Shqipëria në orët e fundit drejt kutive të votimit: Risi vota e diasporës dhe partitë e reja
Të dielën e 11 majit 3.7 milionë shqiptarë kanë të drejtën e votës, në një proces që si risi ka votën e diasporës dhe partitë e vogla. Forcimi i fokusit tek krimi zgjedhor dhe përfshirja e ofertave politike të reja konsiderohen si fakorë që mund të vendosin në pikëpyetje të ardhmen e pushtetit socialist, që synon të marrë mandatin e katërt.

Foto nga procesi i votimit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Foto: Media Amfora
Pas 1 muaji fushatë elektorale, Shqipëria hyri sot në heshtje zgjedhore, për të pritur të dielën, ku qytetarët janë thirrur në votime për të vendosur se kush do t’i qeverisë në 4 vitet e ardhshme, duke zgjedhur përfaqësuesit në Kuvend dhe qeverinë e re, pas qeverisjes së socialistëve në 12 vite.
Mbi 3.7 milionë shqiptarë kanë të drejtën e votës për Kuvendin e ri dhe për herë të parë, voton diaspora jashtë vendit, me 245.935 emigrantë të regjistruar, megjithëse problematika janë raportuar lidhur me postën dhe kthimin e zarfave të emigrantëve kryesisht në Greqi, teksa afati i mbërritjes së tyre mbaron në orën 19:00 të 11 majit, kur mbyllet zyrtarisht edhe procesi i votimit. Ndërsa 114.642 zgjedhës do të votojnë për herë të parë brenda vendit.
Partia Demokratike dhe ajo socialiste ka ende gjasa ta dominojnë peizazhin politik të vendit pas zgjedhjeve të 11 majit, por megjithatë një grup partish të reja dhe kandidatët e tyre kanë gjasa të rrudhin pushtetin e partive tradicionale, të ndihmuara edhe nga votat e diasporës.
Krimet zgjedhore dhe përdorimi i burimeve publike kanë pasur një vëmendje të shtuar në këtë fushatë zgjedhore, por megjithatë Këshilli i Ministrave miratoi të premten procedurat që do të ndiqen për shfuqizimin e gjobave administrative të miratuara në fund të vitit nga parlamenti, një lëvizje që nga organizatat e shoqërisë civile cilësohet si shkelje e Kodit Zgjedhor.
Përfaqësues të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zhvilluar një vizitë seri takimesh përgjatë fushatës me drejtuesit vendor të policisë dhe prokurorive në qarqe.
Vetë Prokuroria e Posaçme raportoi se ka regjistruar 35 procedime penale për krime zgjedhore, nga të cilat 29 për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe 4 për korrupsion aktiv e pasiv në zgjedhje. Ndërsa prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë regjistruar 23 procedime penale dhe në 4 raste është konstatuar se kanë të bëjnë me për korrupsion në zgjedhje.
Mbrëmjen e kaluar kandidati i Partisë Demokratike në Dibër, Xhelal Mziu, së bashku me aktivistët e kësaj force ndaluan 2 automjete në Maqellarë, duke pritur mbërritjen e policisë dhe të prokurorisë, rast për të cilin megjithëse nuk ka ende një sqarim nga autoritetet, demokratët pretendojnë se persona të angazhuar politikisht dhe në biznese që përfitojnë nga tenderat e qeverisë, po tentonin të blinin vota.
Nga ana tjetër autoritetet zgjedhore dhe të hetimit të krimeve janë angazhuar për ngritjen e burimeve njerëzore që do të menaxhojnë edhe procesin zgjedhor më 11 maj.
“Në bashkëpunim me prezencën e zyrës së OSCE-së, KQZ-në dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, u trajnuan 6838 punonjës police me uniformë, si edhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, të cilët u angazhuan për hetimin e krimeve zgjedhore”, shpjegoi policia në një deklaratë për median.
Polica e Shtetit ka marrë tashmë në ruajtje objektet zgjedhore që shërbejnë si KZAZ, që në momentin që kanë shkuar materialet zgjedhore, si edhe kryen shërbim në momentin që largohet komisioni i KZAZ-së nga objekti.
“Në të gjithë vendin janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 5225 objekte që do shërbejnë si Qendra Votimi, ditën e votimit, objekte këto që do të merren në ruajtje nga Policia, ditën e shtunë”, shpjegoi policia.
Aktivtetet jo politike duket se do të ndikojnë procesin zgjedhor në Vlorë, ku Partia Socialiste ka paraqitur kërkesën në KQZ që për shkak të bllokimit të qarkullimit të automjeteve për disa orë për zhvillimin e garës çiklistike, “Giro d’Italia”, procesi i votimit aty të zgjasë deri në orën 22:00, përtej kufirit të zakonshëm të parashikuar nga Kodi Zgjedhor, që është ora 19:00.