Thomas Kuhn, Donald Trump dhe Epoka e Re

Kur problemet e pazgjidhura nga shkenca normale – të cilat filozofi Thomas Kuhn i quan “anomali” – kanë arritur një numër të madh apo një masë kritike dhe duket se ajo ka vështirësi të përparojë, paradigma (pra sistemi, modeli) shkencor futet në krizë. Me rikthimin në pushtet të Donald Trump ra edhe paradigma, duke shkaktuar lindjen e një epoke të re.

Thomas S. Kuhn (1922-1996). Foto: Enciklopedia Britannica

Në vitin 1962 filozofi Thomas Kuhn, publikoi librin “Struktura e revolucioneve shkencore”, në të cilën analizonte zhvillimin e shkencës, të cilën e ndante esencialisht në “shkencë normale” dhe në “revolucion shkencor”.

Shkenca normale është ajo që avancon ngadalë, maturohet mbi premisa të njohura dhe teori klasike. Ajo përpiqet që të zgjidhi një numër të madh problemesh edhe pse jo të gjitha.

Kur problemet e pazgjidhura nga shkenca normale – probleme të cilat Thomas Kuhn i quan “anomali” – kanë arritur një numër të madh apo një masë kritike dhe duket se ajo ka vështirësi të përparojë, paradigma (pra sistemi, modeli) shkencor futet në krizë. Pikërisht nga kjo krizë gjenialiteti dhe kreativiteti njerëzor gjen rrugën e ndriçimit.

Nga kjo krizë shpesh herë prodhohet një paradigmë e re (model i ri) shkencore, e cila jo gjithmonë është në harmoni me paradigmën e mëparshme. Ky quhet nga Kuhn, “ndryshim i paradigmës” (“paradigm shift”). Këtë bëri për shembull Aristoteli, Newton, Koperniku, Ajnshtajni dhe të tjerë.

Teoria e Kuhn gjeti mënjëherë mbështetës dhe kritikë të zjarrtë. Mes mbështetësve ishin studiuesit e shkencave sociale, të cilët e përvetësuan atë dhe e aplikuan për një lexim sa më të drejtë të realitetit social (Handa, 1986). Ndër kritikët ishte edhe filozofi Karl Popper, që më pas do të ishte mentori frymëzues i Xhorxh Soros. Ashtu si në shkencën natyrore edhe në atë sociale, grumbullimi i një sasie të madhe pyetjesh pa përgjigje dhe çështjesh të pazgjidhura, duhej të çonte detyrimisht një shoqëri drejt ndryshimit të paradigmave.

*

Pak dekada më parë askush nuk do ta kishte besuar se Donald Trump do të ishte presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aq e largët ishte kjo mundësi, saqë më 19 mars të vitit 2000, një episod i “The Simpsons” do të tallej me ngjarjen hipotetike. Përkundrejt asaj që besonin amerikanët, “The Donald” u zgjodh dhe u rizgjodh president i Shteteve të Bashkuara. Përballë tij e gjithë ajo pjesë e shoqërisë e cila kishte përqafuar të ashtuquajturën “Woke Culture”, një nën degë ideologjike dhe politike e së majtës Amerikane (“Left Wing”), e kalëruar me vendosmëri nga flamurtari Xhorxh Soros. Edhe vetë e majta amerikane u rreshtua rreptësisht kundër asaj që e konsideronte si “kërcënimin më të madh të demokracisë”, pra Donald Trump.

Përballë një bote që po ndryshon me shpëjtësi, ku luftërat kërcënojnë nga Lindja, IA po pushton botën virtuale dhe atë profesionale, demografia negative po e frikësonin Evropën, emigracioni po ndryshon ekuilibrat kulurorë dhe social të qytetërimit perëndimor…përgjigjet që e majta amerikane në përgjithsi dhe woke-izmi në veçanti nuk po jepte, rënduan në shoqëri më shumë se përgjigjet që jepte.

Me mijëra amerikanë humbën jetën nga liberalizimi i drograve, veçanërisht fentanili ndërsa me mijëra fëmijë nisën “kurat” hormonale për të ndryshuar gjininë, ndërsa myslimanët radikalë shfrytëzuan luftën në Gaza për të përdhosur monumentet e shenjta dhe flamurin amerikan. Emigracioni rriti çmimin e shtëpive dhe të pastrehët, ndërsa largoi qindra mijëra amerikanë nga puna. Fushtat pro LGBTQI+ nuk sollën asnjë rritje në ekonomi apo në mirëqenien e përgjithshme. Lufta e përemrave ishte më e rëndësishme për qeverinë amerikane sesa mirëqenia e punëtorëve, fermerëve apo veteranëve të luftës. Kjo u replikua edhe në politikën e jashtme, ku mbështetja për agjendën dhe rrjetin “woke” ishte prioritet përballë demokracisë, antikorrupsionit apo kërcënimeve gjeopolitike.

Përballë këtij liberalizmi të tepruar, Amerika e thellë u bë më konservatore, më izolacioniste, më racionale. U lidh më shumë me besimin e krishterë dhe të djathtën. Një pjesë e elektoratit u zhyt në konspiracionizëm, ndërsa krahu më ekstrem nuk ngurroi të shpluhuroste Mein Kampf dhe ideologjinë naziste. Reaksioni ishte i jashtëzakonshëm, aq sa çdo element tjetër i shoqërisë, ekonomisë, gjeopolitikës dhe kulturës nisi të shihej nën kuadrin e një anti-liberalizmi radikal.

Ishin krijuar kushtet perfekte për një “paradigm shift”, pra për një ndryshim paradigmatik të jashtëzakonshëm. Me rizgjedhjen e Donald Trump si president i 47-të i SHBA-së, “Woke Culture” kishte vdekur përfundimisht dhe me të kishte rënë në koma edhe e majta amerikane. Situata është shumë e ngjashme në thelb me disa periudha të tjera të historisë amerikane, si për shembull “Epoka e progresit”, e cila nisi në fund të shekullit XIX dhe zgjati deri në vitin 1933, pra për gati 40 vjet, “Epoka e New Deal”, e cila zgjati nga viti 1933 deri në vitin 1980 dhe “Epoka Regan”, e cila zgjati nga viti 1980 deri në 2008-ën.

Sot SHBA-ja dhe bota është futur në një epokë të re, e cila me shumë gjasë do të shkojë përtej mandatit katër vjeçar presidencial të Donald Trump. Një epokë më e orientuar nga vlerat tradicionale, ekonomia lokale, izolacionizmi dhe zhvillimi teknologjik.

Dorian Hatibi

Është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sociale, parë Universitetit të Tiranës dhe në Fakultetin e Shkencave Ekonomike, Politike dhe Sociale, pranë Universitetit Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë", Tiranë. Për më shumë se një dekadë ka ushtruar kompetencën në fushën e çështjeve sociale dhe politike, brenda dhe jashtë vendit, duke shërbyer për disa vite edhe si lektor i Psikologjisë Kulturore dhe Sociologjisë, në Universitetin Aleksandër Moisiu Durrës. Aktualisht është fokusuar në zbardhjen e identitetit kulturor dhe historisë sociale të qytetit të Durrësit. Është autor i disa botimeve ndër të cilat "Historia e Durrësit. Shënime kronologjike", "Ecclesia Dyrrhachiensis" dhe "Qyteti që rrëfen".

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *