Shkenca në zbrazje: “Ikja e trurit” po gërryen të ardhmen kërkimore të Shqipërisë

Shqipëria vijon të përjetojë humbje të thellë të kapitalit njerëzor si pasojë e emigrimit të profesionistëve të rinj dhe të arsimuar. “Largimi i trurit” ndikohet nga mungesa e perspektivës profesionale, liria e kufizuar akademike dhe dështimi i institucioneve për të zbatuar politikat ekzistuese. Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përparuar në integrimin në programet kërkimore të BE-së, Shqipëria vijon të mbetet në fund të listës për pjesëmarrje dhe përfitime reale.

Ilustrim për kërkimin shkencor në vend. Foto: Media Amfora

Edesa Behaj, pasi përfundoi studimet për Fizikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, ku spikati me mesataren 9.4, mori vendimin më të vështirë të jetës së saj, atë të largimit nga Shqipëria – Megjithëse lidhjet me familjen e saj në qytetin e Fierit ishin shumë të forta. 

“Prej 2 vitesh jam larguar nga Shqipëria. Para se të ikja u interesova në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për ndonjë mundësi ‘internship’-i, praktikë profesionale, por nuk më ofruan diçka. Dija që ekzistonte edhe Instituti i Fizikës Bërthamore, pyeta dhe atje dhe nuk më kthyen përgjigje”, kujtoi e reja për Median Amfora. 

Vajza që e adhuron fizikën dhe e shikon jetën të lidhur me shkencën arriti që të fitojë bursë për studimet master në fushën e “Shkencës së Materialeve” në Francë. Ndërsa ajo që njihet si “ikja e trurit” vazhdon të largojë çdo vit nga Shqipëria individët më të aftë, të arsimuarit dhe të talentuarit, të cilët emigrojnë kryesisht në vendet evropiane për të kërkuar mundësi më të mira jetese, punësimi, arsimimi apo zhvillimi profesional.   

Shqipëria që pas viteve ’90 është përballur me emigracionin masiv, por në 5 vitet e fundit fenomeni i largimit të profesionistëve është bërë shumë më i prekshëm. Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), viti 2021 shënoi rritje negative për emigracionin “neto” – diferenca midis emigrimit të brendshëm dhe të jashtëm – me 32.853 persona të larguar, që u pasua edhe në vitin 2022, me 32.947 persona të larguar. Këto tendenca që vijonë të mbeten me trende negative rritëse sipas ekspertëve justifikohen me tërheqjen e të larguarve nga prespektiva profesionale dhe kushtet e jetesës më të favorshme që ofrojnë vendet evropiane. 

“Studiues dhe ekspertë të kualifikuar largohen nga rajoni për shkak të mungesës së perspektivës profesionale dhe kushteve të pafavorshme. Kjo çon në humbje të kapitalit njerëzor dhe dobësim të kapaciteteve lokale”, konstatoi analistja e politikave digjitale, Alba Brojka, në një studim të përgatitur për “Qendrën Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)”.

Shkencëtarët e rinj në ikje: Talenti përballet me mure të padukshme

Në vendin tonë shifrat e të larguarve vijojnë të mos kategorizohen sipas profesioneve dhe nga ana tjetër nevojat në vend për mjekë, shkencëtarë, mësues, tregojnë se Shqipërisë nga viti në vit po i largohet ‘truri”, dukuri e cila po ndodh edhe në vende të tjera të Ballkanit Perendimor.  Prej vitesh ato po trajtojnë sfidat dhe potencialin e kërkimit, inovacionit dhe lëvizshmërisë së “trurit” me qëlllim parandalimin e këtij fenomeni. Por për ekspertët ndonëse janë nënshkruar marrëveshje edhe në nivel rajonal, ka munguar vullneti politik në zbatimin e tyre.

“Për të nxitur lëvizshmërinë brenda rajonit, u nënshkruan tre marrëveshje të lidhura në vitin 2022 dhe një tjetër në vitin 2023 gjatë samitit të Tiranës. Megjithatë, deri më sot asnjë marrëveshje nuk trajton konkretisht vetë lëvizshmërinë ose Kërkimin dhe Inovacionin të orientuar drejt lëvizshmërisë midis vendeve të Ballkanit Perendimor”, analizoi Alba Brojka për Median Amfora.

