Protestë për “paralizimin” e Televizionit News 24 dhe mediave të rrjetit
Punonjësit e “Focus Media Group”, së bashku me kolegët gazetarë, profesionistë dhe deputetë të opozitës zhvilluan një protestë para ndërtesës të Televizionit News 24 dhe Gazetës Panorama, pas marrjes së ndërtesës nga Policia e Shtetit dhe “Kompania KAYO”. Në protestën e organizuar kundër veprimeve që sollën edhe ndërprerjen sinjalit televiziv, u bë thirrje për lirimin e ndërtesës dhe rikthimin në punë të gazetarëve të rrjetit mediatik.

Gjatë protestës së të hënës përpara godinës “Focus Media Group”. Foto: 'Screenshot' nga transmetimi në YouTube News 24
Mesditën e së hënës dhjetëra gazetarë dhe punonjës të “Focus Media Group” organizuan një protestë kundër veprimeve të Policisë së Shtetit, që vazhdon të mbajë të rrethuar mjediset e televizionit News 24, të cilit rrjedhimisht i është ndërprerë sinjali, ndërsa kanë dalë jashtë funksionit edhe media e tjera të rrjetit, si “Balkanweb, Televizioni dhe Gazeta Panorama, Panorama Sport, Gazetare Shqiptare dhe Radio RASH”.
Gazetari Osman Stafa, në fjalën e tij në hapje të protestës tha se qindra punonjës të kësaj kompanie mediatike prej tre ditësh nuk janë në zyrat e tyre, pasi nuk lejohen nga policia.
“Janë 230 punonjës që prej 3 ditësh nuk hyjnë në zyra. Gazetari nuk ka armë në dorë, por mikrofon”, u shpreh Stafa në fjalën e tij. Sipas Stafës televizioni ku ai punon ka hapur dyert për çdo problematikë të qytetarëve dhe sipas tij ishte e qëllimshme zgjedhja e godinave ku ndodhet televizioni News 24 dhe mediat Panorama, për ngritjen e fabrikës së armëve.
“News 24 ka denoncuar moment pas momenti ngjarjet korruptive që janë të shumta në Shqipëri. Gjithçka këtu po ndodh sepse News 24 nuk qëndron në linjën që qeveria kërkon”, theksoi gazetari jashtë godinës.
Policia e Shtetit rrethoi mëngjesin e së shtunës mjediset e televizionit informativ News 24, që ndodhet në lagjen Shkozë në kryeqytet, duke mos lejuar futjen e punonjësve në institucion, ndërsa më pas u ndërpre energjia elektrike, çka solli edhe fikjen e sinjalit të transmetimit. Organizatat e medias në vend dhe gazetarët i cilësuarn veprimet si arbitrare dhe cenuese të lirisë së shprehjes, ndërsa punonjësit e kompanisë me panrakta në duar kërkuan rihapjen e televizionit.
Drejtoresha e “News 24 “, Anila Jole, mori fjalën gjatë protestës dhe tha se tronditja e saj është jo vetëm profesionale, por edhe personale.
“Kam parë këtë televizion të rritet dhe të bëhet më i besueshëm për shqiptarët. Kurrë nuk e mendova se dita e fundit e punës time do të ishte në këtë mënyrë”, tha Jole.
Gazetarja që mbulon ngjarjet e kronikës në News 24 Klodiana Lala, që mori më pas fjalën në protestë, theksoi se ky televizion do të ringrihet pavarësisht arrogancës që po tregon pushteti.
“Do ta ta ringrejmë këtë televizon pavarësisht arrogances së pushtetit, barabarisë që u futën forcat e ushtrisë dhe policisë”, tha ajo. Lala shtoi në fjalën e saj se sot ishte radha e News 24 dhe nesër do të jetë radha e një televizioni tjetër.
“Sot ishte radha e News 24, nesër do të jetë radha diku tjetër, News 24 është histori që do vijojë, s’ka policë e ushtarë të na ndalojë”, theksoi Lala.
“Ne nuk jemi dëm kolaterial i një përplasje tjetër dhe të jemi pa asnjë lloj informacioni”, shtoi nga ana tjetër kolegu i saj, Klevin Muka – duke shtuar se konflikti i nisur nga qeveria nuk mund të rëndonte drejtpërdrejtë mbi të drejtën e gazetarëve për të ushtruar detyrën.
Në protestë mbajti fjalën edhe kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), Isa Myzyraj, i cili tha se News 24 nuk është e para media që përballet me këtë situatë, por s’do të jetë as e fundit.
“News 24 nuk është e para që përballet me këtë situatë, por s’do të jetë as e fundit. Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e përfshira në këtë çështje të ndalojnë veprimet që sjellin pasoja për televizionin”, tha ai.
Efektivë të policisë kërkuan të shtunën lirimin e ambienteve, ku ndodhen redaksitë e mediave “Balkanëeb, Televizioni dhe Gazeta Panorama, Panorama Sport, Gazetare Shqiptare dhe Radio RASH”, të cilat janë pjesë e të njëjtit grup mediatik, për t’ia transferuar ndërtesat kompanisë shtetërore “KAYO”.
Ajo është një kompani e krijuar për prodhimin dhe tregtimin e armëve, themeluar në vitin 2024. Më 12 mars të këtij viti, qeveria miratoi një vendim që i kalon pronësinë e ish-Uzinës së Autotraktorëve kompanisë KAYO. Ndërsa News 24 është qiramarrës afatgjatë në ish-Uzinën e Autotraktorëve.
Në protestën e së hënës u bashkuan edhe qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ndërsa në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar deri më tani organizatat në mbrojtje lirisë së shprehjes i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare që të tërhiqet. News 24 është kanali i parë televiziv shqiptar që transmeton lajme 24 orë që prej vitit 2002, ndërsa pjesë e së njëjtës kompanie janë edhe një rrjet mediash.