4 shekuj kundrejt 4 viteve: Përkujtojmë pushtimin fashist, por jo osman
Historia e popullit shqiptar tregon se disa pushtime kanë lënë gjurmë të thella dhe të përhershme. Pushtimi osman ndryshoi rrjedhën e zhvillimit tonë shoqëror dhe politik për më shumë se 4 shekuj, por çdo vit përkujtohet pushtimi italian dhe lihet mënjanë lufta antiosmane.

Gravurë ilustruese në botimin e Marin Barleti, ku tregohet copëtimi me hanxhar i shqiptarëve prej turqve
Studimi i historisë ka rëndësi për të kuptuar evoluimin e shoqërisë njerëzore dhe mekanizmat e ndryshëm që e çojnë atë në një vektor të caktuar. Në historinë e çdo populli ekzistojnë ngjarje me rëndësi të veçanta, të cilat, për nga vlera që përfaqësojnë, kthehen në data-simbole. Këto data historike nuk kanë rëndësi vetëm si ngjarje mekanike të shkëputura, por marrin valencë në momentin kur ato shihen si pjesë e një rruge të gjatë në periudhën përkatëse. Gjithashtu, këto data shërbejnë edhe si treguese për vendosjen e kufijve konvencionalë mes periudhave historike.
Përveçse në librat e historisë, në vendin tonë disa nga këto data simbolike përkujtohen me ceremoni shtetërore në nivel lokal ose kombëtar, si për shembull, “Dita e pushtimit nga Italia” në prag të Luftës së Dytë Botërore, “Dita e Çlirimit” nga pushtuesi nazist, “Dita e Pavarësisë” nga Perandoria Osmane dhe të ngjashme. Por disa ngjarje të tjera historike me rëndësi madhore, të cilat e kanë ndryshuar thellësisht organizimin politik, shoqëror, ekonomik dhe fetar të popullit shqiptar, lihen në harresë, mbase jo rastësisht.
Në historinë e popullit shqiptar, një nga aksidentet më të mëdha historike ka qenë pushtimi i vendit nga turqit osmanë dhe qëndrimi për një kohë jashtëzakonisht të gjatë në moçalin e tyre. Kjo ngjarje asnjëherë nuk përkujtohet nga organet e protokollit apo të kulturës, nga kurrëfarë institucioni. Edhe “festa e shenjtë” e pavarësisë festohet si një moment i shkëputur, pak përmendet se nga kush u pavarësuam. Edhe pse pushtimi osman nuk ndodhi brenda një dite, mund të caktohet për konvencion një datë, si për shembull rënia përfundimtare e një prej qyteteve kryesore. Ndërkohë, në Durrës çdo vit përkujtohet me të drejtë, me ceremoni zyrtare, pushtimi italian i 7 prillit 1939.
Nga Stambolli te Roma: Dy pushtime, por me pasoja të ndryshme
Duke i analizuar shkurtimisht këto dy ngjarje historike, pushtimi osman ishte i dhunshëm për nga mënyra sesi erdhi. Ai ndryshoi rrjedhën natyrale të deriatëhershme të zhvillimeve shoqërore në vendin tonë. Luftërat e zhvilluara për pushtim zgjatën në kohë sepse popullata vendase rezistoi fuqishëm. Shqiptarët e atëhershëm rezistuan gjatë, sepse shihnin që nuk kishin kurrëfarë ngjashmërie me këto hordhi shkatërrimtare aziatike.
Kështu që pushtuesi depërtoi me vështirësi dhe në një hark kohor prej më se një shekulli, duke mbyllur kësisoj një epokë të gjatë gjestesh heroike të popullit shqiptar – Të cilat në kushtet e humbësit, nuk kishin si të merrnin jehonë të shtuar, ashtu siç ndodh në rast fitoreje, por që nxorrën heronj të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, si Gjergj Kastrioti dhe të tjerë, çka shpjegohet me intensitetin e luftërave. Sipas kronikave të shumta, masakrat e turqve ndaj shqiptarëve, ushtarë apo civilë, ishin të tmerrshme.
Dëmet e mëdha në jetë njerëzish ishin të pallogaritshme. Pushtimi ndër të tjera, stimuloi një emigrim masiv të shqiptarëve, duke humbur kështu një pjesë të rëndësishme të kapitalit njerëzor në vend. Organizimi i pavarur politik i shqiptarëve, që ishte arritja e tyre më e madhe gjatë mesjetës mori fund. Pasojë tjetër e pushtimit dhe vendosjes së regjimit të huaj ishte sistemi pronësor, i cili u riformatua me pronarë të rinj të huaj, duke zhveshur pronarët e natyrshëm vendas. Zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe politike morën një kthesë drastike dhe rrodhën në një drejtim tjetër. Këtë fat të dhunshëm e pësoi edhe sfera fetare dhe kulturore. Filloi të depërtonte, herë për leverdishmëri, e herë me forcë, feja e re për arbërorët, ajo islame.
Kështu populli shqiptar humbi unitetin fetar të krishterë pas 1500 vitesh, duke krijuar një hendek artificial, shpesh nxitës paragjykimesh, që fatkeqësisht për inerci vazhdon edhe sot. Vendi u shkëput nga trungu i popujve evropianë në të cilët bënte pjesë natyrshëm. Edhe kulturalisht ndodhën ndryshime nga influenca osmano-arabe, nga gjuha te veshja, nga arti te kulinaria, arkitektura, urbanistika dhe të tjera.
