7 viktima në punë për një muaj, apelohet për reagimin sindikal dhe parandalimin
Në më pak se një muaj në vendin tonë aksidentet në vendin e punës kanë shkaktuar 7 viktima, ndërsa organizata e të drejtave të njeriut, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngriti shqetësimin për mungesën e parandalimit të tyre dhe se zëri i sindikatave ka munguar.

Kantier ndërtimi. Foto ilustruese nga Media Amfora
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) me anë të një deklarate për shtyp të martën e 13 majit ngriti shqetësimin për rastet e aksidenteve në punë gjatë muajve të fundit në vend.
Sipas raportimeve në media, në më pak se një muaj janë shënuar 7 viktima në punë në vendin tonë dhe për organizatën rastet janë shoqëruar me heshtje institucionale.
“Raste të përsëritura, pavarësisht se raportohet se kryhen verifikime për sigurinë në punë, në të vërtetë kalohen në heshtje institucionale nga organet përgjegjëse që duhet të kryejnë inspektime të rregullta parandaluese dhe jo vetëm kur ndodh aksidenti, për respektimin e rregullave të sigurisë në punë”, shkroi KShH në deklaratë.
Në përroin e Holtës në Gramsh, ku po zbatohet projekti për ndërtimin e një hidrocentrali, gjetën vdekjen dy të rinj të moshës 22 dhe 32 vjeç më 11 maj. Ndërsa në Klos po gjatë këtij muaji, humbi jetën një tjetër punonjës 29 vjeçar, në një fabrikë të përpunimit të kromit, pas një rrëshqitje masive dherash. Trupi i të riut u gjet 7 ditë pas kërkimeve intensive për gjurmët e tij.
Në lidhje me rastet organizata u shpreh se ka mangësi serioze për sigurimin e shëndetit dhe jetës së punonjësve në vend.
“Organet përkatëse shtetërore në drejtim të zbatimit rigoroz të legjislacionit tonë për sigurimin e shëndetit dhe jetës të punonjësve kanë mangësi serioze, çka është një kambanë alarmi për punonjësit që veçanërisht për shkak të kushteve të vështira sociale ekonomike punojnë edhe në sektorë të vështirë dhe me rrezik të lartë për shëndetin e tyre”, deklaroi KShH.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se organet hetimore duhet të kryejë hetime të gjithanshme e në kohë të arsyeshme, për të verifikuar përgjegjësitë e punëdhënësve, duke sjellë si shembull praktikat e konsoliduara në fushën e të drejtave të njeriut.
“Gjykata Evropiane e të Drejatve të Njeriut (GJEDNJ) ka një praktikë të konsoliduar që ndërhyrjen e shtetit (si një detyrim pozitiv) në mbrojtje të jetës e konsideron të domosdoshme pasi buron nga neni 2 i Konventës Evropiane (KEDNJ)”, vihet në dukje në deklaratë.
KSHH vëren me shqetësim dhe mungesën e reagimit të fortë sindikalist në vendin tonë, duke kujtuar rolin që sindikatat kanë për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve.
“Zëri sindikalist në mbrojtje të punonjësve në Shqipëri është pothuajse i munguar dhe i pandjeshëm. Sindikatat kanë një rol të pazëvendësueshëm në një shtet demokratik, për të garantuar që çdo punonjës, pavarësist statusit të tij social apo ekonomik t’i respektohen të drejtat e punës dhe siguria e jetës dhe e shëndetit në punë”, theksoi deklarata.
KShH i bënë thirrje prokurorisë, të kryejë hetim të plotë e të pavarur dhe në kohë të arsyeshme për rastet, për t’i shërbyer parandalimit.
“Përcaktimi dhe identifikimi i përgjegjësisë sipas rastit, i shërben parandalimit të përgjithshëm dhe të posaçëm të këtyre rasteve tragjike për jetën e punonjësve dhe familjarëve të tyre”, përfundoi deklarata.