Në luftë për frymëmarrjen, banorët përballen me humbjen e hapësirave të gjelbëra
Sipërfaqet e gjelbëra në raport me ndërtimet e reja janë reduktuar ndjeshëm vitet e fundit në qytetet kryesore të vendit, ku vetëm kryeqyteti për vitet 2007-2018 ka humbur 52.58 hektarë gjelbërim. Teksa komunitetet lokale dhe aktivistët po kundërshtojnë me protesta dhe padi gjyqësore bizneset që tentojnë të presin pyllin.
Xhemali Luca u vendos në vitin 1980 në fshatin Priskë e Madhe, rrëzë Malit të Dajtit. Burri i ardhur nga fshati Zall-Dardhë i Peshkopisë, së bashku me familjen nuk u mjaftuan vetëm me punimin e tokës bujqësore.
“Në këtë pjesë tokat janë hapur në kohën e koperativës dhe quhen parcela komunale, që i ka hapur Komunalja e Tiranës me aksion në atë kohë dhe ja ka dhuruar si tokë të re koperativës bujqësore”, rrëfen sot 69 vjeçari.
“Këtu nuk futeshe dot as në hije”, kujton burri për Median Amfora. Pak nga pak, me familjarët e tij nisën të kujdesen për parcelat që ishin mbuluar nga shkurret mesdhetare, duke mbjellë filiza drurësh të rinj.
Me rënien e komunizmit dhe privatizimin e tokës së koperativës, së bashku me 8 fëmijët, vëllezërit dhe motrat, ata u kujdesën për filizat e rinj që sot janë kthyer në një pyll me sipërfaqe rreth 7 hektarë dhe me drunj që mesatraisht shkojnë në lartësinë 19 metra.
Por shembullin e Xhemaliut duket se e kanë ndjekur pak banorë të qyteteve tona dhe aq më pak pushteti vendor. Pak kilometra nga aty, nga analizimi i pamjeve satelitore të kryeqytetit për vitet 2007-2018, rezulton se kanë humbur 52.58 hektarë gjelbërim, referuar zonës që përfshihet brenda Unazës së Madhe.
Të dhënat që u gjetën gjatë zbatimit të projektit “Mushkëri të gjelbra për qytetet tona” – një platformë alternative për monitorimin e sipërfaqeve të gjelbëra – tregojnë se edhe qytetet e tjera kanë pësuar tkurrje të ndjeshme të hapësirave të gjelbëra.
“Sipërfaqja që po ndërtohet është shumë më e madhe se sipërfaqja e gjelbëruar dhe ai është bërë më tepër dekorativ, se sa për t’i vlerësuar aspektet mjedisore”, analizon Paola Zhamo, eksperte mjedisi e angazhuar në studim.
Në betejë për pyjet
Zhurma e betoniereve dhe motosharrave që rrëzojnë pak nga pak drurët e fundit të kryeqytetit, eklipsohet nga periferia e mbushur me vullnetin për mbrojtjen e “mushkërisë së gjelbër”. Ndër vite banorët e fshatit Laknas vijonin të pashqetësuar kujdesin për “Plepat e Brukës”.
Disa prej atyre që luanin në fëmijëri midis pyllit, sot janë gra dhe burra që i dolën përpara fadromave që kishin shënjestruar pemët për t’i rrafshuar si bazament për ngritjen e një biznesi.
“Donin ta prenin, po ne dhe të parët tanë e kemi trajtuar shumë, sidomos këto 30 vite. Nuk kemi lënë njeri që të presin pemë”, tregon për Median Amfora, Bledar Gjokmeli, banor i Laknasit.
Protesta e banorëve për të mbrojtur pyllin ka nisur që prej vitit 2019, kur Bashkia Kamëz mori vendimin për të dhënë me qira një sipërfaqe prej 12.400 metër katror të hapësirës së gjelbër, për një biznes me qëllim ndërtimin e një agroturizmi, që përfshin edhe një thertore.
“Ne si komunitet reaguam dhe nuk e pranuam, për vetë faktin se shtëpitë ishin shumë afër, lumi kalon aty, ajëri i ndotur dhe pylli është mbrojtja jonë për mushkëritë”, rrëfen i shqetësuar Gjokmeli.
Mbështetja e banorëve nga aktivistët e Grupimit ATA në Kamëz dhe avokatëve të Organizatave të Shoqërisë Civile, e ndaluan përkohësisht kompaninë përmes procesit gjyqësor që të mos e vijonte ndërtimin e kompleksit.
Pas padisë së 17 banorëve dhe një shoqate në Gjykatën Administrative Tiranë, për të shpallur të pavlefshme lejen e ndërtimit dhe atë mjedisore, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e “sigurimit të padisë”, për të mos lejuar kompaninë të punojë deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Në një tjetër kurorë të gjelbër, e njohur si Kodër-Vila në qytetin e Durrësit, pemët e larta janë zëvendësuar nga kullat prej betoni. Qyteti në vitet 2015-2020 ka humbur 8.7 hektarë gjelbërim.
“Ndërtimi i një rripi të gjelbër në kodrat rreth qytetit të Durrësit për parandalimin e shtrirjes urbane, për zgjerimin e hapësirave aktuale të gjelbra dhe për lidhjen e atyre ekzistuese”, ishte një rekomandim për Bashkinë Durrës, në raportin e përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, nën drejtimin e Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Mileukontakt Shqipëri.
Në një rrip toke midis pallateve dhe pemëve të larta në Kodër-Vilës, Bashkia Durrës miratoi lejen për ngritjen e 4 kullave për banim.
“Rreth fundit të vitit 2017 nga bashkia banorëve i është thënë se edhe pse është miratuar leja e zhvillimit, nuk do të ketë një leje ndërtimi. Por në gushtin e vitit 2018 u miratua leja e ndërtimit”, tregon për Median Amfora avokatja e banorëve, Dorina Ndreka-Asllani.
Vendimi ngriti në këmbë një lagje të tërë, të cilët rendën dyerve të prokurorisë dhe gjykatës, duke kërkuar ndalimin e punimeve dhe shfuqizimin e lejes së ndërtimit, pasi sipas tyre rrezikonte banesat pranë, ulte hapësirën e gjelbër dhe bllokonte peizazhin.
“Bashkia Durrës e ka refuzuar disa herë lejen e ndërtimit në këtë territor. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Laknas, vetë Bashkia Kamëz 5-6 muaj përpara se ta miratonte lejen e ka refuzuar, me të njëjtat kushte, për të njëjtin subjekt dhe më pas vendosi ta pranonte”, analizon qëndrimet kontroverse të pushtetit vendor, avokatja Ndreka-Asllani.
Urbanizimi përmbys raportet e gjelbëra
Interesat e kompanive për shfrytëzimin e pyjeve kanë përballur komunitetet rurale me nevojën për mbrojtjen e pyjeve shtetërore, ndërsa në qytete interesat e ndërtimit kanë ngritur herë pas here revolta brenda lagjeve.
Në vitin 2017 qytetarët e Tiranës kundërshtuan dhënien e një sipërfaqeje që shërbente si lulishte në zonën e Ish-Parkut të Autobuzave, për ngritjen e një kompleksi pallatesh. Formula e Bashkisë Tiranë për përfitimin e një sipërfaqeje pronësie në ndërtim i hapi rrugën ngritjes së kullave.
Një formulë që duket se u ndoq edhe me Ish-Parkun Sportiv në Durrës, ku bashkia e qytetit që kishte në pronësi një pjesë të sipërfaqes pranoi ta këmbente me një hapësirë në ndërtimin e ri, një bllok kullash që ka shfrytëzuar nga cepi në cep fushat sportive dhe palestrat e mundjes.
“Shpesh herë kur dikush kundërshton për një çështje të tillë, dyshohet se ka një interes pasuror të fshehur pas kësaj kauze”, analizon avokatja Dorina Ndreka-Asllani për rastin e Kodër-Vilës.
“I vetmi interes ishte ruajtja e saj. Disa pemë që aty janë prerë ishin të mbjella që në kohën e Mbretit Zog. Dëmet aty ishin shumë të mëdha sepse ka edhe ndërtime të jashtëzakonshme”, rrëfen ajo për ndërtimin e katër godinave.
Aktivizmi i banorëve për të mbrojtur interesat e komunitetit shpesh herë nuk është në të njëjtin ritëm me institucionet. Pas një vendimi që kërkohej të jepej të paktën që prej një viti, Gjykata Administrative Durrës më 13 dhjetor 2021 rrëzoi kërkesë-padinë e banorëve që kërkonin prej rreth 4 vitesh pezullimin e lejes së ndërtimit.
“Ky qëndirm bëri që një pjesë e madhe e banorëve të tërhiqeshin nga pjesëmarrja aktive, jo nga ndjekja e gjyqit sepse ata e kishin nisur tashmë procesin”, komentoi avokatja e banorëve për odisenë e përballjes me institucionet për ndalimin e betonizimit të Kodër-Vilës.
Qytete që valojnë nga betoni!
“Tirana është pre e fenomenit të ‘ishujve të nxehtë urban’, që janë hapësira në qytet ku është fokusuar nxehtësia dhe ndotja e ajrit”, analizon Paola Zhamo, eksperte mjedisi pranë Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.
“Kjo ndodh relativisht për shkak të betonizimit, materialeve të përdorura”, përfundon ajo, duke theksuar se drurët nuk duhen parë vetëm si elementë dekorativ, por edhe për shërbimet që i ofrojnë ekosistemit, duke filtruar ajrin, balancuar temperaturën apo ulur rrezikun e përmbytjeve.
Qyteti i Elbasanit, i njohur për ndotjen e ajrit nga kompleket industriale, në vitet 2015-2020 ka humbur 0.16 hektarë gjelbërim dhe sipas ekspertëve atje është bërë një përpjekje për shtimin e sipërfaqeve të gjelbëra, por duke ngjallur shpesh diskutime për përdorimin e tepërt të betonit apo përdorimin e drurëve dekorativ.
“Puna me gjelbërimin urban në qytet e përmirëson cilësinë e jetës”, analizon për Median Amfora Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi në qytetin e Elbasanit.
“Duhet futur vullnetarizmi jo për të mbjellë 3-4 pemë, siç për shembull mblidhet një shkollë dhe mbjell 3-4 pemë dhe mbaroi puna. Duhen ndërmarrë iniciativa që për shembull një nxënës të mbjellë 1 pemë”, sugjeron Mehmeti.
Sipas tij duhen krijuar mekanizmat për nxitjen e aktivizmit mjedisor, informimin e qytetarëve për rëndësinë e hapësirave të gjelbëra dhe ndërgjegjësimin për ruajtjen e investimeve publike në këtë sektor.
Komunitetet lokale vitet e fundit po dëshmojnë përkujdesje ndaj sipërfaqeve të gjelbëra dhe janë kthyer në “gardianë” të mbrojtjes së tyre nga prerjet për interesa biznesi.
“Kur hyri’ 90-ta ato u prenë nga individë jo të lagjes dhe u rrafshua si pyll, nuk mbeti shumë. Por me ndihmën tonë rreth’ 93-it u mblodhëm ne si komunitet dhe atë pjesën e rrethuam edhe e lamë ashtu, nuk linim njeri me e prek, e trajtuam dhe sot është bërë në një gjendje të mrekullueshme”, kujton me krenari Bledar Gjokmeli.
“Ne kërkojmë nga Bashkia Kamëz që ta bëjnë pronë publike pyll tek Kadastra dhe ta kthejnë në kamp për fëmijët, siç ka qenë”, apelon burri ndaj pushtetit vendor për “Plepat e Brukës”, në Laknas.
“Me mirëmbajtje e mbajmë ne, por të jetë me letra pyjore, që mos të ekzistoj më mundësia që të vijë një firmë tjetër e ta presi”, përfundon ai.
Në fshatin Priskë e Madhe, shembullin e Xhemali Lucës nisën ta ndjekin shpejt edhe banorët e tjerë.
“Një komshi që kam këtu, filloi ta ruante edhe ai. Sot si unë, si ai, po njëlloj e kemi. Plus edhe 2-3 të tjerë më pas, që na panë ne dhe filluan edhe ata”, rrëfen ai për aktivizmin e komunitetit në ruajtjen e pyllit.
“Ky nuk duron t’i presh një filiz apo një dushk”, e përmbyll bisedën duke qeshur bashkëshortja e Lucës, që së bashku me familjen dhe fqinjët mbollën dhe u kujdesën për rritjen e një pylli që sot shtrihet në rreth 7 hektarë.
_________
Ky shkrim synon njohjen me peizazhin e aktivizmit në Shqipëri, përmes shembujve konkretë, që paraqesin sfidat e arritjet për përmirësimin e shoqërisë shqiptare dhe organeve qeverisëse. Shkrimi u përgatit me mbështetjen e “Co-PLAN – Instituti për Zhvillimin e Habitatit”, në kuadër të “Ditës Kombëtare e Aktivizmit”, që organizohet çdo datë 22 tetor.
*Foto në krye: Sheshi Liria, në qendër të Durrësit. Foto Geri Emiri/ Media Amfora