Xhevahir i fshehur: Ndërtesa e Hekurudhës Shqiptare në kërkim të shkëlqimit

Ndërtesa e drejtorisë së Hekurudhës Shqiptare më shumë se një objekt që ruan historikun e saj, është një ndërtesë ikonike për Durrësin. Ajo vijon të shërbejë për administratën hekurudhore, por mbetet në pritje të rikonstruksionit për të zbutur amortizimin e saj.

Ndërtesa e Hekurudhës Shqiptare. Foto: Media Amfora

Pas një morie objektesh të reja dhe pallatesh, përballë Portit të Durrësit fshihet një objekt mjaft i veçantë, plot stil dhe elegancë. “Xhevahiri” që i ka mbijetuar kohës përfaqëson një ndërtesë tipike të stilit italian, e vetmja në qytetin bregdetar me këto karakteristika dhe përmasa.

“Kjo godinë është ndërtuar në vitin 1929 nga Italianët dhe fillimisht ka shërbyer si stacion elektrik, në funksion tëfurnizimit me energji elektrike të qytetit të Durrësit”, tha për Amforën Leonard Jani, një prej ish-drejtuesve të Hekurudhës dhe aktualisht këshilltar i shoqërisë.

Nga aty që prej vitit 1947 nisën linjat e para hekurudhore të vendit, ai ajo nga Durrësi drejt Peqinit, Tiranës, Shkodrës dhe që e kthyen qytetin në qendrën e transportit hekurudhor shqiptar.

Ndërtesa ikonike ku ende sot vijon të jetë e vendosur administrata e Shoqërisë Aksionare “Hekurudha Shqiptare”, në pjesën e pasme strehon edhe Policinë Bashkiake, por që prej vitesh ajo ka pësuar amortizime që kërkojnë ndërhyrje meremetuese.

“Vlen të nënvizojmë se godina ka nevojë për investime në të gjithë strukturën e saj, por një vëmendje të veçantë dhe imediate investimi mertion vend-strehimi i godinës, me qëllim eleminimin e ujëra të pranishme në të, që shkakton lagështirën, e cila evidentohet dhe në katet e tjera të ndërtesës”, shpjegoi në një përgjigje zyrtare Hekurdhua Shqiptare.

Objekti është në gjendje të mirë strukturore, por nevoja për ndërhyrje mbetet, përfshirë hapësirën e saj, një lulishte, ambiente parkimi dhe shërbimi.

“Ka qenë dhe është një pikë mjaft e rëndësishme për qytetin, pasi Hekurudha ka qenë nderi i Durrësit dhe rëndësi ka pasur edhe godina e saj”, rrëfeu Leonard Jani.

“Nga inxhiner i thjeshtë, deri tek drejtor i përgjithshëm, nga 1978 deri në vitin 2005, kam punuar në Drejtorinë e Hekurudhës. Në 2005-në jam larguar nga puna, për tu rikthyer pas pesë vitesh, si këshilltar i shoqërisë, ku ende shërbej”, tregoi më tej Jani, një prej durrsakëve që vijojnë të jenë të lidhur shpirtërisht me një prej simboleve transportit shqiptar.

Ndërtesa e Hekurudhës Shqiptare. Foto: Media Amfora
Ndërtesa e Hekurudhës Shqiptare. Foto: Media Amfora

Si një prej simboleve të Hekurudhës Shqiptare, ndërtesa rezistoi pa dëmtime serioze përballë shkundjes së tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019. Megjithatë ajo ka nevoja të ngutshme për mirëmbajtje dhe ndërhyrja e fundit i përket 10 viteve më parë.

“Godina në vitin 2015 i është nënshtruar punimeve mirëmbajtëse, që konsistonin në fasadën e saj (suvatime, lyrje, stukime etj.). Pas kësaj periudhe nuk ka patur punime të ngjashme, veç punimve të lokalizuara estetike në ndërtesë”, shpjegoi zyrtarisht për Amforën, Hekurudha Shqiptare.

“Në vitet 1949-1950, u vlerësua që të adoptohej si Stacion Hekurudhor. Që nga ajo kohë, e gjerë më sot është pjesë e aseteve që Hekurudha Shqipatare Sh.A. posedon”, shpjegoi më tej përgjigja.

Ndër vite stacioni hekurudhor ka pësuar një tranzicion të lehtë, duke u zhvendosur sipas fliksit të pasagjerëve dhe të mallrave nga periferia e qytetit, në Shkozet, drejt ndërtesës ku gjendet sot drejtoria dhe deri në pikën ku gjendet sot stacioni i trenit, në hyrje të qytetit.

“Ashtu siç e dimë, hekurudha filloi fillimisht në Shkozet, atje ishte një godinë e vjetër që kishte pikën e saj dhe më pas u vendos këtu që të kishte lidhje me portin sepse aktiviteti kryesor i hekurudhës atëherë lidhej me portin”, shpjegoi Jani.

“Ashtu siç u ndërtua hekurudha që çdo gjë fillonte nga Durrësi dhe godina ka rëndësi për një institucion, ndaj edhe u vendos ku është sot”, shtoi ai. 

Pjesa e pasme e ndërtesës së Hekurudhës Shqiptare. Foto: Media Amfora
Pjesa e pasme e ndërtesës së Hekurudhës Shqiptare. Foto: Media Amfora

Stacioni i Durrësit ishte terminali kryesor i vendit, nga ku niseshin mallra dhe pasagjerë që përshkonin udhët e hekurta drejt drejt lindjes për në Pogradec, më tej drejt jugut për në Vlorë dhe drejt veriut për në Shkodër.  

Megjithëse ndërtesa nuk rezulton në listën e mbrojtjes si Monument Kulture, ajo është pjesë e trashëgimisë historike të vendit dhe përfaqëson një stil të veçantë për Durrësin, por ende nuk ka një projekt konkret për rikonstruksionin e saj.

“Kjo godinë ka kopleksitetin e saj ndërtimor, se ndërtesa është konceptuar e ndërtuar me themele të vazhduara, por aktualisht nuk ka një projekt që premton rikthimin në identitet të godinës”, përfundoi përgjigja e Hekurudhës Shqiptare.