Nga Platoni te Facebook-u: Si u shpik Atlantida e Durrësit
Në fund të viteve ’80 u shpik teoria se Atlantida legjendare ndodhej në Gjirin e Durrësit, një ide e bazuar vetëm në disa ngjashmëri sipërfaqësore. Pas viteve 2000 kjo u riciklua në rrjetet sociale si “fakt shkencor”, duke konfuzuar publikun. Në realitet përshkrimet e Platonit rrjedhimisht e përjashtojnë këtë mundësi dhe Atlantida mund të jetë një metaforë filozofike dhe jo një vend fizik në bregdetin shqiptar.

Foto ilustruese nga postimet në "Facebook" që pretendojnë se Atlantida gjendet në Durrës
Në fundin e viteve ’80, një funksionar i lartë lokal i Partisë Komuniste në Durrës, i cili ndër të tjera gëzonte edhe një aftësi të mirë artikulimi, nisi të shpërndate në median lokale idenë se Atlantida legjendare duhet të ketë qenë shtrirë në fakt në Gjirin e Durrësit. Argumentet e tij kyresore mbështeteshin te fakti se Durrësi deri në mesjetë konsiderohej një ishull, te forma perfekte gjysëmrrethore e Gjirit që mban të njëjtin emër dhe…kaq!
Aty nga fundi i vitit 2006, në kulmin e entuziazmit për teorite “e fundit” pellazgjike, kjo teori nisi të riqarkullojë në rrjetet sociale si një fakt shkencor. Këto “fakte shkencore” u risollën të njëjta për audiencën digjitale shqiptare në vitin 2008, 2015 dhe së fundmi prej rreth një viti kanë rinisur të qarkullojnë dendur si pjesë e paketës pellazgjike.
Në bazë të argumenteve që “atlantidologët” e pagabueshëm shqiptarë sjellin në vëmendjen e arkeologëve të palexuar botërorë, qëndron edhe njëherë “lidhja e fortë” gjuhësore mes vetë fjalës Atlantis dhe fjalës shqipe At-Land, pra Atdhe. Dy argumentet e tjera janë ato të ish-funksionarit komunist të përmendura më lart. Kaq ka mjaftuar që “populli digjital” të entuziazmohet dhe të nisi një fushatë shpërndarje dhe rishpërndarje të artikujve, intervistave, komenteve dhe qëndrimeve mbi çështjen.
Por si qëndron e vërteta?! A ka ndonjë mundësi që Atlantida të gjendet në Gjirin e Durrësit? Përgjigja e shkurtër dhe fort e prerë është: Jo – kjo mundësi nuk ekziston në asnjë skenar të mundshëm dhe më poshtë do të përpiqemi të shpjegojmë përse.
Njoftimet e para
Për herë të parë dhe të fundit mbi një ishull të quajtur Atlantid ka shkruar Platoni. Ai e përmend atë në dy vepra: Te Timeo (21a–25d) dhe tek Kritias-i (108e–121c). Tek kjo e fundit edhe pse e papërfunduar, jepen detaje të jashtëzakonshme në lidhje me vendin, popullësinë, qeverisjen, florën, faunën dhe organizimin urban të saj. Si na tregon Kritias, athinasit e morën njoftimin e parë mbi Atlantidën nga egjiptianët. Gjatë një vizite që ligjvënësi Solon po zhvillonte në qytetin Sais rreth vitit 590 p.e.s., priftërinjtë e tempullit dedikuar hyjneshës Net, i paraqitën atij tregime të lashta që flisnin për një ishull të quajtur Atlantis.
Sipas këtyre dokumenteve ishulli (detajet e të cilit do t’i japim më poshtë) banohej nga një popullsi shumë e avancuar për kohën. Vendbanimi i parë në këtë ishull ishte themeluar nga një mbret me emrin Atlant, nga ku më pas kishte marrë emrin edhe vendi. Si pasojë e shtimit të popullsisë dhe forcës së madhe ushtarake, atlantidasit kishin nisur të kërkonin zgjerimin e pushtetit të tyre mbi Mesdhe. Ata ishin përplasur me një ligë popujsh që drejtohej pikërisht nga grekët. Në përfundim të konfliktit, Atlantida e kishte humbur luftën dhe grekët e kishin pushtuar ishullin, por pa e gëzuar shumë atë. Një kataklizëm e beftë dhe e jashtëzakonshme natyrore e ndodhur rreth 9000 vite më parë, e kishte fundosur atë brenda natës. Në kohën kur shkruante Platoni ishte ende i dukshëm llumi dhe mbeturinat e qytetit që lundronin në det dhe ishin kthyer në problem për marinarët.
Një historian dhe filozof grek i shekullit IV e.s. me emrin Jambikli, na tregon se si një nxënës i Platonit me emrin Zotiko, e kishte studiuar me themel çështjen dhe kishte arritur të shkruante edhe një vepër. Fatkeqësisht ajo vepër sot ka humbur dhe si pasojë çdo informacion e kemi falë dialogut që vjen përmes veprës së Platonit.
Papajtueshmëria me Durrësin
Nga përshkrimi i detajuar që Kritias na jep në lidhje me Atlantidën, del fare e qartë absurditeti i lidhjes së saj me Durrësin. Diferencat janë të jashtëzakonshme dhe themelore. Nisin me dimensionet dhe vazhdojnë pozicionin gjeografik, florën, faunën, popullsinë, strukturën urbane, klimën dhe historinë.
Së pari na thuhet se Atlantida ishte e madhe sa Afrika Veriperëndimore (në tekst quhet Libia) dhe Azia të marra së bashku. Në një paragraf jepet madhësia e një lëndine e cila shtrihej në rreth 3000 stade, e konvertuar kjo me rreth 550 kilometra sot. Në të gjithë ishullin ndodheshin 3 porte të mëdha dhe disa më të vogla. Vetëm qyteti kryesor, pra aty ku ndodhej rezidenca e mbretit, banohej nga 70.000 burra, në total rreth 200.000 banorë nëse numërohen edhe gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Ushtria e tyre përbëhej nga 10.000 karroca, me nga dy kuaj.
Ishulli (në greqishten e Platonit “nêsos”) ndodhej në perëndim të Kolonave të Herkulit (Ngushtica e Gjibraltarit) përballë një rajoni që quhej Gadir. Atlantida sipas përshkrimeve ishte ishulli kryesor i një arqipelagu më të gjerë. Nuk mungonin minierat dhe metalet e çmuara, si ari dhe argjendi. Aty ndodhej edhe një metal mitik i quajtur orikalkum, natyra e të cilit sot është e panjohur. Tek Kritias tregohet për metale në gjendje të lëngshme, gjë që sugjeron prezencën e një vullkani aktiv. Ai ishte aq i madh se brenda kishte male gjithmonë të zbardhura nga dëbora dhe disa lumenj të mëdhenj. Ishulli banohej dendur nga elefantët dhe nga kafshë të tjera afrikane.
Qyteti më i madh i ishullit ishte pikërisht Atlantida, i ndërtuar brenda në det dhe që përbëhej nga 3 rrathë të mëdhenj, ku në qendër ndodhej rezidenca e mbretit. Ajo lidhej me ishullin përmes një ure.
Një alegori platoniane
Tregimi i Platonit tek Kritias nuk është i plotë. Ai është i papërfunduar. Si pasojë, nëse nuk bëhen zbulime të tjera arkeologjike apo dokumentare, ne nuk do ta njohim kurrë historinë e plotë. Ajo që dimë nga vepra tjetër Timeo, është se Atlantida u fundos brenda natës si dënim i Zeusit kundër shthurjes së saj. Por ndoshta nuk do t’i njohim kurrë detajet e asaj kataklizme. Mungesa e dokumenteve, mungesa e një historie të plotë, mungesa e një vendndodhje të saktë apo e gjurmëve arkeologjike, kanë nxitur shumë studiues të mendojnë se Atlantida është më shumë një alegori platoniane se sa një vend real. Platoni njihej për këto metafora ku ajo e shpellës është më e famshmja.
Në shekujt e mëvonshëm shkrimtarë të famshëm si Francis Bacon apo Thomas More do frymëzoheshin nga legjenda për të shkruar në lidhje me vende utopike (pra “jo vende”, nga greqishtja “ou” që do të thotë “jo” dhe “topos” që do të thotë “vend”). Në thelb të alegorisë është një vend imagjinar që sado i fortë, i pasur me burime dhe minerale, i vetëmjaftueshëm apo i populluar të jetë, nëse nuk i qëndron virtyteve është i destinuar të shkatërrohet nga zotat. Kjo në linjë me filozofinë greke se, “e keqja e konsumon gjithmonë veten” (Aristoteli).
Një mësim nga Platoni
Pas këtij përshkrimi të shkurtër por të mjaftueshëm, mendojmë se nuk ka më vend për komente shtesë mbi kotësinë e një lidhje – palidhje – si ajo e Atlantidës në Gjirin e Durrësit. Në një kohë kur “Teza e Atlantidës” hidhet për konsum kohë pas kohë në rrjetet sociale, harrohet dhe rikthehet, e rikthehet për t’u përjetësuar midis një diskutimi shterpë. Ajo që duhet të na shqetësojnë më tej nuk është teoria në vetvete sepse teoritë dhe hipotezat janë pjesë e debatit të shëndeshëm shkencor – ajo që na shqetëson është autoriteti që sharlatanët gëzojnë në shoqërinë tonë. Për Platonin në fakt një shoqëri që drejtohet nga emocionet apo opinionet (në greqisht “doxa”) është një shoqëri që po shkon drejt fundit. Ajo shoqëri që lejon opininon të vizatojë identitetin e vet është një shoqëri e destinuar të dështoj në të gjitha proceset e tjera sociale, demokracinë “in primis”.