Teuta, mbretëresha e huazuar
Durrësi, vendlindja e perandorit Anastas, guvernatorit Leo Ravduhu, Leonik Tomeos, Jan Kukuzelit, varri i perandorit Ivan Vladislav dhe fushëbeteja midis Çezarit dhe Pompeut, Aleks Komnenit, Robert Guskardit, Bohemundit, Mehmetit II dhe Skënderbeut, qyteti për të cilin nga lashtësia në mesjetë “buçiste fama”, nuk ka asnjë nevojë të huazojë figura nga qytete të tjera, për tu ndjerë i rëndësishëm.

Ilustrim për mbretëreshën Teuta. Përpunoi: Media Amfora
Në fund shekullin XIX dhe në fillim shekullin XX nën kontekstin e luftës për pavarësi kombëtare dhe për shkak të nevojës që kishte historiografia e kohës për të treguar lashtësinë e popullsisë shqiptare në këto treva, u ngritën disa mite që sot janë rrënjosur thellë në ndërgjegjen tonë kombëtare. Këto mite asokohe kishin funksion juridik, por edhe psikologjik. Për shembull si do t’i përgjigjeshin patritotët shqiptarë akuzave serbe në kancelaritë perëndimore, se shqiptarët nuk kishin pasur kurrë një shtet dhe si pasojë ata nuk dinin të bënin shtet?! Çfarë do t’i thuhej fshatarit shqiptar të vitit 1912, i cili prej brezash kishte pasur mbi krye një sundues të huaj dhe që i frikësohej lirisë?! Elita shqiptare e kohës nisi kështu punën me burimet antike për të legjitimuar në dimensionin politik, moral dhe psikologjik, pavarësinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ata gërmuan thellë në antikitet, për të gjetur aty fakte të cilat nisën të interpretohen në këtë kuadër.
Në një farë mënyre këto të dhëna ishin të vërteta. Për shembull, që shqiptarët janë një popull i lashtë, ky është fakt shkencor. Që në fund të shekullit të 12-të ka pasur gjithashtu një shtet shqiptar i cili lëvizte në kancelaritë e kohës, edhe ky është një fakt historik. Që shqiptarët nuk ishin vetëm bari malesh, të pagdhendur dhe të paedukuar, edhe ky tashmë është një fakt i pranuar nga shumica e studiuesve seriozë. Por sidoqoftë këtyre fakteve historike, pak nga entuziazmi, pak nga atdhetarizmi dhe pak nga të dhënat e reduktura të kohës, nisën t’i bashkëngjiteshin edhe pseudofakte, intepretime të gabuara, delire patriotike dhe gabime trashanike. Më emblematikja nga të gjitha këto mite ishte (dhe është sot më e fortë se kurrë!) ajo që njihet si origjina pellazgjike e shqiptarëve. Një përrallë e bukur, por e trashë, e cila nuk merret më seriozisht nga bota akademike prej dekadash.
Një tjetër mit të cilit është shumë e vështirë t’i gjendet burimi, është lidhja e presupozuar që mbretëresha Teuta kishte me qytetin e Durrësit dhe akoma më shumë titulli i dhënë asaj sot, si “Mbretëresha e Durrësit”. Teuta, gruaja e mbretit Agron, pas vdekjes së këtij të fundit mori fronin si regjente, duke qenë se i biri ishte ende i mitur. Sundimi i saj shtrihej nga Lumi Narona në veri, deri në lumin Aoos (Vjosa) në jug, me dy përjashtime të bujshme, Durrësin dhe Apolloninë. Këtu nuk është hapësira për të trajtuar origjinën dhe historinë komplekse të mbretërimit të saj dhe aq më pak të marrëdhënies që Teuta kishte me fqinjët romak, grek, kelt dhe ata epirot. Por ajo që dimë shumë mirë është se ajo nuk e ka kontrolluar Durrësin për asnjë minutë të mbretërimit të saj. Plini i Vjetër, Polibi, Apiani, Justini dhe Dio Cassius, të vetmit që japin njoftime për të, na tregojnë se Teuta dhe Durrësi ishin armiq të betuar. Aq sa Roma u fut në luftë me Teutën pikërisht sepse Durrësi e kërkoi një gjë të tillë. Flota e mbretëreshës në fakt kishte bllokuar Portin e Durrësit prej muajsh dhe madje kishte tentuar të sulmonte pa sukses qytetin, duke u thyer rëndë. Madje edhe me nisjen e luftërave Iliro-Romake Durrësi ishte baza më e besuar dhe e fuqishme logjistike e legjioneve dhe e flotës romake. Qyteti financonte fushatat kundër ardianëve dhe lehtësonte aleancat lokale kundër Teutës.
Polibi, autori që edhe shkruan me më shumë detaje për Teutën, tregon tek libri i tij “Historiae 2:9”, se: “Teuta, me të ardhur pranvera, pasi ndërtoi anije akoma më shumë se më përpara, i dërgoi përsëri në viset e Helladës. Një pjesë e këtyre anijeve u nis drejt për Kerkyrë, ndërsa pjesa tjetër qëndruan në limanin e Epidamnit, me pretekstin se gjoja do të merrnin ujë dhe ushqim, por në të vërtetë për ta pushtuar qytetin me dredhi. […] Por banorët e qytetit megjithëse të papërgatitur për këtë ngjarje të papritur, vrapuan me të shpejtë për ndihmë dhe luftuan me guxim. Kështu ngjau që në fund ilirët, me gjithë qëndresën e tyre të gjatë, u dëbuan nga qyteti”. Është shumë e qartë se Teuta pra nuk arriti ta pushtonte Epidamnin dhe se banorët e tij ishin plotësisht kundra saj, për aq kohë sa luftuan me guxim për zbrapsjen e ushtrisë së saj nga qyteti.
Arkeologu Selim Islami shkruan se, “Kufinjtë e shtetit të tij [Agronit] përfshinin një trevë të gjerë që nga Narona e deri në Aoos, me përjashtim të Dyrrahut e Apolonisë”. Më tutje kur përshkruan marrëdhëniet midis Durrësit dhe mbretëreshës, Islami shkruan se, “Qytetet e mëdha të bregdetit, Dyrrahu, Apolonia dhe Korkyra […] kishin mbajtur një qëndrim negativ dhe plani për pushtimin e tyre me forcë kishte dështuar”. Dhe këtu studiuesi i famshëm shqiptar nuk bën asgjë më pak apo më shumë se përmbledh në mënyrë shumë të saktë shkrimet e katër autorëve romakë që cituam më lartë.
Nuk dihet pra cili është ai burim që lidh Teutën me qytetin e Durrësit. Lidhja e tyre është vetëm negative dhe kurrësesi ajo nuk mund të kthehet në një simbol të tij. Durrësi në fakt është një qendër aq e fuqishme graviteti historiografik sa nuk ka pse të ketë nevojë për huazimin e një mbretëreshe që nuk ka asnjë lidhje me të. Fatkeqësisht padituria dhe entuziazmi irracional vazhdon të sundojë në qytet. Sot emra mikrotoponimish, klubesh sportive, eventesh kulturore apo hapësirash publike vazhdojnë të mbajnë emrin e saj. Madje sipas një iniciative sidoqoftë për tu lavdëruar, në Durrës mbretëreshës Teuta do t’i ngrihet edhe një bust – Dhe ky do të ishte një paradoks tipik shqiptar sipas të cilit ne i ngrejmë buste atyre që duan të na pushtojnë.