Sulme dhe frikësime ndaj gazetarëve, media u përball me presione më 11 maj
Në të gjithë vendin u raportuan sulme fizike, kërcënime dhe intimidime ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias. Policia njoftoi procedimin penal vetëm në një rast, ndërsa agresorët në një pjesë ishin anëtarë të krimit të organizuar. Rrjeti “Safe Journalists Albania” apeloi për ndërhyrjen e agjencive ligjzbatuese dhe hetimin e këtyre ngjarjeve.

Operator televiziv duke filmuar në KZAZ numër 24 në Durrës. Foto: Media Amfora
Gjatë procesit zgjedhor të 11 majit, nuk munguan edhe rastet e sulmeve ndaj punonjësve të medias në terren, ndërsa organziatat në mbrojtje të fjalës së lirë denoncuan dhe dënuan rastet një ditë pas procesit të zgjedhjeve në vendin tonë.
Të paktën 5 raste sulmesh të bëra publike kanë ndodhur gjatë ditës së zgjedhjeve në vendin tonë sipas Rrjeti “Safe Journalists Albania”, e cila doli me një deklaratë për mediat të hënën.
Rrjeti dënoi rastin e gazetares Ambrozia Meta, e cila nuk është hera e parë që bie pre e sulmeve verbale gjatë ushtrimit të detyrës.
“Gzetarja e Syri TV Ambrozia Meta u përball me sulme verbale dhe me konfrontim fizik nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ndërsa raportonte nga një zyrë e paidentifikuar që dyshohet se përdorej nga punonjës patronazhistë të PS”, shkruajti raporti.
Sipas deklaratës ndërsa ekipi i “Syri TV” afrohej, individët brenda zyrës u përpoqën të largoheshin duke mbuluar fytyrat, ndërsa rasti bëhet edhe më i rëndë pas përfshirjes argersive të deputetit Erion Braçe.
“Deputeti Braçe mbërriti pak më pas, duke ofenduar gazetarët dhe duke bërë kontakt fizik me Metën gjatë përplasjes. Kur u pyet për praninë e tij, ai reagoi me agresivitet, duke i urdhëruar gazetarët të largoheshin dhe duke përdorur një gjuhë denigruese”, shpjegohet për rastin.
Ndërsa në Pogradec, korrespondentja e MCN TV, Elsa Xhindole, u përball me dhunë fizike në Qendrën e Votimit numër 39/01.
“Një person i paidentifikuar i mori me forcë telefonin celular dhe fshiu materialet dhe videot që lidhen me zgjedhjet. Xhindole raportoi se telefoni iu mor dy herë me forcë, duke çuar në humbjen e plotë të regjistrimeve”, raportoi Rrejti.
Në Sarandë, gazetari i EuroNeës Albania, Enriko Gabaj, u urdhërua nga zyrtarët zgjedhorë në Qendrën e Votimit “Adem Sheme” që të mos filmonte më shumë se 15 minuta, një kufizim arbitrar që cenon të drejtën e medias për të vëzhguar dhe raportuar mbi procesin zgjedhor.
Një situatë e ngjashme u shënua në Durrës, në Qendrën e Votimit numër 1486, ku anëtarët e komisionit nuk i lejuan vëzhguesit e akredituar të medias të kryenin raportime mediatike mbi procesin e votimit.
Në Gjirokastër, gazetari Armando Rabi u kërcënua gjatë kryerjes së detyrës. Një 26-vjeçar nga një fshat i zonës dyshohet se e ka kanosur Rabiun, me pretendimin se po e filmonte pa lejen e tij. Të paktën në këtë rast Policia e Shtetit njoftoi të hënën se i riu u procedua penalisht pasi kanosi gazetarin për shkak të detyrës.
Rrjeti “SafeJournalists” u shpreh i shqetësuar se rastet tregojnë modelin e pengesave dhe intimidimin ndaj punonjësve të medias. Një klimë agresive që u konstatua edhe nga ekipi i Medias Amfora gjatë raportimit në Qendrat e Votimit të vendosura në periferinë e Durrësit dhe që kishin si burim kryesisht krimin e organizuar.
“Këto raste tregojnë një model shqetësues të pengesave dhe intimidimit ndaj gazetarëve që kryejnë detyrën publike në një moment kyç për demokracinë, siç janë zgjedhjet”, u shpreh Rrjeti.
Ai i bëri thirrje më tej autoriteteve shqiptare që të hetojnë me transparencë dhe pa vonesë këto raste dhe të sigurojnë ndëshkimin ligjor për të gjithë përgjegjësit. “Politikanët, zyrtarët publikë dhe qytetarët duhet të respektojnë rolin themelor të medias në ruajtjen e integritetit zgjedhor dhe llogaridhënies publike”, përfundoi Rrjeti.