Prifti rrëzohet nga çatia, Kisha e Shën Triadhës do t’i nënshtrohej rikonstruksionit 

Një ngjarje e rëndë u regjistrua paraditen e së hënës në Korçë, ku një prift është rrëzuar nga tavani i kishës ku shërbente. Objekti mësohet se do t’i nënshtrohej rikonstruksionit së shpejti dhe ai ka qenë duke hequr disa prej materialeve nga çatia. 63 vjeçari u transferua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa policia po heton ngjarjen.  

Policia pas ngjarjes në Kishën e Shën Triadhës. Foto: Dhorjela Çule

Rreth orës 11 të së hënës në lagjen 14 të qytetit të qytetit të Korçës, Kristaq Viso, prifti i Kishës së Shën Triadhës u rëzua nga çatia e godinës. 

Gazetarët nga terreni raportuan se ngjarja ka ndodhur në kohën që prifti që kujdesej për kishën po largonte disa pjesë të dëmtuara nga tavani i objektit.  

“Prifti ka qenë në çati duke punuar për të nxjerrë disa tjegulla dhe llamarina. Nga vjetërsia dhe kalbja e pjesës së tavanit, prifti ka rënë brenda ambienteve të kishës, pasi platforma është shembur”, shpjegoi për Median Amfora Dhorjela Çule, gazetare në Korçë. 

63 vjeçari që shërbente si prift në kishën që ndodhet në varrezat e qytetit, mësohet se ka rënë aksidentalisht nga një lartësi e konsiderueshme.  

Sipas gazetares çatia e kishës do t’i nënshtrohej rikonstruksionit së shpejti, pasi kishte shfaqur probleme në tavan si pasojë e lagështirës. 

“Çatia dhe tavani i kishës do të rikonstruktohej së shpejti, ndaj dhe prifti kishte hipur në çati për të zgjedhur materialet, të cilat mund t’i hynin në punë”, tha Çule. 

Në momentin e ngjarjes, në kishë ndodheshin dy priftërinj, njëri prej të cilëve gjendej jashtë ambienteve të kishës dhe që i ka ardhur në ndihmë 63 vjeçarit. 

Prifti ka marrë dëmtime në kokë dhe në trup, e pasi ka marrë ndihmën e parë shëndetësore në Spitalin e Korçës, u dërgua me helikopter për ndihmë më të specializuar në Spitalin e Traumës. 

Ekspertët e policisë që mbërritën në vendin e ngjarjes nisën hetimet për të mësuar shkaqet e plota të kësaj ngjarje të rëndë. 

Kisha e Shën Trinisë njihet në komunitetin korçar si “Kisha e Shën Triadhës” dhe ndodhet në të dalë të qytetit, buzë rrugës Korçë – Drenovë. Kisha origjinale u rrafshua nga sistemi komunist në vitin 1967. Me përmbysjen e regjimit komunist, më 6 janar 1991 në vendin e kishës së vjetër të “Shën Trinisë” besimtarët e Korçës kryeb pas 25 vjetesh shërbesën e parë fetare, atë të Ujit të Bekuar. Ndërsa kisha e re përfundoi ndërtimin në vitin 1995.