86 vite nga pushtimi fashist, përkujtohet Dita e Rezistencës
Është përkujtuar në Durrës 7 prilli, ajo që në histori njihet si Dita e Rezistencës ndaj pushtimit fashist të vendit tonë. 86 vite më parë ushtria italiane pushtoi vendin tonë, por patriotët shqiptarë, të drejtuar nga Mujo Ulqinaku e pritën me rezistencë stoike, duke rënë dëshmorë në frontin e betejës.

Autoritetet vendore gjatë ceremeonisë përkujtimore mëngjesin e 7 prillit 2025. Foto: "Facebook"
Drejtues të institucioneve vendore, veteranë të qytetit dhe pasardhës të Familjes Ulqinaku, janë bërë bashkë paraditen e së martës, në një ceremoni ku është përkujtuar dita e rezistencës ndaj pushtimit fashist.
Në ceremoninë e rastit u zhvilluam homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku janë vendosur kurora me lule në përkujtim të heronjve e dëshmorëve të kësaj rezistence.
“Është një ditë historike për Durrësin dhe për Shqipërinë sepse shënoi fillimin e luftës antifashiste dhe tregoi sa atdhedashës jemi ne. Jemi krenar për gjyshin tonë sepse vuri atdheun mbi veten dhe mbi familjen”, u shpreh për median Ilda Uqinaku, mbesa e dëshmorit.
Më 7 prill të vitit 1939, atdhetarët shqiptarë, Mujo Ulqinaku dhe të gjithë ata ushtarakë dhe vullnetarë nga Durrësi e i gjithë vendi, bënë rezistencën e parë dhe i treguan botës se cili ishte vullneti i këtij populli, duke e kthyer 7 prillin në ditën e parë të rezistencës antifashiste të popullit shqiptar.
Në Durrës u zhvillua rezistenca më e madhe dhe një grup i vogël ushtarësh dhe qytetarësh, të udhëhequr nga major Abaz Kupi, myftiu Hafiz Ali Korça, si edhe figura të tjera patriotike, kundërshtuan zbarkimin e italianëve. Mujo Ulqinaku, një oficer i marinës shqiptare, u bë simbol i kësaj rezistence kur me mitralozin e tij në mol qëlloi kundër trupave italiane, duke rënë edhe vetë dëshmor.