111 vite nga lindja e Nënë Terezës, organizohet tryeza e diskutimit “Nënë Tereza, kujtesa, kombi”

26 gushti shënon 111 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Ishte vitit 1910 kur ajo lindi në një familje shqiptare në Kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, në Shkup.

Anjezë Gonxha Bojaxhiu që në rininë e saj nisi të spikaste për përkushtimin ndaj komunitetit dhe humanizmin e saj. E njohur gjerësisht si Nënë Tereza e Kalkutës, ajo themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.

Kontributi i saj u përqendrua ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, duke u kthyer në një simbol në nivel botëror, për përkushtimin dhe thjeshtësinë në përkujdesjen ndaj të tjerëve.

Ajo është nderuar me çmimet më të larta, duke përfshirë edhe Çmimin Nobel për Paqe. Muaji që vjen shënon ditën e shenjtërimit të saj. Më 5 shtator 2016 në një ceremoni madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të sëmurëve, pas vdekjes së saj më 1997.

Ditën e sotme në kuadër të 111 vjetorit të lindjes së saj, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi tryezën e diskutimit me titull, “Nënë Tereza, kujtesa, kombi”.

_____________

*Foto në krye: Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës, Shkup. Burimi: Pixabay