33 masa sigurie në Durrës për kontrabandën e mbetjeve të rrezikshme
33 masa sigurie janë marrë në Durrës në kuadër të një hetimi për kontrabandë të mbetjeve të rrezikshme. Çështja lidhet me eksportimin e paligjshëm të mbetjeve industriale dhe funksionimin e mekanizmave të kontrollit.
Zona në Porto-Romano në Durrës, ku janë vendosur kontejnerët me mbetjet. Foto: Media Amfora
Prokuroria e Durrësit vendosi të martën 33 masa sigurie në kuadër të një hetimi për kontrabandë të mbetjeve industriale të rrezikshme, të dyshuara se janë nxjerrë jashtë vendit përmes portit të qytetit bregdetar.
Rasti lidhet me 102 kontejnerë me mbetje industriale të rrezikshme, të cilat u nisën për eksport dhe u ndaluan pasi u kthyen në Shqipëri, duke u vendosur më pas nën sekuestro.
Gjatë ditës së martë janë kryer veprime procedurale në kuadër të këtij hetimi, përfshirë ekzekutimin e masave të sigurisë dhe veprime të tjera hetimore të lidhura me rastin.
Masat e sigurisë u ekzekutuan ndaj zyrtarëve dhe përfaqësuesve të subjekteve private të përfshira në prodhimin, certifikimin dhe eksportimin e mbetjeve, në kuadër të hetimit të ndjekur nga Prokuroria e Durrësit.
Masat e sigurisë janë firmosur ndaj personave të dyshuar për përfshirje në këtë çështje, mes tyre administratori dhe drejtues drejtorish të “Kurum International”, pronarja dhe drejtues të kompanisë “Sokolaj”, punonjës të Doganës së Durrësit, si dhe zyrtarë të sektorit të monitorimit të lejeve mjedisore dhe të Drejtorisë së Inspektimit në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit. Në listën e të dyshuarve përfshihen gjithashtu ish-drejtoresha e AKM-së, Arta Dollani, si dhe drejtoresha aktuale e kësaj agjencie, Marjeta Përlala.
Nga totali i masave të vendosura, 26 janë “arrest me burg”, ndërsa shtatë janë “arrest shtëpie”.
Çështja lidhet me një ngarkesë prej 102 kontejnerësh me mbetje industriale që u nisën nga porti i Durrësit në vitin 2024 për eksport drejt Tajlandës. Pas ndalimit në destinacion, ngarkesa u kthye sërish në Durrës, ku u vendos nën sekuestro për shkak të dyshimeve se mbetjet ishin të klasifikuara si të rrezikshme.
Në mars të vitit 2025, “Basel Action Network”, organizatë mjedisore ndërkombëtare me bazë në Seattle të SHBA-së, e fokusuar në parandalimin e tregtisë ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme, dorëzoi pranë autoriteteve shqiptare një dëshmi mbi dyshimet për përmbajtjen e kontejnerëve dhe procedurat e ndjekura për eksportimin e tyre.
Pas kthimit në Shqipëri, kontejnerët me mbetje u zhvendosën dhe u depozituan në zonën e Porto Romanos, një proces që u shoqërua edhe me protesta nga banorët e zonës për shkak të shqetësimeve mjedisore dhe shëndetësore.
Më 9 tetor 2025 nisi marrja e mostrave nga 102 kontejnerët e vendosur në zonën industriale të Porto Romanos, të cilat u dërguan për analiza në Itali për të përcaktuar përbërjen e mbetjeve.
Nisja e marrjes së mostrave dhe dërgimi i tyre për analiza jashtë vendit shënoi një fazë kyçe të hetimit, duke u dhënë autoriteteve bazën teknike për të përcaktuar natyrën e mbetjeve dhe vijimin e procedurave penale.
Hetimi ka zbuluar se mbetjet e rrezikshme janë nxjerrë jashtë vendit përmes falsifikimit të klasifikimit të tyre, duke u paraqitur në dokumentacion herë si oksid hekuri dhe herë si oksid zinku, pa kodet përkatëse të mbetjeve.
