5 “perla” të arkitekturës gjirokastrite dokumentohen në detaje dhe sugjerohet restaurimi i tyre

Studentë, pedagogë dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore u fokusuan në 12 kryeveprat e arkitekturës së qytetit muze të Gjirokastrës, duke dokumentuar tërësisht gjendjen e tyre përmes përdorimit të mjeteve digjitale. Ata shfaqën në një ekspozitë 5 projekte restaurimi që kërkojnë vetëm zbatim.

Studentë dhe pedagogë kanë realizuar muajt e fundit projekte që kanë në fokus skanimin e plotë, dokumentimin dhe ofrimin e zgjidhjeve për restaurimin e 12 banesave karakteristike të qytetit muze të Gjirokastrës.

Shumë prej objekteve kryesore të Gjirokastrës nuk kanë patur dokumentim tërësor të gjendjes ekzistuse dhe puna disa javore e 18 grupeve të studentëve u përqendrua në rilevimin dhe “diagnostifikimin” e plotë të banesave muzeale, duke mbledhur edhe dëshmi nga pronarët e tyre. 

“Ne kemi punuar në dokumentimin e gjendjes aktuale të banesave, pozicionimin e çdo elementi dekorativ, kryesisht pozicionin e dritareve, çatisë, elementët e brendshëm, që t’i nxjerrim dhe t’i kemi të dokumentuara në modele kompjuterike”, tregoi Nikolla Vesho, profesor në Universitetin Polis. 

Projektet e restaurimit përdorën metodat bashkëkohore të dokumentimit dhe analizimit. Foto: Media Amfora

Sipas tij ky është një kontribut për komunitetin sepse shumë objekte kërkojnë ndërgjegjësim për vlerat që kanë dhe dokumentimin e plotë të gjendjes së tyre fizike, duke përdorur metoda bashkëkohore.

“Nëpërmjet kësaj pune studentët kanë dhënë një kontribut për komunitetin, kanë ngritur zërin për objektet që kanë shumë vlera dhe që po i humbin këto vlera, por edhe me projekte sepse po japin draft projektesh, të cilat nëse gjenden fondet mund të fillojnë të aplikohen, jo të gjitha, por 5 prej tyre po”, tregoi më tej Vesho për Median Amfora.  

PhD. Ing. Nikolla Vesho duke folur për Median Amfora

Risia e studimit që i bashkëngjitet procesit të mundshëm të restaurimit është digjitalizimi, skanimi i objekteve, krijimi i modeleve kompjuterike dhe përgatitja e ndërhyrjeve restauruese që nuk sjellin humbje të vlerës së objekteve nga ndërhyrjet e gabuara. 

Studentët e Universitetit Polis nga fusha e restaurimit dhe arkitekturës përmes 2 kampeve punuan në terren, duke ofruar një alternativë edhe ndaj autoriteteve publike, të cilat kanë tashmë dokumentimin digjital dhe sugjerime restaurimi për banesat më të rëndësishme të qytetit muze të Gjirokastrës.

“Me institucionet lokale kemi folur që ta zgjerojmë fokusin, me kishat, xhamitë dhe urat”, përfundoi Vesho.  

Projektet u analizuan nga ekspertët e trashëgimisë kulturore. Foto: Media Amfora

Punimet u ekspozuan në Universitetin Polis, ku morën pjesë studentët, profesorët udhëheqës, drejtuesi i bashkisë dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, që ishin partnerë, si edhe dashamirës të tjerë të trashëgimisë kulturore.

Studimet e realizuara pritet që të sillen përmes një botimi që përmbledh analizat teknike, zgjidhjet dhe sugjerimet që lidhen me restaurimin e banesave kryesore të qytetit që është pjesë e pasurisë së botërore të UNESCO-s.

“Botimi do të fokusohet në restaurimin e banesave të Gjirokastrës, në të do të jenë të gjitha punët e studentëve pa diskutim, stafit akademik dhe është një botim i Polis Press”, shpjegoi Kristiana Meço, asistente pedagoge në lëndën e Restaurimit dhe Trashëgimisë Kulturore.

PhD. C. Arch. Kristiana Meço duke folur për Amforën. Foto: Universiteti Polis

“Kjo ekspozitë përveçse këtu, do të hapet edhe në Gjirokastër”, përfundoi ajo. 


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109