Hamami i Durrësit, monumenti i periudhës osmane i digjitalizuar për vizitorët 

Hamami i Durrësit i ndërtuar në shekullin XVIII, një nga dhjetë hamamet e mbetur në vendin tonë nga periudha osmane, i shtohet listës së objekteve të vizitueshme në qytet. Tre vite pasi godina i’u nënshtrua rikonstruksionit për shkak të dëmtimeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, ka përfunduar puna dhe monumeti ofrohet me shërbime dixhitale, ndërkohë që Muzeu Arkeologjik dhe Muzeu Etnografik nuk janë ende gati edhe pse kanë kaluar afatet. 

Hamami i Durrësit, monumenti i kulturës që pasqyron trashëgiminë pesë shekullore të sundimit osman në vendin tonë, pesë vite pasi u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, është gati për të pritur vizitorët.   

Godina e Hamamit u restaurua në kuadër të Programi EU4Culture financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) me një fond me vlerë prej 32 milionë lekë.

Drejtori i Qendrës Muzeore në Durrës, Alban Ramohito u shpreh se Hamami osman i shtohet siteve të trashëgimisë kulturore të qytetit. 

“Objekti është i hapur për vizitorët dhe është një nga monumentet që ka pasur mjaft interes për tu vizituar në qytet”, tha Ramohito në një prononcim për mediat të martën. 

Punimet që janë kryer në godinën e Hamamit përfshinë restaurimin e sipërfaqeve të brendshme, fasadave dhe instalimeve për interpretim digjital.

E ndërsa punimet në godinën e Hamamit kanë përfunduar Muzeu Arkeologjik në Durrës do të jetë gati për të pritur vizitorët vetëm në vjeshtën e këtij viti dhe pse kanë kaluar dy vite nga afati i përfundimit të punimeve.

I pyetur se kur do të hapet Muzeu Arkeologjik, Ramonihto nuk dha afate kohore, por shpjegoi se do të hapen të tre katet e muzeut. 

“Muzeu Arkeologjik do të hapet shumë shpejtë dhe do të hapen të treja katet e muzut dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë”, tha ai.

Gjithashtu Muzeu Etnografik në qytet, i vendosur në një banesë karakteristike dykatëshe të shekullit XIX, nuk është ende gati dhe në objekt punohet megjithëse po mbyllet muaji maj, kur ishte përcaktuar afati përfundimtar i tyre.

E ndërsa në dy muzetë më të rëndësishëm të qytetit punohet Hamami mbush pjesën e munguar në pjesën historike të qytetit dhe përbën një nga pikat më të vizituara në të.

Hamami Osman ndodhet në juglindje të qytetit, në Bulevardin “Epidamn”. I pozicionuar vetëm disa qindra metra larg paraardhësit të tij të lashtë, banjave romake, hamami kreu funksionin e tij të parë deri në fund të shekullit XIX.

Njoftimet e para për banjat mesjetare në vendin tonë, si në Elbasan, Berat apo Gjirokastër, jepen nga kronisti turk Evlija Çelebiu në shekullin XVII. Ndërsa banja mesjetare e Durrësit mendohet të jetë ndërtuar më vonë.

Në qendër të kompozimit planimetrik të Hamamit ndodhet mjedisi i zhveshjes, që mbulohet nga një kube sferike. Në një lartësi maksimale 5.8 metra nga dyshemeja ndodhen 12 dritare shumë të vogla katrore, të vendosura në mënyrë koncentrike në mesin e gjysmësferës. Në kulmin e kupolës ndodhet një gjysmësferë tjetër, me rreze 70 cm, ku hapen tri dritare të tjera të rrumbullakëta, çka plotëson ndriçimin e dhomës.

Në të djathtë të kësaj dhome ndodhen edhe dy mjedise të vogla për larje. Dyshemetë e këtyre dhomave ngroheshin me tym ose me avull, nëpërmjet tubacioneve që dilnin nga furra. Kjo e fundit ndodhet në pjesën e prapme të mjedisit të zhveshjes.

Vendosja në shërbim e interpretimit digjital krijon mundësi që vizitorët përveçse të shohin nga afër banjën osmane, të dëgjojnë dhe historikun e tij.

Shtimi i siteve arkelogjike vlerësohet si mundësi mjaft e mirë që Durrësi të ofrojë turizëm kulturor të qëndrueshëm.   

Për vitin 2025 sipas drejtorit të Qendrës Muzeore në Durrës ka pasur një rritje të numrit të vizitorëve krahasuar me vitin e kaluar.

“Që nga fillimi i vitit ne kemi gati 10 mijë turistë më shumë në sitet tona, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024”, përfundoi Ramohitaj.