Monumentet e kulturës, “viktimë” e motit të keq dhe mungesës së restaurimeve

Mungesa e ndërhyrjeve restauruese në vite bëri që përmbytjet e fillimit  të dhjetorit të dëmtonin disa monumenteve të rëndësishme kulture, ndërsa reshjet ndikuan në shembjen e disa banesave në Gjirokastër dhe një muri të Kalasë së Libohovës. 

*Autor: Geri Emiri | BIRN | Durrës

Moti i keq i fillimit të dhjetorit shkaktoi probleme të shumta në Shqipëri, duke shkatërruar ura dhe përmbytur mijëra banesa, ndërkohë që qindra qytetarë u deshën të evakuohen nga shërbimet e emergjencave civile pasi u bllokuan në mjetet e tyre të bllokuara në akse të ndryshme rrugore të përmbytura.

Ndërkohë përveç dëmtimit të banesave e fermave, rrebeshet e shiut dëmtuan dhe rrezikuan një numër objektesh të trashëgimisë kulturore të kategorisë së parë dhe të dytë.

BIRN mësoi pas disa kërkesash për informacion, drejtuar Ministrisë së Kulturës, Institutit të Monumenteve  të Kulturës (IMK) dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës (DRKKD), se si pasojë e motit të keq janë përmbytur apo dëmtuar të paktën 6 kisha të vjetra, një xhami, disa shtëpi monument në Gjirokastër. Dëmtime ka pasuar dhe “Forumi Bizantin” në Durrës, Ura e Golikut mbi Shkumbin dhe një pjesë të Kalasë së Libohovës.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se disa prej këtyre objekteve, si Kisha e Gjon Pagëzorit në Derven të Krujës dhe kalaja e Libohovës, ishin përfshirë në projekte të konservimit, por zbatimi i këtyre të fundit kishte ngecur, duke bërë që monumentet të vijonin të përmbyteshin dhe shembeshin. Në Gjirokastër, si pasojë e dëmtimit deri në pikën që “u bë e rrezikshme për kalimtarët”, çatia e banesës Vëllazëria “Kale” – monument kulture i kategorisë së dytë, u çmontua prej vetë DRKK-së.

Sipas specialistëve reshjet e dendura nuk ishin arsyeja e vetme për dëmtimin e këtyre monumenteve, por ndikim kanë pasur dhe mosndërhyrja në kohën e duhur për restaurimin e tyre si dhe keqmenaxhimi.

“Shteti ka për detyrë ta mirëmbajë, ta restaurojë dhe jo ta prishi. Prioriteti është për të mbrojtur jetën e njerëzve, por ne nuk duhet të vijmë në këtë situatë, që objektet të vijnë në gjendje të tilla që të rrezikojnë jetën e njerëzve,”tha Arben Biçoku, arkitekt dhe anëtar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Kisha e xhami nën ujë

Shqipëria ka një trashëgimi të pasur kulturore, me objekte kulti, fortifikime dhe arkitekturë urbane të periudhave të ndryshme historike, që shkon pas në kohë mijëra vjet. Megjithatë, mirëmbajtja e kësaj pasuri kulturore për brezat e ardhshëm përben një sfidë për financat e një vendi të varfër, të cilat jo gjithmonë menaxhohen në mënyrën më efikase.

Xhamia e Plumbit, e ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, është ndër monumentet e kulturës që rregullisht përfundon nën ujë sa herë ka reshje të dendura. IMK në përgjigjen për BIRN njoftoi se xhamia, e cila u përmbyt dy herë vitin e kaluar,  ishte përmbytur sërish këtë vit.

“Në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, ka pasur pak ujëra pasi është nën nivelin e lumenjve Kir dhe Drin”, thotë IMK në një përgjigje për BIRN.

Ndërkohë një projekt restaurimi e drenazhimi për këtë xhami, i nënshkruar në vitin 2015 mes Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me TIKA (Agjencia Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim), nuk ka filluar ende të zbatohet. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro i tha një televizioni lokal në 13 dhjetor 2017, se ndërhyrja aty kërkonte kohë, ndërsa përmendi edhe parashikime për ndërtimin e një dige që të parandalojë përmbytjet që përfshinin xhaminë.

Njësoj si xhamia, pak më në jug, Kisha e Gjon Pagëzorit në Derven të Krujës- monument kulture i kategorisë së parë, është përmbytur nga reshjet.  IMK i tha BIRN se përmbytja erdhi si pasojë ë daljes nga shtrati përroit Zezë.

“Janë marrë masat me punonjësit e DRKK Durrës dhe është hequr uji, janë bërë pastrimet nga prurjet e reshjeve me intensitet të lartë. Aktualisht situata është normalizuar,” shpjegoi IMK.

Por arkitekt Arben Biçoku thotë se përmbytje e kësaj kishe është një histori e përsëritur prej vitesh.

“Kisha e Dervenit ka qenë e përmbytur edhe pa rënë këto shira. Ajo ndodhet nën nivelin e tokës, pra është e gërmuar dhe praktikisht për çdo shi që bie ajo mbytet dhe ujërat nuk kanë se ku të shkarkohen,” shpjegoi ai.

Biçoku thotë se kisha e Dervenit, e cila u zbulua rastësisht në vitin 2008,  është një shembull klasik i një ndërhyrjeje në keq-koordinim midis Institutit të Arkeologjisë dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Kisha, që sipas studiuesve është ndërtuar rreth shekullit XIII-XIV dhe mbart disa afreske të veçanta, u gjet gjatë gërmimeve për themelet e ndërtimit të një kishe të re. BIRN gjeti se në vendimin me numër 15,  të 20 Nëntorit 2008, kur ishte vendosur miratimi i paketës së projekteve konservuese të hartuara nga DRKK Tiranë, përfshiheshin edhe punime konservuese dhe mirëmbajtëse në kishën e Gjon Pagëzorit, Derven, Krujë.

Por sipas Biçokut aty nuk ka pasur as restaurim dhe as konservim, ndërsa për shkak të përmbytjeve janë humbur afresket.

“U krye ndërhyrja gërmuese, por asnjëherë nuk u krye ndërhyrja restauruese dhe konservuese. Ne e kemi humbur cilësinë e këtij monumenti. Kanë mbetur pjesë të mureve, por ne kemi humbur komplet afresket dhe nuk është humbur në këto shira por nga ujërat dhe shirat e përhershëm”, tha arkitekti Biçoku.

Një kishë tjetër që u përmbyt ishte ajo e Shën Mëhillit në Voskopojë e cila sipas IMK-së “ka pësuar përmbytje rreth 1 metër, por me ndërhyrjen e DRKK Korçë situata është normalizuar”.

Reshjet e dendura të dhjetorit dëmtuan dhe disa monumente të tjera . Forumi Bizantin (Macellum Forum), në Durrës, për shkak të reshjeve pësoi rrëshqitje, disa kisha në Fier, si ajo e Shën Kollit në Vanaj, Shën Gjergjit në Libofshë, Shën Marisë në Bishtqethëm dhe Shën Gjergjit në Suk Strum, patën probleme me çatinë apo dëmtime të ngjashme.

Shembje e rrëshqitje në Gjirokastër

Kalaja e Libohovës, monument kulture i kategorisë së parë, humbi gjatë reshjeve të fundit, një pjesë të murit të brendshëm.

Ashtu si për Xhamin e Plumbit dhe për Kishën e Gjon Pagëzorit, edhe në këtë rast është folur prej 2 vjetësh për një projekt restaurues, me një vlerë që sipas IMK-së shkon 18.5 milionë lekë.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro pati njoftuar këtë si sukses në vitin 2015. Por arkitekti Kreshnik Merxhani, i specializuar në fushën e monumenteve, i tha BIRN se projekti nuk ishte vënë ende në jetë.

“Projekti për restaurimin dhe vlerësimin e Kalasë së Libohovës parashikonte ndërhyrje të plotë në pjesën e mureve dhe strukturave të tjera që trashëgohen në monument. Por projekti është ende në letër,” tha Merxhani.

Ndërkohë Gjirokastra, e cila u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, humbi sipas IMK-së dy prej banesave të shpallura monument kulture. IMK i tha BIRN se dëmtime ka pasur banesa e Lolomanit, monument i kategorisë së II, në Pazarin e Vjetër.

