Katër djemtë e Familjes Nushi, ndër themeluesit e futbollit në Durrës
Nisma “Qyteti që Rrëfen” sjell të pa thënat e historikut të Familjes Nushi, ndër themeluesit e ekipit të futbollit në Durrës. Ata ishin katër djem të shkolluar në Europë që bashkuan njohuritë e tyre me pesë të rinj të tjerë durrsak dhe krijuan ekipin e parë të futbollit, atë që sot e njohim si “Teuta e Durrësit”. Gjithashtu ata ishin pjesëmarrës në sporte të ndryshme, fitues të disa çmimeve, themelues të kanotazhit dhe të sportit të “Water Polo”.
Durrësi surprizon sërish me historikun e familjeve të tij, pasi veç rolit të tyre në momente të rëndësishme të historisë së qytetit, familjet durrsake kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar në zhvillimin e qytetit, gati në të gjitha fushat e tij, përfshirë artin, kulturën dhe sportin.
I tillë është dhe kontributi i familjes Nushi, katër djemve të saj, emrat e të cilëve janë të lidhur ngushtësisht me sportin aq të dashur sot, futbollin, por që dikur ishin ata që e praktikuan të parët dhe e zyrtarizuan atë.
Në vendin që njihej si “Ara e Myshketës”, aty ku sot gjendet Mauzoleumi i Dëshmorëve, e denjë për një fushë futbollim fill pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ushtarët italianë kalonin kohën duke luajtur futboll, në pritje për tu kthyer në atdhe.
Rinia durrsake e kohës i ndiqte me interes ndeshjet me një portë, por nuk dinin të luanin. Kureshtjen e tyre e shuan vëllezërit Spiro, Telemaku, Thomai dhe Mikel Nushi, ndër të paktët që kishin njohuri për futbollin.
“Këto informacione pasurojnë historinë e njohur deri më sot nga publiku i gjerë si dhe kontribuojnë në shkrimin objektiv një herë e mirë të historisë së themelimit të sporteve në Durrës”, komentoi publikimin e këtyre informacioneve për herë të parë, Mikel Nushi, trashëgimtar i familjes.
“Jo vetëm sepse janë dëshmuar nga vetë protagonistët, por faktohen edhe tërthorazi nga burimet dokumentare, si fotot, ditaret e të tjera dhe ky prezantim i ri mund të konsiderohet një version i ri, i përpunuar dhe i shëndoshë i historisë sportive të qytetit”, shtoi ai.
Origjina e themelimit të ekipit të parë të futbollit të Durrës, u zbulua falrë dorëshkrimeve të Telemak Nushit, që ju vendosën në dispozicion të të rinjve të Grupimit Informal Busulla e Trashëgimisë, e cila në bashkëpunim me Median Amfora ka ndërmarrë nismën “Qyteti që Rrëfen”.
Ajo synon dokumentimin dhe publikimin e historive të familjeve kryesore që ndikuan në transformimin e historisë së qytetit të Durrësit, duke frymëzuar përmes figurave historike të tyre dhe është ndërmarrë me mbështetjen e Leviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC
“Është fantastike ajo që kemi mësuar sepse më pëlqen futbolli dhe luaj me shokët në kohën e lirë, por ajo që kam mësuar rreth historikut të futbollit dhe ekipit të Durrësit më ka surprizuar”, tregon Bekër Sijoni.
I riu është një ndër 7 intervistuesit e pasionuar pas trashëgimisë së qytetit, të cilët janë bërë pjesë e nismës dhe në bashkëpunim me pasardhësit e familjeve në Durrës kanë ndihmuar në krijimin e pasaportave të tyre.
“Jam habitur kur mësova se në verën e vtitit 1920 në Durrës lindi Shoqëria Sportive Atdheu dhe kryetar u zgjodh Spiro Nushi, duke sjellë më vonë themelimin e ekipit të sotëm të futbollit në Durrës”, shtoi Sijoni.
Në vitin 1930 djemtë e Shoqërisë Sportive Atdheu u ulën në bisedime me një ekip tjetër që kishte lindur në qytet dhe që quhej Lulëzimi. Ata ranë dakord për të tu shkrirë dhe për të bashkëthemeluar Sport Klub Teutën, ekipi që përfaqëson Durrësin ende në ditët e sotme.
“Informacionet për aktivitetet e Familjes Nushi në sporte bazohen së pari në të dhënat e rrëfyera nga vetë protagonistët sa ishin gjallë, pra Telemaku, Thomai dhe Mikeli”, tregoi për Median Amfora, Mikel Nushi.
“Informacionet janë transmetuar tek brezat e rinj të familjes, si edhe nga dëshmitë dokumentare në trajtën e albumeve fotografike, shënimeve, ditareve, të cilat faktojnë në mënyrë të detajuar thuajse çdo ngjarje sportive, materiale të cilat gjenden në arkivin e familjes”, përfundoi Nushi.
Krijimi i pasaportës për origjinën dhe kontributin e Familjes Nushi evidentoi edhe se si ndikoi futbolli në ndryshimin e mentalitetit të kohës.
“Sporti duket se solli edhe emancipim për qytetin, ku në ndeshjen e kthimit me ekipin Agimi të Tiranës, në fushën e Durrësit për herë të parë morën pjesë edhe tifozet gra”, sipas kujtimeve të Telemak Nushit.
Njëri prej vëllezërve, Telemak Nushi, punoi për disa vite edhe si arbitër dhe trajner futbolli. Ndërsa nga fundi i viteve ‘20 ai nisi të organizonte për herë të parë në qytet edhe garat e kanotazhit. Shoqëria Sportive Atdheu organizonte edhe kampionate lokale noti.
Edhe trashëgimtarët e tjerë të familjes vijuan kontributin për sportet në qytet. Jorgji Nushi II apo Xhoxhi siç e njohin të gjithë, përfaqëson sot rastin unik të një sportisti që është shpallur kampion në rang kombëtar në 3 sporte të ndryshme.
Në pranverën e vitit 1955 ai u shpall kampion kombëtar i atletikës në ushtrimin 110 metra me pengesa. Më tej në verë u shpall kampion kombëtar me skuadrën e sapo themeluar të sportit “Water Polo”, ndërsa pak muaj më pas u shpall kampion kombëtar me skuadrën e volejbollit të meshkujve. Në vitin 1956 dhe 1957 ripërsëriti rezultatet e tij në “Water Polo”, duke u shpallur kampion i Shqipërisë. Ai ishte për disa vite edhe lojtar profesionist i skuadrës së basketbollit të qytetit.
Të rinjtë aktivistë të Grupimit Informal “Busulla e Trashëgimisë” zbuluan edhe se në vitin 1955 në Durrës ushtrohej spori i “Water Polo”.