Bashkimi Evropian vlerëson me çmime gazetarët investigativ në Shqipëri

Bashkimi Evropian ndau 3 çmime për gazetarët që u vlerësuan për tregimet më të mira investigative në Shqipëri përgjatë vitit 2023. Vendi i tretë shkoi për gazetarët Geri Emiri, Aida Ciro dhe Aleksandar Dimitrievski nga Amfora.al, për artikullin që ekspozoi sfidat me të cilat përballen fermerët në Ballkan për aksesin në fondet e BE-së përmes Programit IPARD.

Në një ceremoni të organizuar nga Bashkimi Evropian pasditen e së enjtes, u ndanë 3 çmime për gazetarët që publikuan historitë më të mira investigative në Shqipëri përgjatë vitit 2023.

Gazetarët Anesti Barjamemaj, Vladimir Karaj, Ola Xama, Geri Emiri, Aida Ciro dhe Aleksandar Dimitrievski, u përzgjodhën midis shumë kolegëve si fituesit e këtij viti për historitë e tyre për krimin mjedisor, ekspozimin rolin të zyrtarëve të lartë, korrupsionit dhe vështirësitë me të cilat përballen fermerët në Ballkan.

Kreu i Seksionit Politik të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, André Rizzo, foli për rolin e gazetarisë investigative në kontrollin e pushtetit dhe nxitjen e llogaridhënies si pjesë e demokracisë.

“Në një botë ku ritmi i ciklit të lajmeve dhe konsumi i lajmeve është kaq i shpejtë, këto çmime synojnë të promovojnë përsosmërinë në gazetarinë investigative që u mundëson qytetarëve të kuptojnë më thellë lajmet”, tregoi Rizzo.

Kreu i Seksionit Politik të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, André Rizzo, gjatë fjalës së tij. Foto: Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri

Gazetarët Anesti Barjamemaj dhe Vladimir Karaj nga Reporter.al dhe Zëri i Amerikës, u vlerësuan me vendin e parë për hetimin e tyre për krimin mjedisor në Landfillin e Sharrës, duke ekspozuar derdhjet e mbetjeve toksike në Lumin Erzen.

Gazetarja Ola Xama nga Reporter.al u vlerësua me vendin e dytë për zbulimin e rolit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në projektin e diskutueshëm të Inceneratorit të Tiranës.

Gazetarët nga Amfora.al, Geri Emiri dhe Aida Ciro nga Shqipëria dhe gazetari Aleksandar Dimitrievski, nga Maqedonia e Veriut,  u vlerësuan me vendin e tretë për artikullin që tregoi sfidat me të cilat përballen fermerët në Ballkan për aksesin në fondet e programit IPARD. 

Investigimi i publikuar nga Amfora zbuloi se pezullimi i përkohshëm për Shqipërinë i programit për bujqësinë IPARD II, pas dyshimeve të Bashkimit Evropian për korrupsion, është vetëm maja e ajsbergut të paketës së granteve 94.6 milionë euro. 

Sipas gjetjeve të hulumtimit, programi në Shqipëri u kthye në një “klub ekskluziv” për kompanitë e mëdha dhe ato të lidhura me politikën dhe krimin. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut programi ekspozoi lidhje të ngjashme, por sporadike dhe më minimale krahasur me vendin tonë. 

“Investigimi ynë më shumë se abuzimit me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe korrupsionit të të niveleve të ndryshme kryesisht në Shqipëri, i dedikohet një prej grupeve më vurnerabël të shoqërisë, bujqve dhe blegtorëve”, shpjegoi bashkëautori i investigimit, Geri Emiri.

“Ndërsa në aspektin profesional, çmimi i sotëm mendoj se i dedikohet gazetarisë së vërtetë, asaj parimore, që verifikon çdo detaj, që nuk tërhiqet përballë presioneve dhe që nuk rend pas “scoop”-it”, shtoi Emiri, duke theksuar se rezultati erdhi pas përkushtimit dhe punës në ekip.

Drejtuesi i Medias Amfora, Geri Emiri, gjatë fjalës së tij. Foto: Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri

Juria me 3 anëtarë që përzgjodhi fituesit në Shqipëri, përbëhej nga Ilda Londo, e cila është koordinatore kërkimore në Institutin Shqiptar të Medias që nga viti 2001 dhe e specializuar në lirinë e medias, performancën rregullatore dhe zhvillimin e saj.

Anëtarja tjetër ishte Albana Kasapi, gazetare e lartë dhe redaktore e programit “Weekend”, në BBC World Service Radio. E vendosur në Mbretërinë e Bashkuar, ajo ka raportuar për ngjarje të mëdha në të gjithë Ballkanin, Moskë, Kiev dhe më gjerë.

Elira Çanga ishte anëtarja tjetër e jurisë dhe eksperte për zhvillimin e medias, me role të ndryshme ndër vite në OSBE, British Council dhe USAID. Ajo është edhe një pioniere në verifikimin e fakteve dhe modernizimin e medias në Shqipëri.

Çmimet e Bashkimit Evropian për Gazetarinë Investigative jepen nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me “Thomson Media”, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi, për të fuqizuar dhe mbështetur gazetarinë e pavarur dhe gazetarët investigativë.  


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109