Shkrumbohet Landfilli i Elbasanit, 29 vatra zjarri mbulojnë vendin

Shqipëria u përfshi gjatë të mërkurës nga një valë zjarresh, ku u raportuan 29 vatra nga jugu në veri, ndërsa dy raste vazhdojnë të jenë aktive në Elbasan dhe Finiq.

E mërkura shënoi një situatë alarmante me zjarret në vendin tonë, ku u numëruan 29 vatra, dy prej të cilave ende nuk janë vënë në kontroll dhe deri më tani kanë shkaktuar dëme materiale dhe ndotje të lartë mjedisore.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri, nga të cilat 2 vatra janë ende aktive”, tha Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e saj gjatë të enjtes, lidhur me situatën e zjarreve në vend.

Këto vatra zjarri sipas informacionit për shtyp që shpërndau ministria janë evidentuar në bashkitë e Elbasanit, Finiqit, Selenicës, Vlorës, Memaliajt, Libohovës, Dropullit, Kamzës, Tiranës, Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Fierit, Divjakës, Vaut të Dejës, Malësisë së Madhe dhe Lezhës.

Zjarret kanë rënë kryesisht në pyje e kullota, ndërsa raportohet se deri mesditën e së enjtes mbeten aktive vatrat në Landfillin e Elbasanit dhe Finiq.

“Zjarri vijon në vendgrumbullimin e mbetjeve Elbasan dhe në Finiq, konkretisht në vatrën midis fshatit Grazhdan dhe fshatit Malçan”, shpjegoi ministria.

E ndërsa situata në Elbasan vazhdon të jetë problematike, pasi flakët në landfillin e mbetjeve vazhdojnë të jenë aktive, duke shkaktuar një ndotje mjaft të lartë mjedisore, në Finiq intensiteti i zjarrit ka rënë.

“Në vatrën në Finiq, situata paraqitet më e qetë dhe intensiteti i zjarrit ka rënë”, shpjegoi Ministria e Mbrojtjes.  

Në njoftim thuhet gjithashtu se si pasojë e zjarreve të rëna kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, janë djegur rreth 18 hektarë tokë dhe rreth 220 rrënjë ullinj.

Problematike parashikohet të jetë situata edhe për 24 orët në vijim, pasi temperaturat do të vazhdojnë të jenë mjaft të larta dhe shtojnë rrezikun për rënie zjarresh. Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, të mërkurën pritet nivel rreziku “I lartë” për zjarret në pothuajse të gjitha qarqet e vendit.