Zeno dhe filozofia e disiplinës

Zeno i Citiumit përshkruhet si themeluesi i stoicizmit, duke theksuar se filozofia e tij u ndërtua mbi idenë e Logos-it si rend racional universal dhe mbi parimin se jeta e mirë realizohet përmes virtytit, vetëkontrollit dhe jetesës në përputhje me natyrën, në një kontekst historik të shënuar nga pasiguria politike dhe shoqërore.

Zeno i Citiumit lindi rreth vitit 334 para erës sonë në Citium, një qytet portual në Qipro, me kulturë të përzier greko-fenikase. Burimet antike bien dakord se ai vinte nga një familje tregtarësh dhe se një ngjarje aksidentale-humbja e një ngarkese tregtare në det-e çoi drejt Athinës, qendrës intelektuale të botës greke.

Ky episod, i përmendur shpesh në traditën biografike, ka një funksion simbolik: Zeno hyn në filozofi jo si aristokrat apo nxënës i shkollave tradicionale, por si një i huaj, i shkëputur nga siguritë ekonomike dhe shoqërore.

Në Athinë, Zeno studioi për shumë vite nën ndikime të ndryshme filozofike. Ai nuk ndoqi vetëm mësimet e cinikut Krates, por gjithashtu u njoh me traditën platonike dhe me elemente të mendimit aristotelian.

Megjithatë, asnjë nga këto shkolla nuk e bindi plotësisht. Rreth vitit 300 p.e.s., ai filloi të jepte mësim në një portik publik të Athinës, të quajtur Stoa Poikile (Portiku i Pikturuar), prej nga edhe shkolla e tij mori emrin: stoicizëm.

Ndryshe nga Epikuri, Zeno nuk krijoi një komunitet të mbyllur, por zhvilloi mësimin e tij në hapësirë publike, duke e ekspozuar filozofinë ndaj qytetit dhe jetës kolektive. Ai jetoi në mënyrë asketike, pa kërkuar poste politike apo pasuri materiale, dhe fitoi reputacion për integritet moral dhe vetëkontroll. Zeno vdiq rreth vitit 262 p.e.s.

Në momentin e vdekjes, stoicizmi ishte tashmë një shkollë e konsoliduar, me nxënës dhe pasues të shumtë, edhe pse doktrina e tij ende nuk ishte sistemuar plotësisht.

Filozofia e Zenos përfaqëson një kthesë të rëndësishme në mendimin grek post-klasik. Në kontekstin e botës helenistike, të shënuar nga rënia e polis-it tradicional dhe nga pasiguria politike, stoicizmi shfaqet si një përpjekje për të rindërtuar një etikë të qëndrueshme mbi themele racionale dhe universale.

Në qendër të sistemit që Zeno hodhi në themel qëndron ideja se realiteti është i rregulluar nga Logos-i, (Arsyeja) një parim racional, immanent dhe material, që përshkon të gjithë kozmosin.

Ndryshe nga platonizmi, i cili ndan botën e dukshme nga ajo e ideve, Zeno propozon një ontologji moniste dhe materialiste. Çdo gjë që ekziston është trupore, përfshirë shpirtin, mendimin dhe vetë Logos-in. Zjarri racional, i cili identifikohet me Logos-in, është elementi aktiv që organizon materien pasive.

Kjo nuk është një metafizikë spekulative, por baza për një etikë të rreptë: nëse bota është e rregulluar racionalisht, atëherë jeta e mirë është ajo që jeton në përputhje me këtë rend.

Nga kjo ontologji rrjedh parimi themelor i stoicizmit: “të jetosh në përputhje me natyrën”. Për Zeno-n, natyra nuk është thjesht mjedis fizik, por strukturë racionale e realitetit.

Njeriu, si qenie racionale, realizon veten vetëm kur vepron në përputhje me Arsyen universale. Etika stoike nuk synon kënaqësinë, si te Epikuri, por virtytin. Virtyti nuk është mjet për diçka tjetër; ai është e mira e vetme e vërtetë.

Zeno argumenton se pasionet-frika, dëshira e pakontrolluar, dhimbja morale, janë produkte të gjykimeve të gabuara. Ato nuk janë forca natyrore të pashmangshme, por gabime racionale.

Qëllimi i etikës stoike është çrrënjosja e këtyre pasioneve përmes edukimit dhe disiplinimit të arsyes. Kjo gjendje, e njohur më vonë si apatheia, nuk është mpirje emocionale, por liri nga varësia ndaj gjykimeve të rreme.

Në këtë kuptim, stoicizmi është një filozofi thellësisht normuese. Ai kërkon transformimin e subjektit, jo përmes ritualeve apo besimeve fetare, por përmes ushtrimit racional.

Liria stoike nuk konsiston në kontrollin e rrethanave të jashtme, por në zotërimin e vetes. Gjërat që nuk varen nga ne-pasuria, shëndeti, fama, madje edhe jeta, nuk kanë vlerë morale absolute. Ato nuk duhen përfillur. E vetmja gjë që ka vlerë reale është mënyra se si njeriu gjykon dhe vepron.

Filozofia politike e Zenos, megjithëse na vjen e fragmentuar në burime, përmban elemente radikale për kohën e vet. Ai imagjinon një rend njerëzor që nuk bazohet në ndarje etnike, ligje lokale apo institucione tradicionale, por në arsyen e përbashkët.

Ideja e një kozmopolis-i, një komuniteti universal racional, buron drejtpërdrejt nga “metafizika” stoike. Nëse Logos-i është universal, atëherë edhe Ligji Moral është universal.

Stoicizmi i hershëm i Zenos është, në këtë aspekt, një filozofi e disiplinës dhe e rendit. Ai nuk ofron ngushëllim emocional në kuptimin modern, por një strukturë të fortë normative për të përballuar pasigurinë e botës.

Ndryshe nga epikurianizmi, i cili sugjeron tërheqjen nga jeta publike, fokusimin te vetja dhe mungesën e dhimbjes, stoicizmi nuk e përjashton angazhimin shoqëror, por e nënshtron atë ndaj arsyes dhe virtytit.

Zeno nuk zhvilloi një sistem të mbyllur dhe të plotë; shumë prej ideve të tij u artikuluan më qartë nga pasardhësit e tij të famshëm si Seneka, Epikteti, Mark Aureli, etj.

Megjithatë, themelet që ai vendosi-ontologjia materialiste, etika e virtytit, kritika e pasioneve dhe universalizimi i Arsyes-përbëjnë bërthamën e stoicizmit si një nga shkollat më me ndikim të filozofisë perëndimore.

Në përfundim, Zeno i Citiumit nuk është thjesht themelues i një shkolle, por arkitekt i një mënyre të re të të menduarit etik në kushtet e krizës historike. Stoicizmi i tij nuk premton lumturi të lehtë, por koherencë racionale dhe qëndrueshmëri morale.

Pikërisht kjo e bëri atë një nga filozofit më jetëgjatë në ndikim, edhe pse vetë Zeno mbeti një figurë e përmbajtur, pothuajse e heshtur, në historinë e mendimit perëndimorë.

ARTIKULL I MËPARSHEM

ARTIKULL TJETËR

Dorian Hatibi

Është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sociale, parë Universitetit të Tiranës dhe në Fakultetin e Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale, pranë Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë", Tiranë. Për më shumë se një dekadë ka ushtruar kompetencën në fushën e çështjeve sociale dhe politike, brenda dhe jashtë vendit, duke shërbyer për disa vite edhe si lektor i Psikologjisë Kulturore dhe Sociologjisë, në Universitetin Aleksandër Moisiu Durrës. Aktualisht është fokusuar në zbardhjen e identitetit kulturor dhe historisë sociale të qytetit të Durrësit. Është autor i disa botimeve ndër të cilat "Historia e Durrësit. Shënime kronologjike", "Ecclesia Dyrrhachiensis" dhe "Qyteti që rrëfen".

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *