5 aksidente rrugore të rënda në Durrës në javët e para të vitit
Në vetëm 16 ditë në territorin e Durrësit janë shënuar të paktën 5 aksidente rrugore të rënda, me pasojë 2 viktima dhe 6 persona të plagosur. Ngjarjet, të raportuara nga policia rikthejnë vëmendjen te siguria rrugore në qytet.
Foto të nxjerra nga videoja pas aksidentit të 15 janarit në urën e Dajlanit.
Një aksident i rëndë i ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Urën e Dajlanit, ku humbi jetën një 18-vjeçare dhe u plagosën tre persona të tjerë, i shtohet bilancit të rëndë të aksidenteve rrugore në Durrës që nga fillimi i vitit.
“Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, ndërsa të dëmtuarit ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njoftoi Policia e Durrësit në komunikatën për shtyp.
Aksidenti i mbrëmshëm i shtohet një serie ngjarjesh rrugore të regjistruara në Durrës që nga fillimi i vitit 2026. Nga një analizë e Amfora Media, bazuar në njoftimet zyrtare të Policisë së Durrësit, rezulton se gjatë dy javëve të para të vitit janë shënuar të paktën pesë aksidente rrugore të rënda, me pasojë dy viktima dhe gjashtë persona të plagosur, kryesishtë të rinjë.
Përveç 18-vjeçares që humbi jetën mbrëmjen e djeshme, një tjetër viktimë nga aksidentet rrugore në Durrës këtë vit është edhe një 68-vjeçar, i cili u përplas për vdekje nga një automjet në fillim të janarit, në rrugën e re të portit.
Aksidenti i 15 janarit konsiderohet si një nga më të rëndët e këtij fillimviti në qytetin bregdetar, pasi automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga mbikalimi i urës së Dajlanit, duke përfunduar disa metra më poshtë, në ambientet e një dyqani lulesh.
Sipas informacioneve paraprake të raportuara në media, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe humbjes së kontrollit të mjetit, ndërsa Policia bën me dije se hetimet për shkaqet e plota të ngjarjes janë ende në zhvillim.
Ngjarjet kanë ndodhur në zona urbane dhe akse të frekuentuara, duke përfshirë kryesisht përplasje automjetesh me këmbësorë, çka rikthen vëmendjen te siguria rrugore dhe masat parandaluese në qytet.