Fondi për kulturën, artistët kërkojnë 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto
Skena e Pavarur Kulturore, një grupim aktivistësh dhe profesionistësh të skenës shqiptare kanë ndarë një manifest i cili kërkon që pas zgjedhjeve të 11 majit kultura të kthehet në përparësi dhe 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të shkojë për të.

Ndërtesa ikonike e ish-Ministrisë së Kulturës. Foto: Media Amfora
Grupimi i artistëve dhe profesionistëve të Skenës së Pavarur Kulturore (SPK), ka ndarë “Manifestin e Kulturës” dhe që vë theksin tek vëmendja që institucionet duhet të kenë në të ardhmen për këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë dhe jetës sociale.
Manifesti i targetuar për të gjitha institucionet publike dhe palët e interesuara në sektorin e kulturës në vend publikohet pak ditë para se në Shqipëri të zhvillohen zgjedhjet e 11 majit, e ku në programet elektorale është konstatuar një përfshirje e ulët e stratëgjive dhe premtimeve për kulturën.
Ky manifest i realizuar nga aktivistët pasqyron përvojën, ekspertizën dhe përkushtimin e tyre në zhvillimin e artit dhe kulturës në vendin tonë, si edhe kërkon që kultura pas zgjedhjeve të jetë përparësi.
“Të garantohet që 1% e PBB-së të destinohet për kulturën”, është kjo kërkesa kryesore e Manifestit të Kulturës.
Manifesti kujton se në vitin 2024, shpenzimet publike për Argëtim, Kulturë dhe Çështje Fetare përbënin rreth 8.3 miliardë lekë (afërsisht 1.1% e buxhetit shtetëror ose 0.45% e PBB-së). Këto të dhëna në raport me PBB-në (Prodhimi i Brendshëm Bruto) dhe buxhetin për kulturën e renditën Shqipërinë të fundit në rajon dhe në Evropë.
Manifesti për Kulturën synon të vendosi artin dhe kulturën në Shqipëri në të njëjtin nivel me nismën evropian, “Mbështetja e Evropës është Mbështetje e Kulturës – 1% për Kulturën” (“Supporting Europe is Supporting Culture – 1% for Culture”).
Manifesti gjithashtu kërkon edhe krijimin e statusit të artistit. “‘Statusi i artistit’ është një domosdoshmëri për garantimin e të drejtave, sigurisë sociale dhe pensioneve dinjitoze për ata që kontribuojnë në jetën kulturore të vendit”, shkruhet në dokumentin e shpërndaë për publikun.
Dokumenti kërkon formalizimin e sektorit të kulturës, duke adresuar shkallën e lartë të informalitetit, përmes skemave të sigurimeve sociale të subvencionuara. Më tej kërkohet të krijohet një kod i dedikuar, NIPT për artin dhe “Freelance” kulturor.
Në vijim parashtron kërkesën për kushte favorizuese për zhvillimin e tregut të artit dhe për nxitjen e industrive krijuese nëpërmjet. Sipas dokumentit industria krijuese aktualisht kontribuon në rreth 0.5–1% të PBB-së, ndërsa studimet rajonale tregojnë se ka potencial për të arritur në 2–3% brenda 5 viteve, nëse politikat fiskale dhe edukimi profesional orientohen drejt këtij sektori.
Manifesti apelon që të zbatohet një shkallë e reduktuar e TVSH-së, jo më shumë se 6%, për artin dhe kulturën, si edhe lehtësime fiskale për ngjarjet dhe aktivitetet sezonale turistike. E po ashtu të hiqet tatimi mbi të ardhurat për sektorin jofitimprurës të artit dhe kulturës.
Aktivistët kërkojnë nga Parlamenti i ardhshëm krijimin e Qendrës Kombëtare të Arteve Performative (QKAP), si një ent publik jofitimprurës që mbështet projektet në fushat e arteve pamore, skenike, muzikore dhe të tjera. Sipas dokumentit QKAP do të funksionojë si një institucion i pavarur nga buxheti vjetor i qeverisë, i financuar nga një taksë e dedikuar për qytetarët.