Tirana, kryeqyteti ku bien parqet dhe ngrihen qiellgërvishtësit
Nisja e punimeve për ndërtimin e qiellgërvishtësit “Mali i Tiranës”, që pritet të jetë më i larti në vend, është një tjetër parcelë e gjelbër që i hiqet Tiranës, duke e kthyer në një kryeyqtet me cilësi jetese gjithnjë e më të ulët. Teksa opozita dhe mediat kanë ndezur një debat për lidhjet politike dhe ekonomike, ndërtimi gllabëron një tjetër lulishte publike.
Si në çdo histori me ndërtues, fabula mbetet e njëjtë edhe në kantierin më të ri të një prej qiellgërvishtësve të Tiranës. Punime që nisin në fundjavë, ditë shumë të nxehta ose me shi, muaj ku kryeqyteti zbrazet.
Aktivistët e “Lëvizjes Bashkë” rendën mes shiut të shtunën e 5 gushtit, për të kundërshtuar qiellgërvishtësin më të ri që merr një tjetër hapësirë publike. Aksioni solli ndalimin e punimeve dhe nxiti një fortunë mediatike, ku u fol për spekulime dhe për lidhjet biznes-politikë, duke e nxjerrë në plan të dytë ngjarjen kryesore, teksa Tirana po humbet një tjetër park të gjelbër.
Projekti “Mount of Tirana” apo “Mali i Tiranës”, do të ndërtohet nga kompania “Nova Construction 2012” dhe parashikon të ngrejë një qiellgërvishtës 205 metra të lartë. Një projekt i miratuar pa një diskutim të mirëfilltë me publikun dhe me grupet e interesit.
Për aktivisitin Ervin Goci, ndërtimi i një tjetër qiellgërvishtësi është tregues se interesat e qeverisë dhe të kryetarit të Bashkisë së Tiranës janë të përqendruara tek pak njerëz.
“Kjo leje me mbi 200 metër masiv betoni mbi kokën e qytetarëve, tregon që e vetmja gjë që menaxhon kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mund të jenë vetëm interesat e pak personave, të cilët kanë arritur në pikën që thonë na jep 5 metra tokë se do fluturojmë”, tha aktivisti, Ervin Goci.
Projekti i studios daneze “CEBRA”, mori dritën jeshile pasi u vlerësua nga një juri e përbërë nga katër arkitektë, kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj, në tetor 2022 dhe u miratua më pas në muajin mars të këtij viti, në Këshillin Kombëtar të Territorit.
Projekti që do të zhvillohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit tjetërson një hapësirë publike në zemër të kryeqytetit, e cila shërben si lulishte të paktën që nga viti 2000, me drurë dhe me stola. Por në këtë rast qeveria përpara “interesit publik”, nuk ka nxitur procedura shpronësimi, duke i lënë dorën e lirë pronarëve që të ndërtojnë mbi lulishte.
Qendra urbane e Tiranës ka humbur sipërfaqe të konsiderushme që mund të ktheheshin në lulishte, duke ndërtuar vitet e fundit qiellgërvishtës, por etja për parcela ka marrë përpara edhe parqet e gjelbra.
Nga analizimi i pamjeve satelitore dhe ballafaqimi në terren i kryeqytetit për vitet 2007-2020, organizatat mjedisore kanë zbuluar se janë humbur 52.58 hektarë gjelbërim dhe sipërfaqja ekzistuese vlerësohet në 237.96 hektarë, referuar zonës që përfshihet brenda Unazës së Madhe.
Por drurët nuk kanë vetëm përfitime dekorative, rekreative, por sjellin edhe të mira ekonomike. Vetëm në kryeqytet sipas përllogaritjeve të vitit 2020, përfitimet vjetore të 16.671 drurëve urbanë arrijnë një vlerë totale rreth 4.9 milion euro (ose 603,133,694 lekë), ku mesatarisht çdo pemë vlerësohet se kontribuon me 293 euro (ose 36,178 lekë) në vit, lidhur me kursimin e energjisë dhe shërbime të tjera ekologjike.
Të dhënat u gjetën më herët gjatë zbatimit të projektit “Mushkëri të gjelbra për qytetet tona”, një platformë alternative për monitorimin e sipërfaqeve të gjelbra, përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, nën drejtimin e Co-PLAN (Instituti për Zhvillimin e Habitatit) dhe Mileukontakt Shqipëri.
Miratimi i qiellgërvishtësit “Mali i Tiranës” është zhvilluar përmes një procesi ku leja e ndërtimit u miratua pa e dëgjuar zërin e qytetarëve, të cilëve ju sakrifikua një hapësirë e gjelbër. Këto ditë aktivistët dhe banorët po e kundërshtojnë projektin, por për ta kuptimi i fjalës “qytet” ka rënë.
“Për një qytet ku jepet leje për mbi 2 milion metra katrorë sipërfaqe dhe ku askush nuk pyetet, besoj fjala qytet është eufemizëm në rastin e Tiranës”, analizoi aktivisti, Ervin Goci.
Zaptimi i hapësirave të gjelbra nisi në nivel lokal rreth 5 vite më parë dhe tashmë projektet po miratohen edhe përmes Këshillit Kombëtar të Territorit, duke i vlerësuar një pjesë të tyre si investime strategjike dhe duke i liruar nga disa detyrime, përfshirë një pjesë të taksave.
Në vitin 2017 qytetarët e Tiranës kundërshtuan gjithashtu dhënien e një sipërfaqeje që shërbente si lulishte në zonën e Ish-Parkut të Autobuzave, për ngritjen e një kompleksi pallatesh. “Formula” e Bashkisë Tiranë për përfitimin e një sipërfaqeje pronësie në ndërtimin që do të bëhej, i hapi rrugën ngritjes së disa pallateve aty.
Qiellgërvishtësi “Mali i Tiranës” më shumë se zhvillimin e ekonomisë, duket se është projekti i radhës që ndikon në uljen e cilësisë së jetës në kryeqytet dhe në centralizimin urban të tij.
“Tkurrja demografike ka filluar, por më shumë se tkurrja demografike, betonizimi i qytetit, përzë shtresat më vitale, sepse e ngulfat ekonominë. Ne ndërtojmë ndërtesa dhe infrastruktura që të kryejmë aktivitet ekonomik tek to dhe jo vetëm ndërtimi i këtyre ndërtesave të kthehet në të vetmin aktivitet ekonomik në qytet, e në bazë të kësaj devize ne përcaktojmë dhe sistemin e taksave, projeksionet ekonomike, orientimin e burimeve natyrore”, analizoi Goci.
“…ndërkohë që qyteti zbrazet nga aktiviteti ekonomik i vërtetë dhe ku vetë banorët e qytetit jetojnë si turistë me qira të kërcyera, e me gjithçka të shtrenjtë si për turistët. Të zënë peng në qytetin me gradaçela shkëlqyese”, përfundoi ai.