Organizatat e Shoqërisë Civile: Të brishta financiarisht, por të motivuara

Raportet për Organizatat e Shoqërisë Civile në vend tregojnë rritje të numrit të tyre vit pas viti, por ato vijojnë të mbeten të brishta financiarisht. Megjithatë ato vazhdojnë të japin kontribut në përmirësimin e shoqërisë dhe institucioneve, teksa ekspertët bëjnë thirrje për mos ndikim politik ndaj këtij sektori.

Në Shqipëri koncepti dhe ndërveprimi përmes Organizatave të Shoqërisë Civile erdhi me pluralizmin politik dhe rënien e sistemit komunist, gjatë të cilit organizimi kolektiv ishte i ndarë deri në qelizë për çdo sektor të shoqërisë, por brenda një kornize strikte politike.

“Shoqëria civile” sipas një raporti të publikuar nga OSBE në vitin 2018 përfaqëson, “grupime të ndryshme aktorësh, komunitetesh dhe formacionesh shoqërore, të regjistruara zyrtarisht ose jo, që përfaqësojnë një shumëllojshmëri rolesh dhe angazhimesh në jetën publike, për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave dhe objektivave të përbashkëta”.

Deri në fund të vitit 2020 në Shqipëri sipas Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, rezultojnë të regjistruara 11.962 Organizata të Shoqërisë Civile (OSHC). Nënndarja më pas është e organizuar në 6331 shoqata, 1442 qendra dhe 742 fondacione.  

Por “Indeksi i Qëndrueshmërisë së OSHC-ve për vitin 2020” gjeti se në fund të vitit 2020, vetëm 4972 e OSHC-ve ishin të regjistruara në organet tatimore, ndër to 175 organizata ishin të regjistruara së fundmi.

Raporti i përgatitur nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar, USAID,  gjeti se përgjatë vitit 2020 u regjistruan gjithsej 223 organizata të reja, ndër to 138 shoqata, 63 qendra dhe 22 fondacione.

Ekspertët mendojnë se prania e OSHC-ve ka ndikuar në përmirësimin e shoqërisë dhe ato kanë evoluar sipas nevojave të kohës, duke u profilizuar edhe në fusha e grupe specifike të shoqërisë.

“Gjithmonë objektivi është i lëvizshëm, lëviz bashkë me shoqërinë, që nga momenti në vitet’ 90 me ardhjen e demokracisë, objektivat dhe aspiratat ishin të ndryshme nga ato që kemi sot”, tregon për Median Amfora, Spiro Paço, drejtor ekzekutiv i Institutit për Integrim dhe Kohezion Social.

Spiro Paço, drejtor ekzekutiv i Institutit për Integrim dhe Kohezion Social. Foto Geri Emiri/ Media Amfora

Teksa thekson se nevojitet një rrjetëzim dhe forcim i kapaciteteve të OSHC-ve dhe nuk përbën ndonjë shqetësim numri i tyre.

“Në momentin që nuk ka një produkt, ato reshtin së operuari. Kur nuk kanë një historik pozitiv në realizime, financimi i huaj apo i brendshëm shkon duke u limituar”, shton ai.

Në Shqipëri sot Shoqëria Civile nuk ka vetëm statusin ligjor. Shumë individë apo grupime informale kanë zgjedhur të veprojnë brenda apo jashtë komuniteteve të tyre, duke i përfaqësuar dhe nxitur veprimet për çështje të caktuara.

“Më shumë sesa OSHC-të, do të kisha theksuar që janë të rëndësishme organizimet kolektive, qofshin edhe ato informale të cilat krijohen organikisht nga banorë, të rinj, studentë, punëtorë e të papunë që e jetojnë dhe banojnë zonën në të cilën angazhohen”, tregon Diana Malaj, aktiviste në grupimin informal të quajtur “Ata”, themeluar në vitin 2014 nga rinjtë në Kamëz.

paqëndrueshëm financiarisht, por me vullnet për të vijuar

Organizatat e Shoqërisë Civile vitet e fundit kanë dërguar përpara kauza që shqetësojnë komunitete të gjera në vendin tonë, por tërmeti i nëntorit dhe pandemia e COVID-19, përveç se nxorri në pah rëndësinë e tyre, ekspozoi edhe brishtësinë financiare që ato kanë.

“Organizatat e Shoqërisë Civile krijohen nga vullnetarë, operojnë nëpërmjet vullnetarëve dhe vazhdojnë të ekzistojnë falë vullnetarizmit të njerëzve. Ka që paguhen, por sepse bëjnë një punë me kohë të plotë”, analizon Spiro Paço.

Qëndrueshmëria e tyre financiare pësoi një përkeqësim të lehtë gjatë vitit 2020, referuar “Indeksit të Qëndrueshmërisë së OSHC-ve për vitin 2020”, si efekte të krizës së COVID-19, që shkaktoi efekte negative në mbledhjen e fondeve, diversifikimin e burimeve të financimit dhe menaxhimin financiar të granteve apo financimeve të akorduara.

“Viti 2020 shënoi nivelin më të ulët të financimit publik në dispozicion të OSHC-ve gjatë pesë viteve të fundit”, gjeti raporti.

“90 % e të ardhurave vijnë kryesisht nga projektet, të cilat kanë të ardhura të destinuara për objektiva të caktuara dhe nuk lejon në asnjë rast Organizatat e Shoqërisë Civile për të pasur mjetet financiare për të krijuar iniciatica të tyre”, analizon Paço për Median Amfora.

Aktivist duke mbledhur nga qytetarët nënshkrime për peticionin e grupimit informal “Bicycle Durrës”, drejtuar bashkisë së qytetit për ndërtimin e infrastrukturës dedikuar biçikletave. Foto Geri Emiri/ Media Amfora

Aktorë të tjerë të shoqërisë civile renditen edhe ndër përfaqësuesit kryesorë të komunitetit, ndër to të rinjtë, gratë apo udhëheqësit fetarë, që luajnë rol të rëndësishëm në aktivizmin dhe advokimin për përmirësimin e  mirëqenies së shoqërisë.

“Shpesh, aktivitetet tona kanë qenë kërkuese kundrejt komunitetit dhe qytetarit, për t’u përballur me realitetin aspak të rehatshëm të tijin, përkundër shtysës që kanë për t’u arratisur dhe për të menduar ndryshe”, analizon Diana Malaj.

“E gjithë përpjekja jonë është në rikrijimin e qytetit brenda nesh, për aq kohë sa qyteti jashtë nesh është zaptuar nga interesa të ngushta private”, rrëfen aktivistja për Median Amfora.

Eklipsimi nga aktorët shtetërorë

Gjatë punës së tyre Organizatat e Shoqërisë Civile dhe aktivistët kanë në fokus edhe institucionet, duke i monitrouar për ofrimin e shërbimeve, lehtësuar apo ofruar sugjerime dhe zgjidhje.

“Rritja e kontrollit të institucioneve shtetërore mbi veprimtarinë e OSHC-ve, përmes miratimit të ligjeve mbi paketën e parandalimit të pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit, të cilat cënojnë pavarësinë e sektorit”, gjeti raporti, “Matrica e Monitorimit mbi Mjedisin Mundësues për Zhvillimin e Shoqërisë Civile” për vitin 2019, përgatitur nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.

Aktivistët dhe studiuesit vërejnë gjithashtu se nevoja që disa nisma të realizohen në bashkëpunim me aktorët shtetëror krijon një hapësirë keqpërdorimi të imazhit të punës së Shoqërisë Civile nga ana e institucioneve.

“Për shembull, një mbledhje e shoqërisë civile që merret me çështjen e mbrojtjes së fëmijëve, nuk bëhet dot pa aktorët shtetërorë sepse çfarëdo lloj gjëje që propozohet, kërkon bashkëpunimin e institucioneve shtetërore”, krahason studiuesi Spiro Paço për Median Amfora.

“Shpesh herë duket sikur institucionet shtetërore shfaqen në ‘finish’, në krah të Organizatës së Shoqërisë Civile, për të bërë pjesën e publicitetit, të reklamës, ishim edhe ne këtu, kontribuam edhe ne këtu”, vëren ai, duke theksuar se duhet shmangur keqpërdorimi apo politizimi.

“‘Ata” do të kishin thënë se kushdo lëvizje sociale apo grupim, a kolektivitet që nuk ia rreh shpatullat kryetarit të bashkisë apo partisë, nuk i ka fort të kollajta lëvizjet dhe të qenurit kudo qoftë ajo: në qendër a në periferi”, tregon aktivistja Diana Malaj nga grupimi informal “Ata”.

“Ndërkohë, organizata të cilat nuk i problematizojnë marrëdhëniet e pushtetit, lokal apo qendror, ekzistojnë kudo nëpër periferitë e Shqipërisë, pa pasur shumë vështirësi operimi”, shton ajo.

Monitorimi i institucioneve nga Organizatat e Shoqërisë Civile për shërbimet që ato ofrojnë apo për nivelin e transparencës dhe zbatmit të ligjit, shpesh herë shtojnë hendekun me institucionet, që i konsiderojnë si “qëndrime armiqësore” dhe ulin nivelin e bashkëpunimit me to.

“Strategjitë dhe mekanizmat e krijuara për bashkëpunimin Shtet-OSHC (Udhërrëfyesi dhe KKSHC) nuk po japin rezultatet e pritura drejt një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, për shkak të zbatimit të dobët dhe mungesës së reflektimit rreth problematikave të sektorit”, ishte një tjetër gjetje e raportit “Matrica e Monitorimit mbi Mjedisin Mundësues për Zhvillimin e Shoqërisë Civile”.

Misioni për të dërguar përpara nismat

Për aktivistët përballja me aktorë të tjerë në emër të interesit publik dhe përfaqësimit të komuniteteve ka brenda edhe riskun e arritjes ose jo të objektivave.

“Jemi të vetëdijshëm që për sa kohë as nuk u premtojmë dhe as nuk u besojmë zgjidhjeve të shpejta, në njëfarë mënyre ne ‘luajmë’ për të humbur”, tregon aktivistja Diana Malaj për Median Amfora.

Të rinjtë në Durrës marshuan më 4 qershor 2020 kundër abuzimeve seksuale në shkolla dhe vendet e punës dhe mungesën e reagimit nga autoritetet. Foto Geri Emiri/ Media Amfora

“Aktivizmin tonë e kemi matur me sa kemi arritur të zgjerojmë mundësitë, mjetet dhe fuqitë tona të shprehjes, imagjinatës dhe manifestimit tonë në qytet”, shton ajo.

Teksa puna e Organizatave të Shoqërisë Civile duket se shpesh herë humbet në sirtarët e zyrave të qeverisë në nivel qendror apo vendor, për pamundësi financiare për zbatimin e propozimeve të Shoqërisë Civile.

“Kemi pafundësi raportesh dhe analizash të bëra nga Shoqëria Civile, të cilat i dorëzohen institucioneve shtetërore dhe më pas flenë mbi tavolina”, tregon Spiro Paço, njëkohësisht lektor në Unviersitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. 

“Por shohim që pas kësaj faze nuk ka më reagim dhe në momentin që nuk ka veprim, nuk sjell pasoja, përfitime për shoqërinë i gjithë ky mund”, shton ai, duke theksuar se kjo thellohet edhe më shumë në rastin e institucioneve në nivel lokal.

Angazhimi i Organizatave të Shoqërisë Civile edhe gjatë krizave dëshmoi për funksionimin efektiv të saj, por nxorri gjithashtu në pah mungesën e koordinimit të duhur me institucionet shtetërore.

“Tërmeti dhe COIVD-19, të marra si studime rasti në këtë hulumtim, nxorën në pah se OSHC-të në Shqipëri kanë qenë shumë të suksesshme në mobilizimin e burimeve dhe vullnetarëve brenda fazës së përgjigjes ndaj krizës”, gjeti raporti “Roli i shoqërisë civile dhe medias në menaxhimin e krizave në Shqipëri: Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19”, i publikuar në nëntor 2020.

“Gjithësesi, siç u theksua edhe nga pjesa më e madhe e të intervistuarve, të dy krizat ishin të papritura dhe sektori nuk ishte i përgatitur për kriza të tilla”, shkruante më tej raporti.

Aktivistët dëshmojnë për rëndësinë e vijimit të marrëdhënieve me komunitetin dhe mos lënien e përshtypjes sikur të jenë “trup i huaj” për ta.

“Përgjithësisht e kemi mbështetur ne komunitetin, duke u bërë pjesë nëpër protesta, organizime lokale për çështje mjedisore, urbane, infrastrukturore dhe duke organizuar aktivitete ndërdisiplinore mes artit, politikës e organizimit komunitar”, rrefen aktivistja Diana Malaj.

Për studiuesin Spiro Paço, nga Instituti për Integrim dhe Kohezion Social, nevojitet që Organizatat e Shoqërisë Civile të zhvillojnë më tej mekanizma për t’i dërguar përpara nismat e tyre dhe duke mos mbetur vetëm në pritje të reagimeve institucionale.

“Nuk duhet të mbetet vetëm tek pjesa e propozimit, duhet të angazhohet në rastet kur nga aktori shtetëror nuk ka një reagim, të angazhohet shoqëria, për pjesën e mbledhjes së firmave, për krijimin e blloqeve të grupeve të interesit, të cilat duhet të lobojnë tek përfaqësuesi i tyre në Kuvend, në pushtetin lokal”, sugjeron ai.

“Por jo çdo gjë mund të bëhet kështu. Nëse është iniciativë ligjore për shembull, propozim për një ndryshim në një ligj, nuk mund ta bëjë shoqëria civile, bëhet nga institucionet shtetërore, Kuvendi i Shqipërisë”, thekson ai për nevojën e nxitjes së reagimit institucional.

_________

Ky shkrim synon njohjen me peizazhin e aktivizmit në Shqipëri, përmes shembujve konkretë, që paraqesin sfidat e arritjet për përmirësimin e shoqërisë shqiptare dhe organeve qeverisëse. Shkrimi u përgatit me mbështetjen e “Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit”, në kuadër të “Ditës Kombëtare e Aktivizmit”, që organizohet çdo datë 22 tetor.

*Foto në krye: Protestë kundër dhunës dhe abuzimeve seksuale ndaj vajzave dhe grave në Durrës, më 13 maj 2021. Foto Geri Emiri/ Media Amfora.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109