariatit. Klasa e shekullit të 19-të, e 20-të është kthyer në racën, gjininë, seksualitetin dhe etninë e shekullit të 21-të. Charlie e refuzonte narrativën deterministe të racës, gjinisë e seksualitetit si të vetmit faktorë nga e cila varet jeta e dikujt, rrjedhimisht duke kundërshtuar dikotominë marksiste “të të shtypurve përballë shtypësve”. Normalisht, kur indoktrinohesh nga media, fondacione e shkolla që identiteti jot është gjithçka dhe se është ky identitet nga i cili varet jeta jote, do ndihesh i pafuqishëm, do i konsiderosh njerëzit nga “klasa shtypëse” si armiq dhe do kërkosh t’i heqësh qafe. Prandaj Charlie u vra sepse propaganda e njërës anë u thotë njerëzve se krahu tjetër përfaqëson shtypësin. E prandaj të gjithë njerëzit me mend në kokë, qofshin ata liberalë apo konservatorë, u tmerruan kur aktivistë të së majtës amerikane lartësuan figurën e Luigi Mangione, i akuzuar për vrasjen barbare të CEO-s së kompanisë farmaceutike “United Healthcare”. Antikapitalistët e shenjtëruan Luigi Mangionen si luftëtar ndaj asaj çfarë e majta ekstreme i konsideron “padrejtësi ekonomike”. Siç para disa kohësh antikapitalistët shqiptarë shkuan në vitrinat e dyqaneve të një qendre tregtare në Tiranë dhe për ditën e punëtorëve u bënin thirrje punëtorisë së dyqaneve të ngrihej. Groteske, por edhe shumë e rrezikshme për një shoqëri në të njëjtën kohë.

Përveç shprehjes së indinjatës time të thellë për vdekjen e një figure që ka shërbyer si frymëzim për mua jo vetëm një herë, dua që njerëzit me mend në kokë ta përdorin këtë moment për të kuptuar se çfarë duhet që qeveritë të bëjnë. Senatori Joseph McCarthy u bë i famshëm për task-forcën që ai ngriti në Kongresin Amerikan për të identifikuar elementë komunistë në shoqërinë amerikane të viteve ’50 dhe për t’i larguar. McCarthy e kuptonte që këto elemente kërkonin shkatërrimin e Amerikës dhe Perëndimit dhe që arrestimi përpara se të kryenin ndonjë akt kriminal ishte i nevojshëm. Ekstremi i majtë sot është i dhunshëm dhe i papërmbajtshëm, qoftë kjo në SHBA, Evropë apo në Shqipëri. Rrjedhimisht, shoqëria e bashkuar duhet të veprojë! Autoritetet duhet të veprojnë! Në të kundërt, të tjerë do të vijnë mbas Charlie-it. “Demokracia vdes në errësirë” shkruan Washington Post. Dhe demokracia vdes kur arma merr vendin e fjalës dhe debatit konstruktiv. Në fund po e mbyll me një lutje: Zoti i dhëntë paqe shpirtit të Charlie-t, e i dhëntë fuqi të shoqes, familjes dhe fëmijëve të tij. Zoti i dhëntë njeriut të mirë kurajon për të bërë gjënë e duhur përballë së keqes. Zoti e bekoftë Amerikën dhe Shqipërinë!

Ruel Domi

Ai është diplomuar në "Concordia College" (Minnesota, SHBA), për "Financë" dhe "Shkenca Politike" ("Magna Cum Laude"). Gjatë studimeve ka qenë aktiv në kërkime dhe debate mbi politikat publike dhe zhvillimet globale. Ka ndjekur "Spring Policy Academy", të "The Heritage Foundation", në Washington DC, ku është trajnuar mbi buxhetin federal, ekonominë amerikane dhe sigurinë kombëtare. Kontribuon rregullisht me analiza mbi zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në median shqiptare dhe ndërkombëtare. Që prej vitit 2024 drejton podcastin “Politikë Javore me Ruelin”, ku trajton temat kryesore të javës në politikën shqiptare dhe botërore, me një qasje të drejtpërdrejtë dhe të argumentuar. Aktualisht është fokusuar në analizën e politikave socio-ekonomike dhe kulturore, duke mbështetur ekspertizën e pavarur në debatin publik shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *