Zgjedhjet 2025: Të ndryshojmë çdo gjë, që të mos ndryshojmë asgjë!

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në muajin mars. Foto: Edi Rama - "Facebook"
Kisha kohë pa shkruar mbi politikën! Ndoshta tre vite, katër, a më shumë. Jo sepse nuk kam një mendim për ngjarjet që kanë ndodhur, por sepse si njohës i politikës, i asaj të dukshme dhe të padukshme, e di se artikujt (përveç atyre investigativ) nuk zgjidhin kurrë asgjë. Janë sigurisht një valvul psikologjike për të shkarkuar frustrimin socio-ekzistencial, por nuk kanë asnjë peshë reale në vendimmarrje. Është sikur të shkosh në mal dhe të ulërasësh. Të bën të ndjehesh më mirë, por bota poshtë teje dot të vazhdoj të shkoj në po të njëjtin drejtim.
I keni parë për shembull disa politikanë që ndërtojnë podcaste të titulluara “Sy më sy” dhe në në fakt gjatë gjithë emisionit duken vetëm një palë sy. Kjo sepse ne flasim me veten tonë, ata flasin me veten e tyre. Ne i dëgjojmë, ata jo. Ndoshta jo rastësisht kjo është fushata elektorale më e akullt që unë kam përjetuar që prej dekadash. Njerëzit janë të lodhur, të rraskapitur, të demotivuar dhe të painteresuar.
Kishte shpresë se atmosfera do të ngrohej me caktimin e listave. Me tërë ato premtime për rinovim – pra për ta “ribërë të re” – besova se do të kishte vërtetë një të tille. Por përtej emrave të ri, konjukturat mbrapa atyre emrave janë të njëjta. Ishte një pseudo-rinovim. Është sikur Vladimir Putin të ndërroj gjeneralët e luftës në Ukrainë dhe të mos ndërroj as filozofinë dhe as konjukturën e padukshme që mbështet makinerinë e luftës. Siç do të shkruante Giuseppe Tomasi di Lampedusa, tek “Gattopardo”: “të ndryshojmë çdo gjë, që mos të ndryshojmë asgjë”.
Nuk duam të futemi nominalisht tek secili emër. Aty ka vërtetë emra shumë të mirë. Për shembull Loerti [Kume] është një njeri brilant. Një nga intelektualët e rinj më të mirë shqiptarë. Por sipër (dhe rreth) tij ndodhet një makineri që i ka marrë frymën mendimit të lirë dhe kreativitetit. Një makineri që ka gjeneruar mbi 20 zyrtarë të lartë në burg, në arrest shtëpie apo në ndjekje penale. Dhe ka akoma nja 200 të tjerë që aktualisht janë duke ngrënë kumbulla pas krahëve të kryeministrit, por që ai vetë (i gjori naiv!) nuk e di. Çfarë mund të bëj një njeri i mirë i rrethuar nga kaq shumë kriminelë dhe një kryeministër naiv?!
Nga krahu tjetër e njëjta situatë. Njerëz të mirë plot që drejtohen nga Shkëlzen (Sali) Berisha, Flamur Noka dhe Gaz Bardhi. Ah edhe Albana Vokshi dhe Adriana Kalaja! Do të ishte praktikisht një kthim pas në vitin 2005. Do të thotë të humbasim 20 vite. Çfarë mund të bëj një njeri i mirë si Igli Cara, përballë dëshirës së ndonjë nënkryetari hije për të ndërtuar një pallat të ri në qendër të Tiranës? Partia do t’i fishkëllej, ata do ngrehen. E kur të merret leja e ndërtimit do të ulen përsëri. Dhe ndërkohë pensionet do qëndrojnë aty ku janë!
E ndërkohë diskursi politik është banalizuar në atë nivel sa që ana e majtë e kënetës, pasi pastroi barishtet, e shkurret dhe i zëvendësoi me lule sezonale, akuzon anën e djathtë të kënetës se drejtohet nga një buf. Duket si një “Big Brother” real, ku njerëzit varfërohen duke dërguar sms me pagesë, ndërsa lojtarët pasurohen duke bërë të vetmen gjë që dinë të bëjnë: Shpërkasin baltën e tyre toksike në mendjet dhe shpirtërat e njerëzve. Një lojë e cila fitohet nga kush ulëret më shumë.
Kemi filluar pra të mendojmë se klima e akullt që na rrethon mund të jetë e vetmja zgjidhje për situatën politike në vend. Duke qenë se ne nuk jemi më populli trim i dikushëm, që i luftonte tiranët me shpatë në dorë (se dorën na e ka zënë rroga), ndoshta mund t’i luftojmë përmes heshtjes.
Po si?! Po ja për shembull një zgjidhje: PS merr 70 deputetë, PD 60 dhe të dy do të detyrohen të jenë më pak arrogant, më të dëgjueshëm dhe më të përulur. Më në fund në lojë do të futen aktorët e vërtetë të rinj. Uji do nisi të qarkullojë dhe këneta avash-avash do nisi të thahet. Rama do të heqi fiksimin që të futet në histori, duke mos na futur në BE, pasi na e ka premtuar për 16 vjet rresht dhe Berisha, me ndihmën edhe të Zotit, do i ketë hapur rrugën ndonjë të riu. Kjo nuk është zgjidhja me e mirë, por zgjidhja e vetme që kemi sot. A do të jemi kaq të zgjuar si popull?!