Mes Gurit të Përmetit dhe betonit: Banorët kundër Qendrës Multifunksionale
Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale për Luginën e Vjosës në Përmet vijon të shoqërohet me debat publik për vendndodhjen dhe ndikimin në peizazhin pranë Gurit të Përmetit, monument kulture dhe simbol i qytetit. Ndërsa punimet janë në zhvillim, rasti nxjerr në pah përplasjen mes vendimmarrjes institucionale dhe perceptimit të komunitetit lokal.
Punimet pranë Gurit të Përmetit. Foto: Postim nga rrjeti social Facebook Arben Çafka
Punimet për ndërtimin e një qendre publike informimi pranë Gurit të Përmetit, monument Kulture Kategori e Parë dhe njëkohësisht Monument Natyre, kanë nxitur që në nisje të punimeve, muaj më parë, reagime dhe diskutime në komunitetin lokal për përshtatshmërinë e vendndodhjes dhe ndikimin e ndërhyrjes në peizazhin përreth.
“Ankesat tona kanë ardhur pasi objekti u pa që nuk i shkonte qytetit…”, tha Aleks Todhe, ish-punonjës i trashëgimisë kulturore, për Median Amfora.
Reagimet e para u shoqëruan me debate të gjera në rrjetet sociale, ku ndërhyrja u komentua kryesisht përmes pamjes së kantierit dhe afërsisë me Gurin e Përmetit. Mes postimeve që qarkulluan ishte edhe një reagim i Auron Tare, i cili e cilësoi ndërhyrjen si një shembull të keqtrajtimit të hapësirave simbolike, duke e përshkruar ndërtimin si “shëmtirë” dhe të papërshtatshme për atë zonë.
Në të njëjtën linjë, edhe Arben Çafka, arkitekt dhe njohës i trashëgimisë, ka shprehur në mënyrë të përsëritur kritikat e hapura duke vënë në pikëpyetje domosdoshmërinë e objektit dhe mënyrën se si janë marrë vendimet. Megjithatë, ai ka zgjedhur të mos prononcohet më publikisht në media, duke e lidhur këtë me bindjen se procesi vendimmarrës është mbyllur tashmë dhe se reagimet qytetare nuk ndikojnë më në zbatimin e projektit.
Kjo klimë reagimesh, e shprehur kryesisht në internet tregon se debati është ushqyer nga perceptimi vizual dhe mungesa e informacionit të hershëm, më shumë sesa nga një kundërshtim i strukturuar institucional.
“Ne mësuam për dëgjesën publike vetëm pasi ajo ishte organizuar dhe pamë që kishin marrë pjesë punonjës të bashkisë dhe ata që nuk dalin kurrë kundër për shkak të interesave”, tha Todhe.
Ndërhyrja konsiston në ndërtimin e një strukture publike njëkatëshe, e konceptuar si stacion informativ dhe qendër multifunksionale për vizitorët e Luginës së Vjosës. Objekti parashikohet si hapësirë informimi, orientimi dhe ndërveprimi për turistët, në funksion të Parkut Kombëtar të Vjosës.
Sipas banorëve pamjet nga terreni tregojnë një masë betoni të dukshme, e cila në këtë fazë ndërtimi perceptohet si volum i rëndë dhe dominues në raport me mjedisin përreth dhe me afërsinë e menjëhershme të Gurit të Përmetit.
Nga ana institucionale, autoritetet thanë se ndërhyrja është kryer në përputhje me procedurat ligjore. Në një përgjigje zyrtare, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri me dije se projekti është shqyrtuar dhe miratuar mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur në sistemin e-leje, duke theksuar se “shqyrtimi i projektit është kryer bazuar në dokumentacionin e aplikuar”, ndërsa institucioni disponon vetëm dokumentet përkatëse të miratimit dhe vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit.
Ndër zërat më të artikuluar në këtë debat, Arben Çafka ka publikuar një sërë postimesh dhe dokumentesh ku argumenton se problematikat e projektit kanë qenë të pranishme që në fazat e hershme. Sipas materialeve të bëra publike prej tij, kritikat lidhen jo vetëm me zbatimin, por edhe me ndryshimet në emërtim dhe funksion të objektit, si dhe me përmasat e ndërhyrjes në raport me kontekstin urban dhe natyror të Përmetit.
Në një letër të hapur drejtuar Ministrit Blendi Gonxhja, Çafka ka ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës, koston e lartë të ndërtimit dhe për faktin se, sipas tij, një qendër informacioni turistike nuk duhet në afërsi të monumentit. Ai ka vënë gjithashtu në pikëpyetje ndryshimet mes emërtimit “Stacion Informativ Përmet” dhe “Qendër Multifunksionale në Luginën e Vjosës”, duke argumentuar se këto paqartësi nuk janë sqaruar publikisht dhe nuk kanë reflektuar ankesat e ngritura.
Reagimet në rrjetet sociale janë shoqëruar edhe me komente të qytetarëve që shprehin zhgënjim për mënyrën se si është marrë vendimi dhe për faktin se, sipas tyre, kundërshtimet e artikuluara publikisht nuk janë marrë parasysh. Në këtë klimë, debati ka marrë formën e një përplasjeje mes ndjeshmërisë lokale për mbrojtjen e një simboli të qytetit dhe një procesi vendimmarrës të perceptuar si i mbyllur.
Nga ana e pushtetit vendor, Bashkia Përmet ka theksuar se projekti është pjesë e një investimi publik në funksion të turizmit dhe informimit për Parkun Kombëtar të Vjosës. Në një reagim zyrtar për Median Amfora, bashkia bën me dije se “objekti është pajisur me lejet përkatëse dhe po zbatohet në përputhje me vendimet e institucioneve kompetente”, duke shtuar se ndërhyrja synon të përmirësojë infrastrukturën turistike të qytetit.
Investimi për Qendrën Multifunksionale – Stacion Informativ në Përmet është pjesë e një programi më të gjerë ndërhyrjesh përgjatë Luginës së Vjosës, me një vlerë totale të planifikuar rreth 1 miliard lekë.
Guri i Përmetit, i njohur si monument kulture dhe natyre me vlera historike e simbolike për qytetin, ka qenë më parë objekt raportimesh nga Media Amfora për ekspozimin e tij dhe shqetësimet mbi mbrojtjen e tij në kontekstin e zhvillimeve të ndryshme në zonë.
Ndërsa punimet për Qendrën Multifunksionale vijojnë, debati i ngritur në Përmet mbetet një kujtesë se zhvillimi në hapësira me vlerë të lartë kulturore dhe simbolike kërkon jo vetëm ligjshmëri, por edhe dialog të hershëm, transparencë dhe ndjeshmëri ndaj komunitetit lokal. Rasti i Gurit të Përmetit tregon se mënyra se si ndërhyhet është po aq e rëndësishme sa vetë qëllimi i ndërhyrjes.