“Ura e Darsit” në Mat, monumenti që kërkon më shumë vëmendje

Ura monument kulture në Fshatin Dars pranë Klosit, e njohur edhe si e “Halilajve”, për nga vlerat historike është pjesë e krenarisë vendase dhe pas një ndërhyrje të vitit 2021, kërkohet më shumë vëmendje për gjendjen dhe sinjalistikën e saj.

E ngritur mbi degën e Zallit të Xhabzës dhe vetëm 500 metra larg Lumit Mat, në zonë ajo njihet si “Ura e Halilajve” dhe me pamjen e saj tërheq vizitorët dhe banorët e zonës.

Ndërtimi mendohet të jetë realizuar të paktën 2 shekuj më parë nga një pinjoll i Fisit Halili. Ura gjendet në fshatin Dars të Matit, pak minuta larg qendrës së Klosit.

“Ura e Darsit” siç njihet nga institucionet e kulturës, u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë me urdhërin e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, më 08 janar 1977.

“Struktura e saj është mbresëlënëse dhe bën kureshtar këdo që i afrohet”, rrëfeu Dritan Kurti, gazetar vendor, i cili e ka raportuar disa herë gjendjen e urës, deri në nxitjen e autoriteteve për restaurimin e monumentit. 

Ajo nuk përdoret shpesh nga banorët e Fshatit Dars, pasi vetëm pak metra larg saj ndodhet një urë e tipit “Bailey”, e parafabrikuar dhe me traste. Ura monument kulture është ngritur mbi shkëmb dhe harqet që përcaktohen si të stilit venecian, duke ruajtur ende një prej “dritareve të shkarkimit” në rast të prurjeve të shumta të përroit.

“Pas inspektimit të fundit, realizuar në fillim të muajit janar, kjo pasuri kulturore u vlerësua në gjendje të mirë”, u përgjigj zyrtarisht Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Tiranë.  

“Ura e Darsit” në Mat pas restaurimit. Burimi: “Facebook” – DRTK Tiranë

Për gazetarin Dritan Kurti, kjo urë ishte drejt degradimit të plotë deri pak vite më parë dhe ndërhyrja e autoriteteve e ka përmirësuar gjendjen, por pa mundur t’i japi zgjidhje të gjitha problematikave të monumentit.

“Pasi e ngrita disa herë shqetësimin, erdhi reagimi dhe është bërë një ndërhyrje restauruese e pjesshme, por që siguron jetëgjatësinë e saj”, rrëfeu Kurti për Median Amfora. 

Ai shtoi se nuk është bërë sa duhet për këtë monument, pasi ura ka nevojë t’i pastrohet shpesh herë vegjetacioni që e rrethon, i cili rrezikon munumentin dhe ul shikueshmërinë e tij. 

Ndërhyrja e DRTK Tiranë në vitin 2021 pas miratimit të projektit të restaurimit, u fokusua tek riparimi i kalldrëmit, i cili kishte nisur të dëmtohej herët dhe ishte raportuar disa herë në media.

Pozicioni i saj, gati 1 kilometër larg qytetit të Klosit, e bën lehtësisht të vizitueshme nga vendasit dhe të huajt, por monumenti duket se ka nevojë për më shumë promovim.

“Mendoj që duhet të promovohet nga autoritetet lokale, minimumi të vendoset një tabelë me të gjithë informacionin rreth saj, në shqip dhe në anglisht, në mënyrë që çdo vizitor ta njohë historikun e kësaj vepre”, shpjegoi Dritan Kurti.

“Po ashtu, duhet një tabelë turistike në fillim të rrugës në Klos, që të dërgon tek kjo urë”, përfundoi ai. 

Një tjetër urë shumë pranë qendrës së Klosit. Foto: Media Amfora

Në këtë zonë gjenden edhe ura të tjera, një pjesë e të cilave nuk janë monumente kulture, që shërbenin për të lidhur jo vetëm banorët e Matit, por edhe karvanet e tregtisë që përshkonin rrugën nga Kruja në Dibër.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109