Vërtetë “E RRALLË”!
Kjo do të ishte vërtetë e “RRALLË”: Kryeministri Rama të anulojë një ndërtim, për hatër të trashëgimisë kulturore. “E RRALLË” do të ishte të dëgjoje një arkeolog dhe jo një arkitekt. “E RRALLË” do të ishte të dëgjoje zërin e qytetarëve dhe jo zërin e vet, për të cilin është bindur se është zëri i qytetarëve.

Foto nga zbulimet arkeologjike/ Media Amfora
Më datë 9 qershor Kryeministri Edi Rama njoftoi se çështja e shumëdiskutuar e zbulimit arkeologjik tek ish-Gjimnazi “Gjergj Kastrioti” në Durrës ishte zgjidhur përmes një vizioni “TË RRALLË”. Në tekstin që pasonte këtë britëm entuziaste që do të bënte xheloz edhe Arkimedin, nuk sqarohej saktësisht se cila ishte zgjidhja “e RRALLË” që i ishte dhënë zbulimit arkeologjik.
Një e dhënë hije që mund të interpretohet me shumë sforcim dhe fantazi si “E RRALLË”, ishte ideja se arkitekti spanjoll po tentonte një “ndërthurje të shkollës me zonën e kërkimit”, por kjo nuk është as “E RRALLË” dhe as “spektakolare”. Duhet t’i kujtojmë Kryeministrit se një zgjidhje e tillë e “E RRALLË” është aplikuar rëndom në Durrës. Për shembull, shkolla e sapo përfunduar (madje me fondet e BE-së) “Eftali Koçi”, në lagjen numër 7, duhet të ruante dhe ekspozonte zbulimin arkeologjik të shekullit II, duke u “ndërthurur” bashkë. E ftoj KM-në ta shohi personalisht sa e suksesshme, spektakolare dhe e “RRALLË” ishte kjo ndërthurje.
Pastaj do e ftoja z. Rama të shoh nga afër sa “E RRALLË” është kjo ndërthurje përballë postës qendrore, tek ish-Lulishtja 1 Maji, ku një nga zbulimet më të mëdha dhe të jashtëzakonshme të realizuara ndonjëherë në Durrës dhe ndoshta në Evropën Juglindore, u ndërthur në mënyrë “TË RRALLË dhe spektakolare” me një pallat 8 katësh, që sot nuk i hyn në punë askujt, përveç pronarit dhe ish-zyrtarëve që e përdorën si bankomat.
Gjithashtu z. Rama, ish-deputet i Durrësit duhet të vijë e të shohi nga afër ndërthurjen e “RRALLË” dhe spektakolare që 8 mozaikë të mrekullueshëm kanë tek po aq pallate shumëkatëshe. Sesi aty kërkimi shkencor ndërthuret fort me ujërat e zeza dhe sesi turistët për t’i vizituar duhet të pajisen me çertifikatë të posaçme vaksinimi, maska kundër armëve kimike dhe veshje të presurizuar astronauti, për t’i mbijetuar murtajeës, kolerës, forcës gravitacionale dhe kabujve të energjisë elektrike. Dhe kjo është vërtetë diçka e “RRALLË” dhe spektakolare.
Pastaj në statusin e KM-së më bën përshtypje diçka edhe më e zezë akoma. Jo vetëm që për shkollën qenka gjetur një projekt, por qenka gjetur edhe një arkitekt. Madje ky i fundit nga Spanja. Shumë pyetje pa përgjigje në 2 fjali. Për shembull, a ka pasur një konkurs për këtë projekt? Po arkitekti, ku dhe si u gjet? A u pyetën sipas ligjit qytetarët dhe grupet e interesit?
Di se përmes rrjeteve të komunikimit digjital z. Kryeministër i është dërguar një propozim i pjekur mes shumë intelektualësh, se në rastin aktual duhej aplikuar precedenti i shkollës “10 korriku”. Gjatë hapjes së themeleve të shkollës së re u zbulua Forumi Romak dhe asokohe punimet u ndalën dhe me to u ndal edhe ndërtimi i shkollës. Qyteti fitoi një atraksion turisitik më shumë, ndërsa Shqipëria një trashigimi të jashtëzakonshme kulturore.
Ndoshta kjo nuk është zgjidhja që do të bindte këdo, por kjo do të ishte zgjidhja vërtetë “E RRALLË” e dhënë këto 30 vite masakër arkeologjike. Kjo do të ishte vërtetë e “RRALLË”: Të anulojë një ndërtim, për hatër të trashëgimisë kulturore. “E RRALLË” do të ishte të dëgjoje një arkeolog dhe jo një arkitekt. “E RRALLË” do të ishte të dëgjoje zërin e qytetarëve dhe jo zërin e tënd, për të cilin je i bindur se është zëri i qytetarëve.