“Çyryk e zdromsa” nga e gjithë Shqipëria, bashkohuni!
Kujdes! Ky artikull nuk sugjerohet të lexohet nga njerëzit me ndjeshmëri të lartë politike, veçanërisht të majtët.

Karikaturë për proceset zgjedhore nga burimet e hapura
Edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhet e 11 majit. Nuk e ekzagjërojmë aspak kur themi se kjo është mundësia e fundit për të bërë Shqipërinë.
Çfarë më frikson më shumë?! Nuk është 11 maji, por 18 maji. Po sikur të zgjohemi një javë pas zgjedhjeve dhe të kuptojme që asgjë nuk ka ndryshuar?! Po sikur Rama të jetë përsëri forcë e parë?! Po sikur ai që na konsideron çyryk të përcaktojë ende fatet tona?! Po sikur ai që na përgojon nderin, që na fton fëmijët në degjenerim, që na ka vjedhur, dhunuar dhe shkatërruar, të jetë ende aty?!
I imagjinoni edhe katër vite të tjera me korrupsionin dhe arrogancën në stratosferë?! Me “toll-e për të shkuar në Kukës, Shkodër, Himarë dhe nga Durrësi në Tiranë?! I imagjinoni dot 250.000 shqiptarë të tjerë që largohen nga Shqipëria? Vangys Dagazin ende drejtues politik në qarkun tonë?! Parkimet me pagesë, rrugët e pashtruara, sekserët poshtë Bashkisë “me mbyll” ndonjë punë, e “me kap” ndonjë lek?! I imagjinoni dot ende 5D-të që ju vjedhin edhe frymën nga mushkëritë apo drejtorët e droguar që ju bëjnë numra nëpër zyra?!
Unë jo! Nuk ka rëndësi çfarë na ka premtuar Rama këto muaj. Nuk ka rëndësi nëse ka premtuar një Dibër si Zvicrën. Ai premtoi një Durrës si Dubai, që nuk u bë kurrë! Nuk ka rëndësi nëse ka premtuar pasaporta BE-je. Ai premtoi ujë 24 orë dhe nuk u bë kurrë. Nuk ka rëndësi që ka premtuar një Shqipëri pa këneta dhe buf. Ai është vetë kënetë dhe buf!
Merrni pra zemër. Mos i lexoni sondazhet. Ndryshimi është prapa derës. Fryma se Rama do të fitojë është një ndjesi e rrënjosur nga propaganda e sondazheve analisto-kratike. Rama është po aq i brishtë sa nervat e tij. Ai sot më shumë se kurrë rrezikon shumicën prej 71 mandatesh. Fitorja e parë do të jetë pikërisht kufizimi i pushtetit të tij tiranik. Krisja që pushteti i tij do të marrë më 11 maj do të lejojë rrezen e parë të dritës të futet në shpellën tonë. Ndaj bashkohuni!
Dilni votoni. Nuk ka rëndësi për kë. Dilni votoni për kë të doni. Tregojini atij se nuk mund të na trajtojë si “‘çyryk e si zdromsa”. Tregojini atij se ne, që ai na konsideron “çyryk e zdromsa”, jemi stoli mbi të cilat ai mban këmbët e pushtetit të tij. Boll duruat poshërimet, shkatërrimet, dhunën. Boll duruat arrogancën dhe egoizmin. Boll ju mori nëpër këmbë. Boll ju vodhi dhe ju vrau. Bashkohuni!
Mos i harroni shtëpitë e prishura! Mos i harroni paratë e zhvatura! Nënat e rrahura! Fermerët e tallur! Malësorët e ofenduar! Mos i harroni tavolinat e zbrazura nga emigracioni! Mos i harroni jetët e humbura nga depresioni! Mos i harroni zgërdhirjet e tyre me lotët tuaj! Mos i harroni padrejtësitë në vendin e punës, gjobat e padrejta, zvarritjen nëpër zyra! Mos i harroni shuplakat ndaj gazetarëve! Mos e harroni Shqipërinë e dhunuar! Bashkohuni!
Shqipëria mund të bëhet vetëm nëse ne “çyrykët e zdromsat” nuk harrojmë, votojmë dhe guxojmë…bashkë!