Në këtë skemë përfshihet bashkëpunimi mes “Kurum International” dhe kompanisë “Sokolaj”, e cila kishte marrë përsipër blerjen dhe eksportimin e mbetjeve drejt Tajlandës, pavarësisht mungesës së autorizimit mjedisor.
Sipas hetimit, mbetjet janë tregtuar më pas përmes kompanisë “GS Minerals d.o.o.”, e përdorur për të ndërmjetësuar shitjen dhe për të fshehur origjinën e tyre.
Hetimi vijon, ndërsa autoritetet po verifikojnë të gjithë zinxhirin e prodhimit, menaxhimit dhe eksportimit të mbetjeve të përfshira në këtë çështje.
Masat e sigurisë u ekzekutuan për ish-drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), asaj aktuale, si edhe punonjës AKM-së, të Degës së Doganës Durrës, të Autoritetit Portual Durrës drejtuesit dhe punonjësit e kompanive “Kurum International”, “D.o.o Minerals”, “Sokolaj”, “Joti Spedition”, “Alliance Resource”, “Bajrami N” dhe të “EMS APO”, të renditur si më poshtë:
- Erdal Demir – Administratori i “Kurum International” në arrest me burg;
- Yusuf Sezai Kurum – Administrator me prokurë i “Kurum” në arrest me burg;
- Gjovana Sokolaj – Pronare e kompanisë “Sokolaj” në arrest me burg;
- Doni Sokolaj – Administrator i kompanisë D.o.o Minerals në arrest me burg;
- Olizana Pemati – Ish-administratore e kompanisë “Sokolaj” në arrest me burg;
- Mujo Ilazaj – Drejtori i Transportit në kompaninë “Kurum” në arrest me burg;
- Rami Bunga – Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum” në arrest me burg;
- Harun Sarica – Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum” në arrest me burg;
- Arif Shkalla – Drejtues në kompaninë “Kurum” në arrest me burg;
- Shaban Hyseni – Drejtor i departamentit te shitjeve në “Kurum” në arrest me burg;
- Mirjeta Zotaj – Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj” në arrest shtëpiak;
- Mikail Hila – Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition” në arrest me burg;
- Mbarime Koroci – Aksionere e kompanisë “Alliance Resource” në arrest me burg;
- Nazif Bajrami – Pronar i kompanisë “Bajrami N” në arrest me burg;
- Andon Prifti – Administrator i kompanisë “Bajrami N” në arrest me burg;
- Petrit Qosja – Person fizik në tregtinë e mbetjeve në arrest me burg;
- Julian Kapedani – Dega e Doganës Durrës në arrest me burg;
- Indrit Likaj – Dega e Doganës Durrës në arrest me burg;
- Helidon Lila – Dega e Doganës Durrës në arrest me burg;
- Edmond Voda – Dega e Doganës Durrës në arrest me burg;
- Shkëlqim Jakupi – Dega e Doganës Durrës në arrest me burg;
- Florian Çimo – Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO në arrest me burg;
- Gazmend Sina – Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO në arrest me burg;
- Ingo Hesse – Administrator i kompanisë EMS APO në arrest me burg;
- Arta Dollani – Ish-drejtoresha e Përgjithshme e AKM në arrest shtëpiak;
- Marjeta Përlala – Drejtoresha aktuale e AKM në arrest shtëpiak;
- Dritan Seferaj – Drejtoria e Inspektim – Kontrollit, AKM në arrest me burg;
- Kledina Skendo – Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak;
- Bujana Tonçiça – Sektori i lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak;
- Evis Mellonashi – Sektori i lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak;
- Kejdi Ahmetaj – Drejtoria e Inspektimit, AKM në arrest me burg;
- Iva Musa – Inspektore e Autoritetit Portual Durrës, arrest shtëpiak;
- Xhulio Golgota – Inspektor i Autoritetit Portual Durrës, arrest me burg.