“Për më tepër, vullneti politik duket se shtrihet vetëm në miratimin ose nënshkrimin e marrëveshjeve, me angazhim të kufizuar për zbatimin ose monitorimin e ndikimit të tyre”, shtoi Brojka, analiste e politikave digjitale. 

Sipas ekspertes hulumtimet tregojnë se qeveritë në rajon shpesh nuk kanë vullnetin për të reformuar institucionet publike, për të forcuar qeverisjen demokratike dhe për të luftuar korrupsionin, masa këto për të frenuar largimin e ‘trurit”.

“Hulumtimet tregojnë se qeveritë në rajon shpesh nuk kanë vullnetin për të reformuar institucionet publike, për të forcuar qeverisjen demokratike dhe për të luftuar korrupsionin”, thuhet në raportin e përgatitur nga Alba Brojka. 

Puna kërkimore në kuadër të projektit “Përmirësimi i kërkimit dhe inovacionit të drejtuar nga lëvizshmëria në Ballkanin Perëndimor për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe përshtatje me Bashkimin Evropian”, udhëhequr nga ekspertët dhe ekipi i organizatës zbatuese të projektit, “SCiDEV”, si pjesë e iniciativës “Ignita” dhe që theksoi se forcimi i demokracisë dhe lufta kundër korrupsionit vlerësohen si parakushte thelbësore për “fitimin e trurit” dhe balancimin e lëvizshmërisë së tij brenda dhe jashtë Ballkanit Perëndimor. 

Rajoni vazhdon të jetë “eksportues” i kapitalit njerëzor dhe megjithëse në parim ka marrëveshje që synojnë ta përmirësojnë gjendjen, ato mbeten të pazbatuara ose të papërfunduara, siç është rasi i marrëveshjes për lëvizjen me letërnjoftime, që nuk është ratifikuar ende nga Bosnja dhe Hercegovina. 

“Përtej mungesës së stimujve konkurrues në rajon krahasuar me Bashkimin Evropian, studiuesit dhe inovatorët shpesh përballen me realitete të përditshme të shënuara nga një nivel i lartë korrupsioni, duke filluar nga proceset kyçe të vendimmarrjes, deri tek praktikat e punësimit”, analizoi Alba Brojka për Amforën. 

Mungesën e vëmendjes në momentin e përfundimit të studimeve e ka kaluar mbi kurriz edhe Edesa Behaj, e cila pasionin e saj për shkencën e kuptoi shumë herët, por barrierat në Shqipëri e shtynë që ëndërrat t’i realizojë jashtë saj. 

“Studimet që po kryej tani përfshijnë disa disiplina, si fizikë, kimi, inxhinieri. Gjithçka nisi me një vit studimi në Francë, një praktikë profesionale në Zvicër, një semester në Poloni dhe së fundmi po shkruaj temën e diplomës në Universitetin e Helsinkit”, rrëfeu ajo. 

“Profesionalisht ndihem shumë e arrirë, kam bërë realitet çdo ëndërr që e kisha kur isha në gjimnaz, përfshi këtu që të punoja në qendër kërkimore, si ‘CERN’ – Qendra Evropiane e Kërkimeve Bërthamore në Gjenevë të Zvicrës – apo “PSI” – “Instituti Paul Scherrer”, për kërkimet shumëdisiplinore për shkencat natyrore dhe inxhinierike në Zvicër – shtoi e reja.  

Liritë akademike dhe proceset e vlerësuara si të padrejta bëjnë që studiuesit të gjejë pak hapësira angazhimi, dhe ato në shoqërinë civile.

“Punët që kam bërë me organizatat jofitimprurëse i kam gjetur sepse ato e bënë të ditur që kërkonin studentë të profilit tim dhe e kisha të lehtë të aplikoja. Në fakultet nuk di të bëhet diçka e ngjashme, pasi i ka kam parë vetë që ka kërkim shkencor në bashkëpunim me ‘CERN,’ por edhe kjo e fokusuar tek pedagogët”, rrëfeu Edesa Behaj. 

