Tirania private e Chomsky-t dhe ambienti shqiptar i punës

Të adhurosh, e të mbrosh lirinë njerëzore do të thotë të flasësh për shkeljet e lirisë jo vetëm nga shteti, por edhe nga privati. Pavarësisht mospëlqimit e kritikës sime ndaj ideologjisë marksiste, duhet thënë se Noam Chomsky ka të drejtë për konceptin e “tiranisë private” – Dhe çdo njeri që e konsideron veten konservator perëndimor apo liberal klasik, duhet të flasë për fuqinë e pakontrolluar të “qeverive private”, ashtu siç ankohet “pa teklif” për fuqinë e pakontrolluar të shtetit.

Liria dhe tirania janë dy koncepte që gjithmonë janë kuptuar si në antitezë me njëra-tjetrën. Një prej librave më influencues që flet për këtë përballje është i lirë për të zgjedhur nga Milton Friedman. Në këtë libër, ekonomisti i njohur libertarian flet për “tiraninë shtetërore” si produkt i zgjerimit të shtetit për uljen e pabarazisë apo mitigimin e pasojave negative të tregut. Sipas Friedman-it, kur shteti bëhet tiranik dhe ha liritë ekonomike të njerëzve, ai gërryen edhe liritë politike të tyre. Friedman ka të drejtë, por e solla si shembull për të ilustruar faktin se, kur flitet për lirinë (koncepte si “freedom” apo “liberty”), flitet gjithnjë për lirinë ekonomike. Vlen të thuhet se në Perëndim, përdorimi politik i konceptit të “lirisë” është monopolizuar nga e djathta, veçanërisht nga e “djathta” liberale apo minarkiste, e cila advokon për mbrojtjen e lirisë ekonomike të sipërmarrësit, biznesit apo individit nga mbitaksimi dhe kontrollet e shtuara shtetërore. Thënë kjo, po të njëjtët konservatorë rrallëherë flasin për liritë bazike të individit, që sigurisht duhet të ishin realitet për shumë punëtorë në vendin e punës. Këto liri sot shkelen nga autoritarizmi që buron nga fuqia e pakontrolluar e kapitalit. Në këtë artikull do ta shtjelloj këtë tezë.

Noam Chomsky teorizon se rendi libertarian-neoliberal në SHBA është tirani korporatash. Me fjalë të tjera, në emër të prodhimit të të mirave publike dhe mbajtjes funksionale të makinerisë së kërkesë-ofertës, të drejtat e punëtorëve sakrifikohen. Kjo përfshin të drejtën e punëtorit për t’u shprehur siç dëshiron brenda apo jashtë vendit të punës, gjë që mund të shkaktojë probleme për PR-in e kompanisë, apo të drejtën e punëtorit për të kundërshtuar urdhrat joracionale të shefes/shefit, që shpeshherë konsiderohet problematike dhe përbën ‘casus belli’ për pushim nga puna nga korporatistët dhe kapitalistët. Chomsky vijon të kritikojë argumentin neoliberal se punëmarrësi është i lirë, duke ditur se ka lirinë e zgjedhjes: pra, nëse dikujt nuk i pëlqen ambienti apo kushtet e punës, ai mund të ikë e të zgjedhë një vend tjetër pune. Me të drejtë, Chomsky i referohet këtij argumenti idiot me konceptin e “lirisë për të vdekur urie”. Kjo, sepse me përjashtim të rasteve kur punëmarrësi ka një burim tjetër të ardhurash ose një mbështetje ekonomike të çfarëdollojshme, asnjë punëmarrës nuk merr guximin të shkelë rendin autoritar të vendit të punës, përndryshe mbetet pa të ardhura dhe rrezikon ekzistencën e vet dhe të familjes së tij. Së fundmi, Chomsky e mbyll me kritikën ndaj ideologjisë libertariane: sipas Chomsky-t, libertarianizmi, minarkizmi dhe neoliberalizmi e maskaradojnë veten si ideologji që mbrojnë lirinë, por në fakt janë mjete për ruajtjen e fuqisë së pakontrolluar të korporatave dhe “qeverive private” të tyre, të cilat, sipas tij, janë më autoritare se qeveritë shtetërore.

Argumenti i Chomsky-t pi goxha ujë. Pseudodjathtistët libertarianë nuk kanë folur asnjëherë për “skllavërinë 9–5” dhe për shkeljen e lirive dhe të drejtave në punë. Në korporatat e mëdha, nuk ekziston liria e shprehjes, e cila ka qenë gjithnjë vlerë e së djathtës liberale dhe e konservatorëve. Kujtojmë se liberali i famshëm John Locke ishte i pari që hodhi idenë e “të drejtave të patjetërsueshme”, si të drejta që vijnë nga Zoti. Locke, si shumë liberalë të tjerë, e përdorte argumentin e të drejtave hyjnore si mburojë të jetës private të qytetarëve nga ndërhyrja qeveritare, duke ditur që në shekullin e XVII-të korporatat nuk kishin përhapjen, strukturën dhe fuqinë e pakontrolluar që kanë sot mbi shoqëri. Kaq e madhe është kjo fuqi, sa ekonomistët politikë kanë dalë me termin “korporatizëm” – një strukturë ekonomike që në shumë aspekte ka zëvendësuar kapitalizmin me “konkurrueshmëri të përsosur” të Adam Smith-it. Korporatizmi shtetvogëlist vitet e fundit është kritikuar në mënyrë bipartizane. I ndjeri Charlie Kirk i përgjigjej të gjitha kritikave studentore ndaj kapitalizmit amerikan me togfjalëshin: “Është korporatizëm e jo kapitalizëm”. Në krahun e majtë, marksisti Yannis Varoufakis flet për transformimin e kapitalizmit në një rend teknofeudalist, ku baronët e rrjeteve sociale kanë kontroll të plotë mbi çdo parcelë ekonomike të shoqërisë, ashtu si feudalet dikur kontrollonin parcelat e tokës. Sado unë nuk bie dakord me Varoufakisin e kritikat me smog të marksistëve ndaj ekonomisë së tregut, vlen të thuhet që rendi korporatist lë goxha hapësirë për kritikë.

Tirania private në fakt u bë fenomen i njohur në fund të viteve 2010 dhe veçanërisht pas vrasjes së George Floyd-it në vitin 2020. Korporatat në SHBA filluan të pushonin nga puna individë që nuk binin dakord me djegien e Amerikës nga “Black Lives Matter” në emër të “drejtësisë raciale”. Vendosja e përemrave vetore ai/atij, ajo/asaj u bë detyrim për punonjësit e shumë korporatave, që detyroheshin të shprehnin gjithnjë e më shumë solidaritet me ideologjinë gjinore dhe aktivizmin LGBTQ+. Në vigjilje të pandemisë së COVID-19, shumë korporata nuk lejonin punësimin ose rikthimin në punë pa kryer vaksinimin kundër COVID-19, në shkelje të hapur të lirive personale dhe fetare të punonjësve. Infektimi i vendeve të punës me agjendën e ekstremit të majtë “woke” bëri që diskursi i tiranisë private të përdorej më shumë nga e djathta sesa nga e majta në SHBA. Figura si Bernie Sanders apo Robert Reich, që për dekada kishin folur për të drejtat ekonomike të punëtorëve, duke përfshirë lejen e lindjes, pagën minimale, sigurimin e detyruar shëndetësor etj, nuk thanë asgjë kur batica progresiste goditi brigjet e korporatave amerikane, duke marrë me vete edhe liritë politike të punonjësve.

Në Shqipëri, tirania private është po ashtu ekzistente, por në një dimension më bazik e më të thellë. Sipas Fondacionit Europian të Tatimeve, Shqipëria ka përqindjen më të lartë të të punësuarve pa kontratë. Në grupmoshat 25–34 vjeç, 16% e të punësuarve nuk kanë kontratë në vendin tonë, në krahasim me Bosnjën, ku 14% e të punësuarve nuk kanë kontratë, apo me Serbinë, ku kjo shifër arrin në 5%. Nga ana tjetër, mesatarja e të punësuarve pa kontratë në BE është 3%. Për më tepër, “rrogat në qese” mbeten një fenomen i përhapur, aq sa përbëjnë një barbari ekonomike ndaj qytetarit që kërkon punë. Sipas INSTAT-it, 351,000 punonjës në Shqipëri paguhen me pagë minimale. Nuk do as “mend e as kalem” që askush nuk jeton dot me pagë minimale (40,000 lekë sipas ligjit të fundit), gjë që të lejon të kuptosh se pjesa tjetër e pagesës jepet “nën dorë”, pa u deklaruar e taksuar. Edhe pse mund të duket si rruga e shkurtër, duke ditur se punëdhënësi dhe punëmarrësi shmangin taksat afatshkurtra, kostoja afatgjatë që punëmarrësi paguan është mjaft e madhe. Si pasojë e evazionit fiskal nga punëdhënës të papërgjegjshëm, kontributet në sigurimet shoqërore e shëndetësore për punëmarrësin mungojnë, duke bërë që mbulimi me shërbim shëndetësor apo dhe pensioni publik të jetë shumë më i vogël nga ç’duhet të ishte. Kjo barbari ekonomike nuk është zgjedhje e punëmarrësit, por e punëdhënësit, duke ditur që është punëdhënësi ai që do të shmangë pagesën e sigurimeve, e cila përkthehet në kosto operative për biznesin e rrjedhimisht më pak fitim. Nga ana tjetër, shqiptarët zgjedhin të emigrojnë drejt vendeve ku rregullat e punës janë të forta dhe ku shteti ndërhyn për zbatimin e tyre, si në Gjermani apo vende të tjera të BE-së.

Për më tepër, fenomeni i tiranisë ndaj punëmarrësit shqiptar shtrihet edhe në kontekstin e një injorance kolektive e kongjenitale, e ngulitur thellë në kulturën shqiptare. Kjo vihet re te shumica e shqiptarëve, pavarësisht nivelit ekonomik, dhe sigurisht reflektohet në korporatat shqiptare. Ashtu si në jetën politike e kulturore, edhe jeta ekonomike dominohet nga mentaliteti i nënshtrimit dhe qepjes së gojës përballë padrejtësisë. Për shqiptarin, interesi vetjak prevalon mbi atë publik, dhe kjo reflektohet në paaftësinë për t’iu kundërvënë shefit kur ai e ka gabim apo për të propozuar ide që dalin jashtë konjukturave të vendosura nga thashethemexhinjtë dhe dallaveraxhinjtë e zyrave. Duke ditur se shqiptarët kanë qenë historikisht të shtypur nga organizimi fisnor i jetës, e më pas nga osmanët dhe komunistët, ata e kanë të pamundur të shprehin mendim të lirë apo dhe të respektojnë mendimin e tjetrit. Kjo shihet në autoritarizmin në vendin e punës, në zëvendësimin e rregullave të shkruara me traditat fisnore, dhe në mosbërjen e qartë të të drejtave e detyrimeve të punëdhënësit dhe punëmarrësit. Shqiptarët ikin drejt demokracive liberale të Perëndimit, ku kodi i punës respektohet e rrjedhimisht nuk mund të thuhet se punonjësi shqiptar nuk do rregulla; ai nuk ka zgjedhje tjetër, duke ditur që feudalet e “skllavopronarët” që hiqen si sipërmarrës ose që drejtojnë kompani në emër të pronarëve refuzojnë respektimin e kodit të punës.

Në politikën shqiptare, libertarianët apo liberalët janë përdorur, ashtu si në Perëndim, për mbrojtjen e interesave të kapitalit të madh. Kjo nuk do të thotë se liberalët “e djathtë” nuk kanë të drejtë kur flasin për fryrjen artificiale të administratës para zgjedhjeve, apo për gjobat e vendosura nga tatimorë e inspektorë ‘shushunja’, por do të thotë se fokusi i tyre ka qenë gjithnjë mbrojtja e interesave të biznesit të madh dhe “lirive ekonomike” të kapitalistit, në një kohë kur për liritë politike të punëtorëve nuk flet askush. Konservatorët sot në SHBA dhe në Perëndim e kanë lënë pas ideologjinë libertariane — fakt që provohet nga politikat pro-punës dhe punëtorit të Presidentit Trump, si tarifat ndaj produkteve të huaja, duke bërë një kthesë 180 gradë nga “Reaganomia”, e cila deri vonë konsiderohej si Bibla ekonomike e të djathtëve.

Shqipëria ka nevojë për një kapitalizëm social pro-punës dhe punëtorit, pro rregullit dhe kodit të punës, në shërbim jo vetëm të lirive ekonomike të sipërmarrësve dhe krijuesve të vendeve të punës, por edhe të lirive politike e kulturore të punëmarrësve, që kurrsesi nuk duhet të jenë skllevër të vendit të punës, por qytetarë të lirë që kanë interesa dhe aktivitete edhe jashtë punës. Ne fjalet e politologut te famshem konservator Roger Scruton, tregjet pa kontroll gerryejne vlerat tradicionale dhe trashegimine kulturore lokale e per pasoje sipas Scruton “Tregtia e lirë as nuk është e mundur, as e dëshirueshme. Është detyrë e çdo kombi të vendosë regjimin rregullator që do të maksimizojë tregtinë me fqinjët e tij, duke mbrojtur njëkohësisht zakonet vendase, idealet morale dhe marrëdhëniet e privilegjuara mbi të cilat mbështetet identiteti kombëtar.” Sipas Scruton të drejtat e punëtorisë janë të nevojshme për ruajtjen e kombit e shoqërisë.

Aktualisht kemi një kapitalizëm të natyrës feudalo-oligarkike, ku marzhi i fitimit vihet mbi ligjin, pronën publike, kodin e punës, të drejtat e punëtorëve, mbijetesën e kombit shqiptar dhe shëndetin e fabrikës sociale. Kjo duhet të ndryshojë. 

Ruel Domi

Ai është diplomuar në "Concordia College" (Minnesota, SHBA), për "Financë" dhe "Shkenca Politike" ("Magna Cum Laude"). Gjatë studimeve ka qenë aktiv në kërkime dhe debate mbi politikat publike dhe zhvillimet globale. Ka ndjekur "Spring Policy Academy", të "The Heritage Foundation", në Washington DC, ku është trajnuar mbi buxhetin federal, ekonominë amerikane dhe sigurinë kombëtare. Kontribuon rregullisht me analiza mbi zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në median shqiptare dhe ndërkombëtare. Që prej vitit 2024 drejton podcastin “Politikë Javore me Ruelin”, ku trajton temat kryesore të javës në politikën shqiptare dhe botërore, me një qasje të drejtpërdrejtë dhe të argumentuar. Aktualisht është fokusuar në analizën e politikave socio-ekonomike dhe kulturore, duke mbështetur ekspertizën e pavarur në debatin publik shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *