Ndahet nga jeta regjisori emblemë i filmit shqiptar, Piro Milkani

Të shtunën në mbrëmje ndërroi jetë në kryeqytet mjeshtri i kinemasë shqiptare, Piro Milkani. Ai u shuajt në moshën 86-vjeçare për shkaqe shëndetësore dhe la pas një kontribut të gjerë artistik në kinematografinë shqiptare, me të paktën regjinë e mbi 20 filmave artistikë dhe dokumentarëve.

Foto kortezie, nga Barbora Němcová

Regjisori i shquar shqiptar, Piro Milkani, ndërroi jetë të shtunën në kryeqytet pas problemeve shëndetësore të shfaqura në dy javët e fundit, duke lënë pas kontributin artistik ndër më të rëndësishmit në kinematografinë shqiptare.

Lajmi fillimisht u bë i ditur në rrjetet sociale nga djali i tij, regjisori Eno Milkani, që njoftoi largimin e një prej ikonave të kinematografisë shqiptare në moshën 86-vjeçare.

“Do të frymojë në breza, vepra e Piros ka qenë vepër e lidhur me një lloj përpjekje për ta pasuruar jetën e shqiptarit, për ta qytetëruar atë dhe zbutur agresivitetin prej të cilit nuk jemi akoma të shëruar totalisht”, u shpreh pas homazheve regjisori Kujtim Çashku.

Ndërsa poeti dhe shkrimtari shqiptaro-frankofon, Skënder Sherifi, u shpreh për Median Amfora pas homazheve, “Anagnosti, Milkani, kanë qenë 2 shtyllat që kanë ndërtuar kinematografinë shqiptare, janë dy monumente të filmit shqiptar dhe Piro do vijojë të na frymëzojë nga atje lart”, u shpreh Sherifi.

Ai u përcoll për në banesën e fundit nga familjarët, miqtë dhe figurat e njohura publike, mesditën e 25 majit, drejt Varrezave të Sharrës në Tiranë.

Milkani la pas një trashëgimi artistike që ka formësuar dhe pasuruar kulturën shqiptare në dekada me radhë. Ai u pa në publik për herë të fundit përmes një interviste me video më 14 maj, për audiencën në Ambasadën e Shqipërisë në Madrid, Spanjë.

Libri i tij, “E pabesueshme, por e vërtetë” (“Increible, pero cierto”), u përkthye në spanjisht nga Maria Roces dhe u promovua midis miqsh spanjollë dhe shqiptarë, gazetarë, përkthyes, akademikë dhe diplomatë.

Piro Milkani lindi më 7 nëntor 1932 në Korçë dhe studioi në Akademinë e Arteve në Pragë, një nga shkollat më të njohura të kinemasë në Evropën Lindore në atë kohë. Pas kthimit në Shqipëri, ai u bë një nga pionierët e kinematografisë shqiptare dhe bashkëthemelues i Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Gjatë karrierës së tij, Milkani realizoi dhe kontribuoi në mbi 30 filma artistikë dhe dokumentarë. Ai njihej për stilin e tij realist, përmes të cilit shpaloste temat sociale, patriotike dhe njerëzore, me një gjuhë filmike të veçantë.

Përveç kontributit si regjisor, Milkani ka qenë edhe pedagog dhe drejtues në institucione kulturore, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të kineastëve shqiptarë. Po ashtu ka mbajtur edhe poste diplomatike, përfshirë atasheun kulturor në Gjermani.

Karriera e tij në kinematografi përfshin regjinë e mbi 20 filmave artistikë dhe dokumentarë, duke spikatur me prodhime të njohura, si “Trishtimi i zonjës Shnajder”, “Ballë për ballë”, “Zonja nga qyteti”, “Shtigje lufte”, “Kur zbardhi një ditë” dhe të tjerë filma të njohur.