“Klerikët miq të Durrësit”, dokumentari kushtuar miqësisë dhe bashkëjetesës fetare

Premiera e dokumentarit “Klerikët miq të Durrësit” kushtuar jetës dhe veprimtarisë së drejtuesve të komuniteteve fetare të qytetit bregdetar gjatë viteve 1920-1940, kujtoi një shekull më pas miqësinë midis tyre dhe përcolli mesazhin e bashkëjetesës fetare.

Salla e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës priti qindra qytetarë mbrëmjen e së mërkurës, ku gazetarët Gëzim Kabashi dhe Astrit Tahiri i prezantuan të pranishmëve dokumentarin kushtuar klerikëve të qytetit në vitet ’20-40 të shekullit të kaluar dhe marrdhënien unike që kishin krijuar mes tyre.

Muftiu Mustafa Varoshi (1898-1948), At Erazmi Jorgo (1900-1989), Ipeshkvi Jul Bonati (1874-1951) dhe Ipeshkvi Vinçenc Prennushi (1885-1949), janë emrat e personaliteteve që jo vetëm drejtuan komunitetet e tyre fetare në qytet, por nisën rrugëtimin e një lidhje më shumë se institucionale mes tyre, duke ndërtuar traditën e bashkëjetesës fetare. 

Gazetari Gëzim Kabashi, kujtoi në fjalën e tij se si nëntë vite më parë, pas aktit terrorist në kryeqytetin e Francës me 12 viktima, mes të cilëve gazetarë dhe punonjës policie, në Paris u zhvillua një manifestim ndërkombëtar për bashkëjetesën fetare.

“Bota e qytetëruar u habit nga Shqipëria. Katër klerikë shqiptarë të besimeve të ndryshme sollën në rrugët e kryequtetit francez mesazhin e harmonisë fetare”, kujtoi Kabashi në fjalën e tij.

“E njëjta gjë ndodhte në Durrës në periudhën 1920-1940, kur drejtuesit e bashkësive fetare shëtisnin së bashku në rrugët e qytetit që sapo kishte nisur zhvillimin dhe modernizimin e tij”, vijoi gazetari duke i’u referuar përmbajtjes së dokumentarit.

Shfaqja e dokumentarit në Teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Foto: Media Amfora

Ai u realizua pikërisht në vitin 2024, që shënon 100 vjetorin e fillimit të shërbimit në Durrës për imamin e ri, Mustafa Varoshi, që sapo kishte përfunduar studimet teologjike.

Nga ana tjetër At Erazmi Jorgo apo Paparazma siç e njihnin banorët, 100 vjet më pare nisi veprimtarinë në Durrës me bekimin e themeluesit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fan Noli.

“Ishin mjaft të rinj për të drejtuar besmitarët e tyre, 26 dhe 24 vjeç, por së bashku me klerikët me përvojë, imzot Jul Bonati dhe imzot Vinçenc Prennushi, e kryen këtë detyrë, përkrah njëri-tjetrit me shumë dinjitet, duke fituar admirimin e bashkëqytetarëve durrsakë”, tha gazetari Kabashi.

Një shekull më vonë u nderua kujtimi i tyre, duke kujtuar porositë që ata përcollën.

“Kultura e harmonisë ndërfetare te ne, nuk është një gjë që qëndron pezull. Toleranca dhe bashkëjetesa fetare nuk është diçka që lidhet me oportunitet e çastit, porse është diçka thelbësore, e qenësishme. Ajo kërkon përkujdesje. Ne kemi kuptuar që kjo është jetike për interesat e popullit tonë, i cili jeton në një shoqëri multireligjoze dhe multikulturore”, citoi Kabashi.

Të pranishmit ndoqën dokumentarin kushtuar klerikëve të qytetit, përmes rrëfimit të studiuesve, familjarëve, fotografive, kujtimeve dhe dominoi mesazhi mbi miqësinë e këtyre personazheve, marrëdhëniet mes tyre dhe sfidat me të cilat u përballën gjatë gjithë jetës.

Kolona zanore e dokumentarit u realizua nga kompozitori Haig Zacharian dhe u lexua nga gazetarja ikonë e Radio Televizionit Shqiptar, Tefta Radi.  

Relalizuesit e këtij dokumentari, gazetarët Gëzim Kabashi dhe Astrit Tahiri e vendosën theksin tek mesazhi që përciell miqësia mes klerikëve të qytetit, atë të respektit, tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare.

Gjatë 5 viteve të fundit, ky ekip ka realizuar edhe 2 dokumentarë për figura të spikatura të jetës qytetare të Durrësit, që janë shpallur “Nderi i Kombit”, arkeologu Vangjel Toçi dhe regjisori, shkrimtari e përkthyesi Gjergj Vlashi, Po ashtu dokumentarii për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, në 100 vjetorin e themelimit dhe dokumentari, “Ishmi turistik në shekullin e ri”.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109