Ballkani Perëndimor ende larg zbutjes së “emigrimit të trurit”

Një nga momentet kyçe për rajonin vlerësohet marrëveshja në vitet 2021-2022, kur të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshje asociimi me programin “Horizon Europe”, që u dha atyre mundësi pjesëmarrje të plotë në programin e BE-së prej 95.5 miliardë eurosh. 

“Kjo arritje është pjesë e Agjendës më të gjerë të Ballkanit Perëndimor, për Kërkimin, Inovacionin, Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Sportin, të mbështetur nga iniciativa të tilla si Procesi i Berlinit dhe Plani i Ri i Rritjes 2023 për BB-në. Midis viteve 2021 dhe 2023, BP [Ballkani Perëndimor] siguroi mbi 111 milionë euro në 582 projekte në kuadër të Horizon Europe, duke iu afruar totalit prej 171 milionë eurosh të marra gjatë gjithë periudhës së Horizon 2020″, theksohet në një tjetër raport të shkruar për SCiDEV nga Mrika Hoxha dhe Venera Gudachi. 

Në përpjekjet strategjike për të përmirësuar kërkimin dhe inovacionin e drejtuar nga lëvizshmëria në Ballkanin Perëndimor Shqipëria vijon të përballet me pengesa që e listojnë në vendet e fundit për pjesëmarrjen në programet e financuara nga BE-ja. 

“Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kryesojnë në pjesëmarrje dhe kthime financimi, ndërsa Kosova, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina vazhdojnë të përballen me pengesa strukturore, duke përfshirë infrastrukturat e fragmentuara të kërkimit, kornizat kufizuese të punës dhe kapacitetet e kufizuara institucionale”, shtoi raporti, duke ekspozuar nevojat e Shqipërisë për rritjen e kapaciteteve institucionale për të përfituar më shumë nga programet ndërkombëtare si “Horizon Europe”.

Për ekspertët studentët e rinj edhe kur përfitojnë nga programet e lëvizshmërisë brenda Ballkanit Perëndimor, dekurajohen për shkak të mungesës së lirisë akademike apo proceseve të padrejta që hasen brenda tyre.  

“Studiuesit ndiejnë rrezikun e humbjes së punës pas kthimit nga programet e lëvizshmërisë dhe dekurajohen nga pjesëmarrja në programet e Kërkimit të Inovacionit, për shkak të lirisë akademike të shtypur dhe proceseve të brendshme të padrejta”, analizoi studiuesja Alba Brojka. 

Numri i profesionistë të larguar nga vendi ka tendenca rritje nga viti në vit, duke zbehur shpresat për rikthimin e tyre pas marrjes së formimit akademik dhe profesional jashtë vendit. 

“Peizazhi politik dhe korrupsioni jo vetëm që pengojnë zhvillimin ekonomik, por edhe zvogëlojnë shpresën e të rinjve për t’u kthyer dhe për të vazhduar punën ose studimin në vendin e tyre”, shpjegoi Brojka.  

Për fizikanten e re vendimi i marrë për të larguar nga Shqipëria erdhi në kohën e duhur dhe megjithatë vijon të kthehet disa herë gjatë vitit në atdhe, por ajo mendon se vizitat do rrallohen me shtimin e angazhimeve akademike dhe profesionale, ndërsa kthimin përfundimtar nuk e ka menduar asnjëherë.

“Kthimi përfundimtar nuk është në planet e mia të afërta”, rrëfeu ajo për Amforën.

Për ekspertët Rajoni i Ballkanit Perëndimor ndonëse ka bërë përparime të dukshme në integrimin në ekosistemin e kërkimit dhe inovacionit të BE-së, nuk po mundet të ndali dukurinë e largimit të trurit.

ARTIKULL I MËPARSHEM

ARTIKULL TJETËR

Erjola Azizolli

Erjola Azizolli është gazetare në Median Amfora. Ajo ka një përvojë disavjeçare në gazetarinë shqiptare, duke punuar kryesisht në televizion, revista dhe media në internet. Ajo është fokusuar në gazetarinë investigative për trashëgiminë kulturore dhe mjedisin. Gjithashtu raporton edhe për temat që lidhen me të drejtat e njeriut, gratë dhe grupet e margjinalizuara. Ajo është angazhuar prej shumë vitesh si aktiviste dhe ka ndërmarrë disa nisma për të përmirësuar jetën e komuniteteve në Berat dhe Durrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *