Të rinjtë “thyen traun”, emigrimi mbetet perspektiva më e preferuar

Statistikat tregojnë se numri i të rinjve që largohen nga vendi është në rritje, teksa shumica e atyre që shkojnë për të studiuar jashtë nuk kthehen më pas. Të rinjtë rendisin si arsyet kryesore për të emigruar mungesën e meritokracisë, cilësinë e ofrimit të shërbimeve dhe pagesat e ulëta.

Teuta Deti pas mbarimit të gjimnazit vijon të jetoj në qytetin e Durrësit. Por kjo situatë duket e përkohshme. Vonesat burokratike për nxjerrjen e diplomës i kanë zgjatur kohën për të aplikuar në një nga universitetet jashtë vendit.

E reja i mbaroi studimet 4 vjeçare dhe provimet e maturës shtetërore me mesataren 9.3 dhe sheh si mundësi vijimin e studimeve në Gjermani, në fushën e ekonomisë.

“E kam menduar largimin nga Shqipëria, për faktin se puna nuk vlerësohet mjaftueshëm ose vendi i punës është shumë i zorshëm për tu gjetur”, rrëfen 20 vjeçarja për Median Amfora.

Ajo përfundoi studimet në Shkollën e Mesme Teknologjike “Hysen Çela”, në Durrës, në degën e ekonomikut. Raportet e fundit për emigrimin e të rinjve tregojnë se shumë prej atyre që kanë ambicie arsimin apo punësimin jashtë Shqipërisë, kanë zgjedhur një nga vendet e Europës Perëndimore ose më gjerë.

“Edhe pse në gjashtë muajt e parë të vitit 2020 kufijtë e Shqipërisë qëndruan pjesërisht të mbyllur, në dhjetë vitet e fundit nga Shqipëria janë larguar 140.390 të rinj dhe të reja”, gjeti “Raporti Kombëtar ‘Rinia në Shqipëri 2020‘”, përgatitur nga disa Organizata të Shoqërisë Civile.

Studimi vëren se në Shqipëri mungojnë të dhënat mbi emigrimin e të rinjve, teksa raportet ndërkombëtare dëshmojnë se ritmet e ikjes së të rinjve nga vendi ynë janë të larta, duke e detyruar Shqipërinë të shpopullohet tërësisht brenda 70 viteve të ardhshme.

Të rinjtë në Durrës duke protestuar kundër prishjes së Godinës së Teatrit Kombëtar dhe dëmtimit të trashëgimisë, më 21 maj 2020. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Arsimimi jashtë vendit po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një “trampolinë” për të ndërtuar jetën atje, teksa shumë të rinj nga shtresa me probleme social-ekonomike zgjedhin të shkojnë për të punuar, shpesh herë duke shkelur afatin 3 mujor të qëndrimit në Zonën Shengen apo duke aplikuar si azil kërkues.

Duke krahasuar të dhënat e Institutit të Statistikave për rinjtë (15 – 29 vjeç), në muajin janar të këtij viti u regjistruan 643.059 persona ose 73.256 të rinj më pak se në janar 2016-të.

Modelet e gabuara shoqërore

Rigels Lenja përfundoi studimet për histori në nivelin “Bachelor” dhe “Master”, në Universitetin e Tiranës. Pas 2 vitesh punë si udhërrëfyes turistik në Ballkan, vendosi të shkëputej për të vijuar studimet doktorale në Universitetin e Mynihut.

“Gjermania ishte një nga vendet më të mira në Europë dhe në botë, për shkak të lehtësirave dhe përfitimeve që ofron”, shpjegon Lenja, për Median Amfora.

Pyetjes klasike nëse do të kthehet në Shqipëri, ai zgjedh t’i përgjigjet me një shprehje po kaq klasike, “Kurrë mos thuaj kurrë, por nuk e kam në plan që të kthehem në Shqipëri”.

“Për arsye se studimet që kam bërë këtu kanë një kosto, duhet mësuar gjuha, integrimi, kuptimi i shoqërisë, janë kosto dhe investim dhe do doja shumë që me qenë se i kam bërë studimet doktorale këtu, t’i vija në punë këtu një herë”, rrëfen Lenja.

Të dhënat e Zyrës së Statitikave të Bashkimit Europian (EUROSTAT) tregojnë se në vitin 2019 ju dha leja e parë e qëndrimit në një shtet anëtar të BE-së,  60.384 shqiptarëve. Në vendin e parë ishte Italia, me 35 %, Greqia, me 26 % dhe Gjermania, me 20 %.

“Ata që mbarojnë shkollat e mesme dhe janë mirë me rezultate, ndjekin studimet jashtë shtetit dhe mbeten atje”,analizon Mirjam Reçi, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës së Zhvillimit të Shoqërisë Civile Durrës (CSDC Durrës).

“Por edhe ata që mbarojnë studimet e larta në Shqipëri dhe kanë ndonjë mundësi të tipit, vëlla, ose motër që i pret jashtë shtetit dhe i siguron një punë, pra e kanë një lloj mundësie që të largohen, ikin”, shton Reçi.

Teuta Deti kur zgjodhi arsimin profesional në qytetin e Durrësit për ekonomik, i kishte bërë mirë llogaritë! “Diploma që mua më jepet është edhe për një moment të dytë, në qoftë se unë do të iki jashtë, ideja e emigrimit”, rrëfen ajo për diplomën që sipas saj njihet edhe në Bashkimin Europian dhe më specifikisht nga Gjermania.

Nëse do vijonte punën pas studimeve në Shqipëri, ajo mendon se, “Duhet të kesh kontratën që në fillim të universitetit për shembull, që fillon dhe kërkon punë ose duhet ta gjesh në një lloj mënyre tjetër, jo tamam-tamam që shkon dhe bën intervistë dhe ato të zgjedhin, duhet të kesh një ndihmesë”, rrëfen ajo.

Teuta Deti. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Rigels Lenja pyetjes se cilat janë arsyet që do vijoj të qëndroj në Gjermani, rendit së pari, “Meritokracia, ka një sistem që në rast se ti e plotëson atë që kërkohet e merr”, rrëfen i riu.

Studiuesit e fushës mendojnë se krijimi i modeleve të gabuar në shoqëri ka deformuar shembujt që të rinjtë kanë për arritjet në karrierë. Prirja për një karrierë të shpejtë apo paga të larta, renditet si një dëshirë e cila nuk përkon me kushtet reale të një sapo të diplomuari.

“Të bëhesh drejtor duhet të kesh disa vite punë në profesionin tënd, të jesh i kualifikuar, të tregosh se ke aftësi organizative dhe pastaj të marrësh postin e drejtorit”, analizon Mirjam Reçi, njëkohësisht lektore në Universitetin Aleksandër Moisiu Durrës (UAMD).

“Por drejtor nuk është profesion, është pozicion. Domethënë është brezi i të rinjve në universitete që nuk e kanë perspektivën afatgjatë, që karriera profesionale do shtrihet në vite edhe dekada”, thekson Reçi.

Mungesa e orientimit nxit emigrimin

Mungesa e orientimit të të rinjve që në krye të herës dhe ndërveprimi midis institucioneve arsimore, atyre të punësimit dhe biznesit konsiderohen si faktorë nxitës për emigrimin e të rinjve që nuk e ndiejnë veten pjesë të tregut të punës pas përfundimit të universitetit.

“Shanse punësimi dhe biznese që kërkojnë punonjës ka, por nuk ka një rakordim midis institucioneve të punësimit, biznesit, zyrave të punës, Agjencisë Kombëtarë të Punësimit dhe Aftësive, universiteteve, e kështu me radhë”, analizon Reçi.

“Dy vite më parë kur ishte matura dhe diskutoja me ata nxënës, pjesa më e madhe thonin se do e vazhdonin Universitetin në Tiranë ose Durrës dhe 2-3 për klasë thonin se do e vazhdojmë ose do ikim për punë jashtë”, kujton Teuta Deti.

“Ndërsa sot është një bisedë e përgjithshme që bëhet se, ‘Ku do e vazhdosh universitetin?’ dhe thonë se do marr një vit bosh, do iki të punoj 1 vit dhe pastaj do vazhdoj universitetin”, krahason ajo trendin rritës për largimin e të rinjve.

Dëshira e saj për të studiuar për “Ekonomi globale” nuk përmbushet në universitetet publike sipas 20 vjeçares dhe këtë mund ta gjej në një universitet të huaj. Teksa pedagogët reflektojnë se duhen përmirësuar kurrikulat universitare.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Kampusi i Ri Universitar, Spitallë. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

“Universitetet kanë kurrikula që duhet t’i rishikojnë në mënyrë të vazhdueshme. Ka shumë degë që nuk zënë më vend në tregun e punës”, shpjegon Mirjam Reçi, lektore në UAMD.

Rekordmen për azil!

Shqipëria përjetoi një valë emigrimi në nivelet biblike, që u njoh si eksodi shqiptar, gjatë të cilit shumë familje u larguan për arsye ekonomike dhe më pak politike, drejt vendeve fqinje, si Italia dhe Greqia, por edhe më gjerë.

Teksa emigrimi i shqiptarëve kishte pësuar një qetësim, pak vite pas liberalizimit të lëvizjes së lirë në Europë, në vitet 2014-2016 një numë i lartë shqiptarësh ju drejtuan vendeve europiane, kryesisht Gjermanisë, për të kërkuar azil apo forma të tjera punësimi.

“Nuk ka vetëm të rinj të papunë që ikin, por ka edhe të rinj të punësuar që po e lënë punën dhe po ikin”, tregon Mirjam Reçi.

Në shtator të këtij viti shtetasit shqiptarë ishin grupi i shtatë më i madh i aplikantëve si azil kërkues në BE, duke zënë rreth 3 % të të gjitha aplikimeve. Shifrat u rritën ndjeshëm që nga muaji maj, duke depozituar në muajin shtator rreth 2130 aplikime.

Gjetjet e EASO-s (Zyra Europiane për Mbështetjen e Azilit) dëshmuan se numri ishte më i larti që nga tetori i vitit 2018 dhe se 8 nga 10 aplikantët shqiptarë e bënin procedurën për herë të parë.

Për Rigels Lenjën duhet që Shqipëria të ofrojë më shumë garanci sociale. “Nuk mund të lihet një person të mbijetojë, kur duhet të paguajë shpesh herë më shumë se sa përfiton apo sa e ka rrogën”, tregon ai.

“Unë njoh shumë që janë larguar për studime, por njoh akoma më shumë që janë larguar për punë”, tregon Rigels Lenja, teksa qëndron prej 2 vitesh për studime në Gjermani.

Nga një vëzhgim në rrjetin social “Instagram”, kompani udhëtimi që ofrojnë transport drejt Gjermanisë dhe vende të BE-së trumbetojnë se si gjatë pandemisë dhe masave kufizuese kaluan dhe vijojnë të kalojnë qindra pasagjer pa asnjë pengesë.

“Pa tampon/pa vaksinë, pa ftesë, pa karantinim, pa garanci ose rezervim hoteli. Paguaj vetëm biletën dhe asgjë tjetër”, shkruan një prej agjencive që garanton kalim pa pengesa drejt Gjermanisë dhe vendeve tët jera, fill pas kalimit të Doganës së Hungarisë.

“Screenshot” nga faqet në “Instagram” të agjencive të udhëtimit drejt Gjermanisë, që premtojnë “kalim të sigurt dhe pa pengesa”.

Media Amfora zhvilloi intervista me të rinj shqiptar që nuk pranuan të identifikoheshin për arsye sigurie dhe mësoi se një numër i madh të rinjsh largohen për të punuar në Gjermani pa kontrata pune, tek sipërmarrës shqiptar që i sigurojnë një ambient qëndrimi dhe i punësojnë të padeklaruar, duke shkelur edhe afatin e qëndrimit në Zonën Shengen, për paga më të larta.

“Duke qenë se vijnë në mënyrë të paligjshme, shpesh herë e kanë të vështirë të gjejnë një punë dhe e shikojnë si zgjidhje afatshkurtër angazhimin në aktivitetet kriminale dhe më pas nuk shkëputen dot”, analizon Rigels Lenja për një tjetër aspekt të emigrimit.

Ekspertët theksojnë nevojën e krijimit të jetës sociale për të rinjtë në periferi dhe angazhimin e tyre në aktivitete që lidhen me aktivizmin. Por përpjekjet sipas tyre duhet të mbështeten me forcimin e “shtyllave të shoqërisë”.

“Duhet të shkojnë paralelisht forcimi i tregut të punës, i aftësive konkurruese të të rinjve, por edhe rikthimi i besimit tek institucionet, për mënyrën se si i ofrojnë shërbimet për publikun”, analizon Mirjam Reçi.

Teuta Deti po vijon me kurset për aftësime të tjera arsimore, teksa kujton aktivitetet e gjimnazit, ku angazhohej me të rinjtë në konkurse apo nisma pastrimi. Sipas saj largimi i të rinjve po krijon një boshllëk për aktivizmin në vend.

“Në qoftë se ikin të rinjtë, kush do i marri iniciativat përgjithësisht?! Nëse bëhet diçka e padrejtë, kush do të ngrihet në protestë?! Nuk mund të ngrihet im atë ose gjyshërit e mi, ngrihen të rinjtë që mendojnë të vazhdojnë këtu”, pyet dhe përgjigjet e reja.

Pavarësisht trendit për tu larguar nga vendi, nga ana tjetër shumë të rinj zgjedhin për tu rikthyer në atdhe, duke dhënë kontributin në administratën publike apo për të themeluar biznese, që po rezultojnë edhe të suksesshme.

“Ka të rinj që kanë ndjekur programet e arsimimit, si ‘Erasmus plus’ dhe janë kthyer në Shqipëri, duke u punësuar nëpër ministri, institucione qeveritare dhe po sjellin kontributin e tyre. Këta mendoj se janë njerëzit e mirë orientuar, që kanë punuar shumë”, rrëfen Mirjam Reçi.

“Por në qoftë se nuk ka rini, nuk ka as inovacion, as ndryshim sepse do vazhdojë po e njëjta ide”, reflekton për Median Amfora, Teuta Deti.

“Nëse ne ikim nga Shqipëria, është ideja që nuk do të ketë më njerëz që të mund ta bëjnë atë një vend të mirë mjaftueshëm”, përfundon ajo.

_________

Ky shkrim synon njohjen me peizazhin e aktivizmit në Shqipëri, situatës së të rinjve dhe fenomeneve që lidhen me to, të cilat paraqesin sfidat e arritjet për përmirësimin e shoqërisë shqiptare dhe organeve qeverisëse. Shkrimi u përgatit me mbështetjen e “Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit”, në kuadër të “Ditës Kombëtare e Aktivizmit”, që organizohet çdo datë 22 tetor.

*Foto në krye: Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109