5 vite Media Amfora, dedikuar arkeologjisë dhe monumenteve të kulturës

Më 11 shkurt Media Amfora shënoi 5 vjetorin e themelimit të saj, duke përfaqësuar sot një media online me fokus raportimin për arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore materiale.
Si një krijim inovator, Media Amfora lindi filimisht në formën e një punimi diplome nga studenti i gazetarisë në atë kohë,Geri Emiri, në nivelin arsimor “Bachelor”, në “Atelien e Multimedias”, pjesë e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, në Universitetin e Tiranës.
Zhvillimet në qytetin e Durrësit pas zbulimit të mbetjeve arkeologjike gjatë punimeve për ndërtimin e sheshit të ri Veliera nxituan nevojën për një media të profilizuar në raportimin për arkeologjinë. Më datë 11 shkurt 2017 me adresën www.amfora.al u shfaq për herë të parë faqja online e medias.
Raportimi mbi punimet e sheshit në ndërtim Veliera, dëmtimit të arkeologjisë dhe rezistencës së qytetarëve ndaj projektit, mori pothuajse një vit intensiv dedikuar zhvillimeve aty.
Por sfidat e qytetit të Durrësit në raport me zbulimet arkeologjike dhe dëmtimin e tyre shtriheshin edhe në projektet private. Lindi nevoja e investigimit me metoda gazetareske edhe në kantieret e ndërtimit të pallateve.
Punimet që zhvilloheshin gjatë natës ishin delikate dhe në mungesë të monitoirimit nga arkeologët e licensuar privat apo nga institucionet përgjegjëse. Vëzhgimi gazetaresk u zhvillua në disa prej kantiereve të ndërtimit në qytet përgjatë orëve të para të mëngjesit.
Realizimi i një raportimi profesionist duke përfshirë ekspertizën e arkeologëve dhe specialistëve të fushës ishte themeli i punës së Blogut Amfora. Institucionet e kulturës dhe autoritetet e tjera viheshin në dijeni për rastet e dëmtimeve të evidentuara në terren dhe kërkohej qëndrimi i tyre por edhe dokumentet publike që ata posedonin për rastet.
Larg financimeve nga bota e biznesit dhe fijeve të lidhura me të, veprimtaria mediatike për disa vite u zhvillua në bazë vullnetare dhe jofitimprurëse.

Video-dokumentar për rrugëtimin e Medias Amfora që nga momenti i themelimit të saj

Ndër vite qytete të tjera simbol të vlerave kulturore, si Gjirokastra, Berati, Shkodra dhe të ngjashëm me to kanë rënë pre e abuzimit në emër të zhvillimit urban, duke shkatërruar vlerat arkeologjike dhe historike. Kjo solli nevojën që fokusi i raportimit të zgjerohej përtej rajonit të Durrësit.
Sot Media Amfora nuk përfaqëson më vetëm kontributin e themeluesit të saj, por të një ekipi bashkëpunëtorësh të përbërënga gazetarë profesionistë, fotograf, operator, editor dhe ekspertë të fushës së medias.
Viti 2021 shënoi një rritje të produkteve mediatike dhe kapaciteteve teknike e humane, përmes një bashkëpunimi me BritishCouncil, në kuadër të projektit “Media për të Gjithë”, mbështetur nga Qeveria Britanike.
Nisi krijimi i një cikli video-dokumentarësh të shkurtër, ku promovohet historia e qytetit të Durrësit, duke nisur ngaperiudha e prehistorisë deri në atë moderne, përmes serisë së videove “Kultura në 1 minutë”.
Gjithashtu krijimi i një cikli podcast-esh të quajtura “Zëri i kulturës”, promovon histori, personazhe dhe nisma që synojnë të nxisin diskutimin publik.
Gjithashtu përmes nismës “Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar” janë ftuar të apasionuarit dhe të gjithë qytetarët që tëraportojnë mbi raste konkrete që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe arkeologjinë, duke dhënë informacione apoplotësuar pyetësorët që publikohen në faqe, lidhur me opinionet që ata kanë për trashëgiminë kulturore materiale apo rasteqë duhen raportuar nga media.
Misioni i Medias Amfora mbetet ekspozimi, ruajtja dhe promovimi i arkeologjisë dhe trashëgimisë sonë kulturore, mefokus në rajonin e Durrësit. Vijimi i këtij misioni do të ishte i pamundur pa besimin që lexuesit na kanë dhënë dhe pa mbështetjen e qindra dashamirësve të arkeologjisë dhe trashëgimisë kutlurore, që kanë ofruar bashkëpunimin e tyre.
Në 5 vjetorin e themelimit të Medias Amfora, ajo u vlerësua me titullin e lartë “Mirënjohja e Qytetit”, dorëzuar nga kryetari i “Shoqatës Durrësi Autokton”, Abdulla Deliallisi, me motivacionin: “Për kontributin në informimin me paanësi dhe profesionalizëm të problemeve në fushën e trashëgimisë kulturore, si edhe ekspozimin e tyre në rajonin e Durrësit”.