“Muratura në pjesën lindore në katin e parë është rrëzuar pjesërisht, ndërsa në pjesët veriore dhe perëndimore është gjysmë e rrëzuar. Çatia në pjesën veri perëndimore është rrëzuar plotësisht. Në këto kushte banesa përbën rrezik shembje pasi është gjysmë e rrëzuar. U bë evakuimi i familjes që jetonte në katin përdhe,” tha IMK.

Ashtu si për rastet e tjera, IMK deklaron se kishte një projekt 15 milionë për restaurimin e kësaj ndërtese, i cili nuk ishte zbatuar ende.

Instituti i Monumenteve të Kulturës pohoi edhe rrënimin e Banesës Vëllazëria “KALE”, monument kulture kategoria II, që sipas tyre ishte gjysmë e rrënuar dhe një pjesë e strehës së saj përbënte rrezik për kalimtarët. Në këtë rast sipas IMK-së,DRKK Gjirokastër ka zgjedhur ta prishë përfundimisht banesën, “duke çmontuar rrasat e gurit, që rreziku të mënjanohej”.

Kjo banesë duket se është humbur përfundimisht dhe sipas IMK-së nuk ka ndonjë plan restaurimi.

“DRKK Gjirokastër ka planifikuar hartimin e projektit për konsolidimin dhe konservimin në gjendje rrënoje, për të mos lejuar rrënimin e mëtejshëm të saj”, tha IMK.

Arkitekti Kreshnik Merxhani nuk fajëson vetëm natyrën për rrënimin e këtyre monumenteve.

“Rrënimi i këtyre banesave monument kulture erdhi si pasojë e shumë faktorëve, por mbi të gjitha e mungesës së ndërhyrjeve në vite, e më konkretisht i mungesës së ndërhyrjeve në kohën e duhur!”, tha ai.

Ndërkohë Merxhani nënvizoi se veç atyre ndërtesave të përmendura në përgjigjen e IMK-së, kishte edhe disa banesa të tjera, të cilat nuk janë raportuar por që kishin pësuar dëme.

Sipas tij janë dëmtuar banesat Çoçoli në lagjen Manalat II dhe banesa Kasi, ndërsa disa banesa të tjera lagjen Cfakë rrezikohen nga rrëshqitja e tokës. Po ashtu dëme tha ai kishte Banesa Shtino në lagjen Manalat dhe Banesa Cene- që ndodhet në lagjen Teqe ose Partizani, në mesin e pazarit.

Numri i banesave apo monumenteve me probleme del i ndryshëm edhe nga përgjigjet e vetë institucioneve. Ndërsa IMK është më e detajuar, vetë Ministria e Kulturës nuk përmend në përgjigjen që i dërgoi BIRN një pjesë të mirë të monumenteve dhe as problemet në Gjirokastër.

Instituti i Monumenteve të Kulturës shprehet se ka hartuar projekte restaurimi për 10 objekte monument kulture kategoria II, përfshirë edhe banesën e Lolomanit- projekte të cilat janë në fazën e miratimit në instancat përkatëse.

Por sipas një artikulli në revistën Monumentet kjo është shumë pak. Autoret e artikullit, Lejla Hadžić dhe Elena Mamani argumentojnë se pas një verifikimi të gjendjes së monumenteve në Gjirokastër, rezultonte se 169 monumente ishin në kategorinë e gjendjes strukturore shumë të keqe, 51 monumente kishin nevojë për ndërhyrje të menjëhershme dhe 50 të tjera kishin nevojë ndërhyrje në një kohë shumë të shkurtër.

Sipas Merxhanit,  ndërhyrjet kanë munguar edhe në ato raste kur nuk kishte nevojë për restaurim, por veprime të thjeshta që do shmangnin rrëshqitjen si ajo nënë lagjen Cfakë.

“Kërkohet ndërhyrje në sistemimin e shpateve të përrenjve, me pyllëzim apo skarpata të sistemuara, e deri te pastrimi i përrenjve nga mbeturinat urbane të grumbulluara në kohë”, tha ai.

*SHËNIM: Ky shkrim është publikuar nga autori më datë 4 janar 2018 në median Reporter.al dhe po ripublikohet këtu në përputhje me “politikat e ripublikimit” të BIRN Albania.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109