Pushtimi italian ndodhi pas një “sulmi blic” të ushtrisë italiane. Me këtë ngjarje humbi përkohësisht pavarësia e shtetit të ri modern shqiptar. Përplasja mes pushtuesve dhe vendasve nuk ishte aq e fortë sa pretendon historiografia komuniste sepse pushtuesit dhe vendasit nuk ndjenin ndryshime të thella kulturore, ndryshe nga çfarë ndodhi me turmat barbare turke. Kjo shpjegon edhe depërtimin e lehtë nëpër Shqipëri brenda pak ditësh të ushtrisë italiane. Çetat e para lindën vetëm pas më shumë se dy vitesh nga pushtimi, nga fundi i vitit 1941.
Duke qenë një sulm i shpejtë dhe një pushtim vetëm katërvjeçar, lufta antifashiste nuk nxorri heronj të përmasave të mëdha, siç ndodhi në epokën e Gjergj Kastriotit. Pushtuesit fashistë u përshtatën me kontekstin lokal, duke ruajtur në përgjithësi sistemin e mëparshëm administrativ. Fashistët nuk kryen gjenocid ndaj popullit shqiptar, sikundër kryen turqit. Ata nuk i zhveshën shqiptarët nga titujt e pronësisë, nuk ndërhynë për të ndryshuar besimet fetare, nuk shkaktuan emigrim masiv të civilëve, por vetëm të disa subjekteve politike dhe pushtimi zgjati 4 vjet. Natyrisht, të gjitha këto nuk justifikojnë në asnjë mënyrë pushtimin dhe nuk zhvlerësojnë aspak luftën heroike të mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave të angazhuar në luftë.

Duke krahasuar pushtimin turk me atë italian, mund të thuhet me siguri të plotë se pasojat e tyre nuk janë aspak të ngjashme. Lufta antiosmane për depërtim zgjati gati një shekull dhe regjimi pesë shekuj, ndërsa fashistët depërtuan për pak ditë dhe pushtimi zgjati katër vjet. Popullsia i rezistoi fuqishëm osmanëve, ndërsa në rastin e fashistëve rezistenca ishte më e ftohtë.
Arbërit dhe osmanët nuk kishin aspak ngjashmëri në asnjë aspekt, ndërsa me italianët na lidhnin marrëdhënie të vjetra të shtresëzuara prej kohësh dhe fakti i të qenit evropianë. Lufta antiosmane nxorri heronj të përmasave të jashtëzakonshme dhe ndërkombëtare, ndërsa lufta antifashiste nxorri vetëm heronj lokalë. Por pushtimi fashist pasoi me krijimin e kushteve të përshtatshme për vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, një aksident tjetër fatkeq me përmasa të patregueshme për vendin tonë.
Në këtë kuptim, të dy pushtimet janë, padiskutim, të dënueshme sepse shkaktuan humbjen e pavarësisë territoriale të vendit dhe pasoja të tjera njerëzore. Por pasojat dhe dëmet e pushtimit turk janë të thella dhe ndjehen ende sot. Kështu që, krahas përkujtimit të rezistencës antifashiste të 7 prillit 1939, duhet të kujtohet me nderim lufta antiosmane e popullit shqiptar, një luftë jo vetëm kundër një pushtuesi, por kundër shkëputjes nga qytetërimi evropian.
Edhe pse Durrësi në atë kohë ishte i qeverisur nga Republika e Venecias, një datë simbolike është 17 gushti i vitit 1501, kur turqit pushtuan qytetin dhe e mbajtën deri më 26 nëntor 1912, plot 411 vite, duke e zvetënuar në mënyrë të pashembullt dhe të pakthyeshme. Ashtu siç nderohen heronjtë e qëndresës antifashiste pranë “Torrës veneciane” çdo 7 prill, cilido që është shqiptar duhet të ndiejë detyrimin të nderojë edhe heronjtë e luftërave antiosmane.
Natyrisht, kjo thirrje vështirë se do të bjerë në veshët e shurdhër të drejtuesve të administratës kulturore lokale, e aq më pak kombëtare, as për organizimin e një ceremonie të përvitshme dhe as për ndërtimin e një monumenti përkujtimor. Kjo harresë nuk justifikohet aspak me faktin se pushtimi fashist është një ngjarje më e freskët historike dhe e ngulitur në kujtesën e njerëzve që ende jetojnë dhe e përdorur shëmtuar nga komunizmi, i cili duke qenë fitues kishte nevojë për hiperbolizime.
17 gushti i vitit 1501 është një ditë kur barbaria fitoi mbi qytetin. Ai 17 gusht është një ditë kur Durrësi i bibliotekave, katedraleve, universitetit, arkitekturës së shkëlqyer monumentale, urbanistikës së rregullt, artit, filozofëve, aristokracisë vendase, shkëputet nga civilizimi evropian dhe bie në një humnerë të errët, ku qëndroi për 411 vite. Mjerisht, kur historia harrohet, herët apo vonë ajo do të përsëritet. E kam fjalën për errësirën kulturore…